SPECIALE JAVANEWS/ Prej 4 vitesh një grup ish punonjësish të CEZ sorollaten në dyert e Gjykatës së Tiranës në kërkim të drejtësise. Që nga viti 2011 ata akuzohen nga prokuroria për veprën penale “Falsifikim Kompjuterik”. Prokuroria e Rrethit Tiranë për këtë akuzë në vitin 2013 ka dërguar në gjykatë 15 lexues të kompanisë CEZ, proces gjyqësor i cili akoma nuk është mbyllur. Grupi i të akuzuarve deklaron për Javanews se gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatë prokurori i çështjes ka munguar në rreth 30 seanca gjyqësore, madje ka nxitur të akuzuarit që të pranojnë gjykim të shkurtuar. Ndërkohë që, thonë punonjësit për Javanews, vetë prokurori Xhengo është i afërm i një drejtori të departamentit të faturimit të asaj kohe në CEZ.
Lidhur me këtë çështjë ata i kanë dërguar edhe një shkresë drejtuesve më të lartë të shtetit që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, si dhe misioneve dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë. Në këtë letër ata shpjegojnë edhe rrethanat e sagës së tyre me drejtësinë shqiptare, të cilën e akuzojnë për mungesë të theksuar drejtësie. Kjo ka sjellë si pasojë që të akuzuarit të mbahen gjatë në një proces gjyqësor, i cili ka tronditur jo vetëm jetën sociale të tyre, pasi kanë mbetur të papunë, por nga ana tjetër kjo është shoqëruar edhe me drama familjare
Fabula e akuzës që provokoi një dramë të padrejtë
Nisur nga kjo problematikë vetë të akuzuarit deklarojnë në shkresën dërguar institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare se nga hetimet që ata kanë zhvilluar kanë marrë dijeni se në muajin mars-prill 2010 në CEZ ishte evidentuar një listë prej 16000 mijë debitorësh ndaj kompanisë CEZ.
Për këto debitorë, sipas personave përgjegjës, ishin hartuar dhe proces-verbale që vërtetonin debinë për secilin abonent. Për të vjelur këto debitorë, drejtuesit në aparatin PDA që përdornin lexuesit instaluan një tabelë që kishte të bënte vetëm më këto debitorë.
Tabela kërkonte që lexuesi të konstatonte nëse kishte apo jo energji abonenti përkatës dhe përgjigjia e lexuesit do të ishte PO ose JO. Për sa më sipër punonjësit pretendojnë se kanë kërkuar shpjegime më të plota nga drejtuesit e sektorit, të cilët i kanë udhëzuar se çdo abonenti që i dilte tabela duhej të verifikohej nëse kishte energji apo jo. Nëse kishte energji shtypej opsioni PO. Kur dilte kjo tabelë lexuesit ishin të detyruar që ta shtypnim njërin nga opsionet, sepse në të kundërt, ata nuk raportonim leximin e energjisë së konsumuar, që përbënte detyrën e tyre kryesore;
Dokumentacioni
Duke ju referuar dokumentacionit të CEZ, vijon shkresa, rezulton se këtë opsion e kanë shtypur të 148 lexuesit e Tiranës për 14.062 abonentë, por nga ky numër janë arrestuar vetëm 15 lexues, të cilët kanë lidhje vetëm me 1300 abonentë. Për të tjerët, asnjë masë, thjesht heshtje. Në rastin konkret, në periudhën që bëhet fjalë tetor-dhjetor 2010 është bërë një raportim anomalie të imponuar nëpërmjet tabelës së futur në PDA. Por edhe në këtë rast edhe në rastin e një raportimi klasik anomalie nga lexuesit nuk sjell prodhim fature, bazuar në procedurat e përcaktuara në Rregulloren e CEZ-it. Sipas kësja rregulloreje një raportim anomalie për të prodhuar faturë duhet të kalojë në një proces verifikimi.
Raportimi i anomalisë përcillet nga lexuesi nëpërmjet aparatit PDA në serverin MYA vis, i cili bën filtrimin e të dhënave të raportuara. Anomalitë pasi veçohen nga të dhënat e tjera, i kalojnë sistemit të matjes (METEREADING) për verifikime të mëtejshme; që do të thotë se sektori përkatës për çdo anomali do të bënte verifimin real në objekt për çdo abonent. Por sipas Rregullores, në rastin e kësaj anomalie, kërkohet ballafaqimi në proces-verbal kontrolli në objekt në prani të abonentit nga punonjësit e policisë elektrike (NTL). Procesverbali që mbahej në përfundim të këtij verifikimi në objekt nga punonjësit e policisë elektrike (NTL) i përcillej sektorit të faturimit (billing-ut), i cili kishte për detyrë verifikim dokumentacionit. Vetëm pas kësaj del fatura e cila pasqyron detyrimin për çdo abonent.
Grupi i ish- lexuesve të kompanisë CEZ të cilët akuzohen për falsifikim kompjuterik deklaron se në rastin e tyre konstatohet shkelje e kësaj procedure nga drejtuesit për verifikimin dhe dokumentimin e anomalive sipas rregullores përkatëse, pasi po me urdhër të drejtuesve janë prerë faturat për energji të pamatur nga sektori i faturimit 1 (një) muaj pas raportimit të detyruar të lexuesve.
Konkluzione
Nga sa parashtrojnë më sipër arrihet në konkluzionin se raportimi i anomalive për periudhën tetor-dhjetor 2010 nga ata si lexues, ka qenë i inskenuar nga drejtuesit e CEZ-it dhe po kështu edhe anashkalimi i procedurës së verifikimit dhe dokumentimit të këtyre anomalive, si dhe prodhimi i faturës, është bërë po me urdhër të drejtuesve, ç’ka hedh poshtë çdo argument për falsifikim kompjuterik nga punëtorët e leximit. Sipas tyre të bën përshtypje se nga 148 lexues që kanë bërë të njëjtin raportim, janë arrestuar vetëm 15 dhe ndonëse të dy kallëzimet janë bërë ndaj drejtuesve, në fakt janë akuzuar vetëm punëtorët. Një skemë kjo që ka shkaktuar drama familjare, me gra e burra që kanë provuar derën e burgut, pa mundur të gjejnë një shpjegim rreth motiveve që kanë sjellë në këto situata ekstreme.
Më poshtë në letrën dërguar institucioneve të larta shtetërore dhe atyre ndërkombëtare janë listuar edhe emrat e personave, të cilët kundërshtojnë akuzat e bëra në drejtim të tyre dhe që kërkojnë drejtësi.
Përgatiti A.Meta
Lista me emrat
- Mereme Shiqeruka
- Shkëlqim Basha
- Beqir Kurtaj
- Kujtim Karamuçaj
- Arben Koleci
- Luan Xhiherri
- Merkur Ndreu
- Nazif Sula
- Nezir Kurti
- Emri Toçilla
- Shpresa Stojku
- Agentina Gjondedaj
- Luljeta Karaosmani
- Hyrvete Zilli
- Madalena Dragoshi