Publikimi i dosjes së plotë të bandës së drogës që drejtohej nga Habilajt ka nxjerrë detaje të reja në pah. Në dosjen prej 416 faqesh përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërkohë që mësohet se janë shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë, pjesë e bandës kriminale të trafikut të drogës.
Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë.
Në një përgjim telefonik rezulton se Florian Habilaj i thotë vëllait të tij Moisiut se po shkon për në Tiranë pasi po e kërkon “shefi i madh “për të takuar.
Përgjimet mes Florian dhe Moisi Habilajt në datë 6.10.2013
Floriani: Më ka kërkuar shefi i madh në Tiranë
Moisiu: Çfarë donte shefi?
Floriani: Asgjë, për situatën
Në dosje përmenden edhe emrat e Nezar Saitit, Armando Sulajt, Sabaudin Çelaj dhe shumë të tjerëve. Hetimi ka nisur pas përgjimeve në 2013 të Elson Zhupa, ndërsa më pas kanë dalë në dritë edhe Habilajt.
Grupi i trafikantëve të arrestuar nga policia italiane për 3.5 tonë hashash ishte vënë prej kohësh nën pergjim. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë kanë tashmë një dosje prej 416 faqesh me fakte dhe biseda të përgjuara, ku ata përmendin emra dhe para dhe që është baza e vendimit të Gjykatës së Katanias për burgosjen e tyre.
Mesazhi që Habilaj i dërgon Florian Habilajt: Kismet pasnesër puç.
Habilaj: Me Antonion kemi gabuar duke ditur se ne kishim një eksperiencë të keqe me këto histori. Përse i kemi bërë punët me kaq ngut. Duhet që të linim atë të sistemonte punën e tij… Duhet ta linim që ta sistemonte dhe pastaj ta çonte në një vend tjetër. Këto janë gabime të pafalshme…. këto janë gabimet tona.. Ne nuk e dimë me kë jemi lidhur,. Ne nuk e dimë kë kanë dhe kë nuk kanë brenda ata bastardët.
Çelaj: Por një motiv duhet të ketë qenë. Nuk kanë shkuar fillimisht, pastaj kanë shkuar për të kontrolluar. Kështu …
Habilaj: Herën tjetër sapo të sistemoj punët e tij duhet ta lejë 30 km larg nga garazhi.
Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.
Dalja e emrit të ish-ministrit Tahiri
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.
Në përgjimin e datës 2 mars të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti me targë AA003GB, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Kjo makinë ishte në emër të Saimir Tahirit.
Emri i ministrit del gjithashtu edhe në një tjetër bisedë të përgjuar mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelës, ose Sabi.
“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, thuhet aty.
a.ç