Amerikanët i kanë dhënë shumë detaje nivelit ushtarak të ushtrisë shqiptare. Në disa dokumente të deklasifikuar nga CIA jepen detaje mbi organizimin ushtarak në vend.
Sipas dokumentit, Hoxha kishte shumë mbështetje në radhët e ushtrisë. Po ashtu, jepen detaje nga gjendja në kampet e përqendrimit.
Tetor 1951
Minoritetet në Jugosllavi
Përveç grupeve sllave si serbët, kroatët, sllovenët, malazezët e maqedonasit, Jugosllavia ka gjithashtu grupe jo-sllave si italianët në Istria, hungarezë, rumunë, si dhe rreth një milionë shqiptarët etnikë të rajonit të Kosovës. Kosova mund të arrihet për 15 orë me tren nga Beogradi ose rreth 7-8 orë me makinë të shpejtë. Shumica në Beograd e njohin Kosovën si rajonin e egër me nivel të ulët kulturor, nga cili vijnë njerëz që dalin me qeleshe të bardha në rrugët e Beogradit. Shqiptarët njihen në Beograd si shërbëtorë, druvarë apo shitës ëmbëlsirash. Shqiptarët janë pasardhësit direkt të ilirëve. Këta njerëz arrijnë në rreth 2 milionë në total po të përfshijmë ata që jetojnë në Shqipëri, Jugosllavi dhe disa në Greqi. Shqiptarët e Kosovës janë të besimit mysliman.
Mbajtja e përvitshme e muajit të agjërimit Ramazan dëmton prodhimin në minierën lokale të Trepçës dhe në impiantet e procedimit. Fshatrat dominohen nga familje të mëdha patriarkale që ruhen me fanatizëm. Mjetet e punës bujqësore janë primitive dhe prodhimi është i ulët. Plugu i drunjtë është ende në përdorim dhe si rezultat mbizotëron varfëria edhe në rajonet më pjellore. Veçantitë e Kosovës mund të shpjegohen nga fakti se rajoni ka qenë nën dominimin turk deri në 1912. Me shpalljen e shtetit të pavarur të Shqipërisë në 1912 shqiptarët mendonin se rajoni i Kosovës do u jepej atyre por evropianët nuk dëshironin të ndërhynin në sferën austro-hungareze të influencës dhe Kosova iu la Serbisë. Gjatë periudhës mes dy luftërave Kosova u bë pjesë e linjës hekurudhore Beograd-Kraljev-Ibar-Prishtinë-Shkup dhe kjo dukej se do të rriste zhvillimin ekonomik, por regjmi i Karageorge e neglizhoi rajonin.
Depozitat e mëdha të minierës së Trepçës iu dhanë me koncesion një kompanie britanike me kushte të këqija për shtetin jugosllav. Në rajonet shqiptare janë intensifikuar politikat e denacionalizimit me besimin se kultura e ashtuquajtur “superiore serbe” do të bëjë që shqiptarët rrjedhimisht të heqin dorë nga ndjenjat e tyre kombëtare. Por transformimi i një rajoni të tërë shqiptar nuk mund të kryhet në këtë mënyrë.
Përplasjet
Regjimi komunist jugosllav po përpiqet ta zgjidhë ndryshe çështjen. Kosova sot administrohet nga zyrtarë lokalë shqiptarë dhe gjuha serbe e shqiptare kanë të drejta të barabarta. Shqiptarët kanë gazetën e tyre dhe disa shkolla fillore, ku kohët e fundit janë integruar elemente turke. Por kjo hasi kundërshtimin e banorëve të cilët pretendojnë se turqisht folësit janë të paktë. Kjo mund të jetë e vërtetë, pasi pararendësit e turqve të Kosovës janë nga Beogradi para se të detyroheshin të zhvendoseshin në Nish e më pas prej aty në Kosovë. Në mars 1951 një provë force ndodhi në Kosovë që tregoi se rendi i vjetër ishte tronditur. Regjimi ia arriti të impononte ndalimin e vellos së fytyrës për gratë myslimane, duke i shpërblyer ato me ditë pushimi dhe duke dënuar burrat e tyre me 3 vjet burg nëse kundërshtonin.
Regjimi po i afrohet objektivit të tij të shkatërrimit të rendit të vjetër me mjetet e tij të joshjes dhe gjithashtu po tregon kujdes në sektorin ekonomik. Disa projekte industrializimi janë planifikuar në fushën e tekstileve, të materialeve të ndërtimit. Edhe në minierën e Trepçës që është impianti më i madh industrial i provincës, janë ndërtuar objekte të reja përpunimi. Bujqësia e rajonit është rreth 30 për qind e industrializuar dhe kolektivizimi ka pasur njëfarë suksesi. Shqiptarët e Kosovës ndjejnë lidhje të afërta racore me shqiptarët përtej kufirit, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë aktualisht në favor të aneksimit nga Shqipëria. Disa kalime malore të çojnë në Shqipëri dhe banorët lokalë tregojnë me tmerr për regjimin terrorist të Enver Hoxhës.
Edhe myslimanët më antikomunistë e kuptojnë se kushtet janë më të mira se në anën tjetër të kufirit. Por gjithsesi është e mundur që një numër i madh kosovarësh do të favorizonin një bashkim me Shqipërinë sikur të mos kishte një regjim komunist në pushtet. Evropianizimi i kësaj ane të largët të Ballkanit herët e vonë është i paevitueshëm. Ky mision historik i ka rënë marshall Titos pasi ish-drejtuesit e mëparshëm të vendit nuk arritën ta bënin. Por jugosllavët po hasin vështirësi në arritjen e evropianizimit të Kosovës duke ruajtur në të njëjtën kohë ndjesitë nacionaliste.
Parimi i autonomisë kulturore që po zbatohet në Kosovë është pozitiv por për fat të keq kjo politikë po mbrohet vetëm nga komunistët ndërsa anti-komunistët konservatorë serbë tregojnë përçmim dhe mungesë mirëkuptimi ndaj fisnikërisë kulturore të këtij populli primitiv. Regjimi i Titos në Kosovë mund të gjykohej në mënyrë akoma më të favorshme nëse avancimet do të ishin shoqëruar dhe me rritje ekonomike pasi rajoni është i infektuar me mjerim, mungesë mallrash dhe paqëndrueshmëri rrogash që nuk shihen tjetërkund në Jugosllavi.
Qershor 1951
Informacione ushtarake
Fuqia aktuale e ushtrisë së Shqipërisë është 30.000 njerëz. Së bashku me forcat e policisë dhe të Sigurimit ato mund të arrijnë në 50.000 vetë. Parlamenti ka diskutuar kohët e fundit reduktimin e kohës së shërbimit ushtarak në 18 muaj për këmbësorinë dhe në 24 muaj për rojet kufitare, por ndryshimet nuk janë miratuar ende. Lirimi i fundit i rojeve kufitare është bërë më 20 shkurt 1950, për rojet që kishin shërbyer 36 muaj. Vendet e tyre i zunë rekrutë të rinj që vinin nga Brigada e Pavarur e Vlorës. Tre divizione këmbësorie kontrollohen nga ministria e luftës, së bashku me disa njësi të pavarura. Këto janë forcat tërësisht ushtarake në vend. Të gjithë oficerët e ushtrisë shqiptare janë anëtarë të Partisë Komuniste dhe ish-partizanë. Nuk ka asnjë oficer të mbetur nga periudha e paraluftës.
Shumica e tyre kanë mbaruar shkollën fillore dhe janë stërvitur në shkollat ushtarake komuniste. Tashmë në radhët e kadetëve ka dhe kandidatë që nuk kanë qenë më parë partizanë. Rreth 55 për qind e oficerëve janë ndjekës besnikë të partisë, rreth 40 për qind janë ndjekës të ftohtë të ideologjisë komunistë ndërsa pjesa tjetër janë indiferent ndaj regjimit. Ndërsa mes ushtarëve vetëm 15-20 për qind janë komunistë fanatikë, kurse pjesa më e madhe janë kundërshtarë të regjimit. Shumica e ushtarëve flasin hapur me njëri-tjetrin për t’u arratisur në mundësinë më të parë që u jepet, por ata përmbahen prej frikës së hakmarrjes ndaj familjarëve të tyre nga autoritetet, dhe në një farë mase prej propagandës komuniste që e paraqet të mjerueshme gjendjen në vendet fqinje. Në Shqipëri ka dy shkolla ushtarake.
Njëra është shkolla Enver në Tiranë ku kanë mësuar oficerët partizanë në vitet 1945 deri në 1948. Në 4 janar 1949 kjo shkolla ka diplomuar 300 oficerë të rregullt dhe 100 rezervistë. Të gjithë oficerët deri në rangun e kapitenit duhet të kalojnë në këtë shkollë. Mësuesit e saj janë oficerë shqiptarë të trajnuar në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik. Lëndët e mësuara janë histori politike (Historia e partisë sovjetike, Situata e brendshme e ndërkombëtare, Teori Komuniste), taktika ushtarake, gjimnastikë, njohuri teknike të armëve moderne, topografi, rregulla ushtarake, atletikë, komunikime, fortifikime. Prej vitit 1950 është bërë i detyrueshëm studimi i gjuhës ruse. Oficerët e rangut major, dërgohen në Rusi për specializim të mëtejshëm. Këta të fundit zgjidhem nga më të shkëlqyerit në rezultate, të shëndetshëm dhe komunistë të besuar.
Procesi i seleksionimit në shumë raste ka rezultuar i gabuar pasi një numër oficerësh janë kthyer të arrestuar në Shqipëri para mbarimit të studimeve. Disa janë burgosur dhe disa të tjerë janë shkarkuar nga ushtria. Burime të ndryshme thonë se oficerët e rinj kishin parë në Bashkimin Sovjetik një situatë ndryshe nga ajo që ishte përshkruar në Shqipëri prandaj kishin devijuar nga linja e partisë.
Organizimi
Ndërsa shkolla e Kadetëve në Tiranë është hapur në 1947 dhe ka nëntë klasa, katër fillore, tre të mesme dhe dy gjimnaz. Nxënësit e dy niveleve të para mësojnë paradite ndërsa kurset ushtarake bëhen pasdite. Shkolla pranon se djemtë që do të ndjekin një karrierë ushtarake janë fëmijë të dëshmorëve të luftës, të heronjve, të të varfërve dhe të oficerëve. Aktualisht shkolla ka rreth 1200 studentë. Shumë prej të diplomuarve dërgohen në shkollat ushtarake në BRSS dhe Rumani, ndërsa një numër i vogël qëndrojnë në shkollën Enver. Pas studimit nis emërimi i oficerëve. Shqipëria nuk ka qendra të veçanta stërvitjeje për ushtrinë. Rekrutët që mblidhen nga zyrat lokale të rekrutimit dërgohen menjëherë në njësi të ndryshme. Ata që zgjidhen për njësitë e komunikimit, të zgjedhurit për njësitë e artilerisë dërgohen menjëherë në regjimentin e Elbasanit e kështu me radhë.
Ata nisin trajnimin në njësitë e tyre, i cili zgjat rreth 1 vit. Zakonisht në mes të periudhës së trajnimit rekrutët rizgjidhen në bazë të aftësive të shfaqura apo të besnikërisë ndaj partisë, për t’u dërguar në njësi të tjera të mortajave, të mitralozave, ose ndryshe kthehen në njësitë e tyre. Kurset e sivjetshme ushtarake janë ndarë si më poshtë: Tre muajt e parë mbushen me kurse gjimnastike, sjellje ushtarake, qitje nga distanca 100 metra. Tre muajt e dytë: Ushtrime beteje, qitje nga distanca 200 metra. Tre muajt e tretë: Ushtrime beteje në skuadër, qitje nga distanca 300 metra. Tre muajt e katërt: Ushtrime beteje për kompani dhe batalion, qitje nga distanca 400 metra dhe manovra regjimenti 2-3 ditore. Gjatë ushtrimeve të betejës bëhet qitje me armë të vërteta zjarri.
Stërvitja bëhet në çdo kusht të motit për tetë orë në ditë. Tre herë në javë për dy orë bëhen leksione politike nga komisarët e batalioneve. Çdo ditë gjatë orëve të studimit ka lexim e shkrim të detyruar për ushtarët analfabetë. Në shkurt 1950 ka pasur një ngritje të rrogave të punonjësve shtetërorë dhe atyre ushtarakë, por në të njëjtën kohë kishte reduktim të standardit familjar dhe të rrogave të rojeve kufitare.
Në dhjetor 1949 uniforma dhe këpucë për rojet kufitare dhe ushtrinë erdhën nga Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia, shpërndarja e të cilave nisi menjëherë. Veshjet nga Çekosllovakia përfshinin uniforma dhe pantallona të stilit anglez që iu dhanë rojeve kufitare. Këpucët ishin në përgjithësi të cilësisë së dobët dhe tashmë janë konsumuar. Rojet kufitare morën dhe pallto të prodhimit çekosllovak dhe amerikan. Veshjeve amerikane iu hoqën kopsat dhe stemat që mund të kishin.
Përbërja dhe forca e këmbësorisë
Divizioni i këmbësorisë përbëhet nga selia kryesore, kompania e transportit, kompania e xhenierëve, kompania e komunikimeve, kompania e zbulimit, kompania e sigurisë, e artilerisë. Drejtoria e rojeve kufitare u ngrit në 1949 me seli në Tiranë, çka solli dhe eliminimin e Divizionit të Sigurisë së Popullit.
Rojet kufitare nuk varen nga komanda e ushtrisë por nga ministria e Brendshme pasi konsiderohet se kanë të bëjnë në sigurinë e forcave të shtetit. Arsyet për ndryshimin ishin përshpejtimi i kalimit të dokumenteve dhe eliminimi i burokracisë si dhe reduktimi i shpenzimeve ushtarake me eliminimin e lukseve të personelit të selive drejtuese.
Me lëvizjet iu dha gjithashtu prioritet ruajtjes së kufirit përkundër ndjekjes së guerilasve anti-komunistë, për të cilët u ngritën grupe të tjera me qëllim që të vepronin me më shumë ashpërsi dhe efektivitet.
Mars 1954
Situatë e brendshme
Pak pas vdekjes së Stalinit në Shqipëri nisën të qarkullonin zhurmat se do të kishte zbutje të terrorit komunist, ndoshta mbyllje të kampeve të përqendrimit si ai i Tepelenës, ku mijëra të afërm të të arratisurve lëngojnë në vuajtje. Por këto zhurma rezultuan të rreme, pasi burra gra e të rinj vazhduan të merreshin me forcë nga shtëpitë e tyre për të kryer punë të detyruar. Kjo lëvizje e Hoxhës u prit me zemërim nga populli, pasi në kulturën vendase gratë janë një pikë e dobët. Shumë vetëvrasje ndodhën dhe akte rebelimi, të cilat gjithashtu u pasuan nga akte të tjera të pamëshirshme hakmarrjeje. Ndërkohë populli shqiptar duket i lodhur e i pafuqishëm, veçanërisht ndaj sherreve mes grupeve të ndryshme të emigracionit në Perëndim. Dërgesat e agjentëve nga Jugosllavia në Shqipëri, megjithëse nuk kanë pasur asnjë efekt për jugosllavët, kanë shkaktuar hakmarrje të tmerrshme prej autoriteteve ndaj popullatës, me qindra njerëz të arrestuar, të ekzekutuar dhe të dërguar në kampet e përqendrimit.
Popullata nuk dëshiron më aktivitete të tilla edhe pse është e gatshme të ngrihet si një e vetme nëse fuqitë perëndimore ndërmarrin veprim konkret për përmbysjen e regjimit aktual. Ndërkohë qindra të rinj shqiptarë janë sakrifikuar në operacionet e kota të Jugosllavisë me infiltrime agjentësh në Shqipëri, të cilëve i shtohen gjithashtu ata që kanë guxuar t’i ndihmojnë bashkë-atdhetarët e ardhur nga Jugosllavia. Çdo mision i dërguar në Shqipëri do të ketë efekte negative, përveç rasteve kur ka mbrojtje ushtarake nga jashtë. Nga ana tjetër duhet intensifikuar propaganda radio pasi shqiptarët dëgjojnë programet e huaja në vend. Edhe komunistët me poste jo të larta në administratë i dëgjojnë transmetimet dhe i përhapin ato në bisedat me njëri-tjetrin.
Njëfarë rilindjeje fetare po ndodh në rajonin e Shkodrës, por ka një mungesë priftërinjsh në zonën e Malësisë së Madhe ku nga pesë apo gjashtë kisha që kanë qenë më parë, tani ka vetëm një. Kisha katolike ka shumë dëshmorë ndaj komunizmit shqiptar, të cilët me sjelljen e tyre vetëmohuese para dhunës e torturave komuniste, kanë fituar admirim të madh. Megjithë rreziqet e përfshira kishat po mbushen nga besimtarët. Në të gjithë rajonin ka dy priftërinj françiskanë, Rrok Vala dhe Rrok Gurashi, për të cilët nuk flitet mirë. Shumica e shqiptarëve besojnë se çlirimi mund të vijë vetëm me anë të një lufte tjetër botërore. Komunistët e vendit thonë se çdo shtyrje e një lufte të përgjithshme do të jetë në favorin e tyre. Gjenerata e vjetër po zhduket kurse gjenerata e re është indoktrinuar thellësisht me idealet komuniste.
Por megjithatë thuajse të gjithë studentët shqiptarë janë kundër komunizmit. Shoqata klandestine anti-komuniste po zbulohen vazhdimisht dhe arrestimet janë të shumta. Në përgjithësi shqiptarët besojnë se ish-mbreti Zog nuk ka shanse për t’u rikthyer me monarkinë e tij. Mes të rinjve në vend ka një tendencë për socializëm të moderuar. Fishta, poeti shqiptar i eliminuar nga komunistët për arsye të shkrimeve të tij ku ngrihet lart lufta e shqiptarëve kundër pushtuesit sllav, është i respektuar mes studentëve shqiptarë të cilët dinë përmendësh vargje të tij.
/a.rada