Juristja e njohur dhe ish-nënkryetare e KQZ-së Dëshira Subashi nuk e pranon këtë shtyrje dhe zgjatim të Reformës Zgjedhore. Në këtë intervistë për Javanews, ajo shprehet për çështje direkt teknike që lidhen me procesin zgjedhor, por edhe me dokumentacionin e zgjedhjeve, çështjen e vendbanimit dhe pse reforma zgjedhor në fund është thjesht një marrëveshje politike…
Intervistoi Ben Andoni
Pyetjeve teknike të Javanews, juristja e njohur, u është përgjigjur poashtu teknikisht. Si një nga funksionaret më të larta të KQZ-së në vite, ajo njeh jo vetëm performancën e këtij institucioni por edhe atë sesi ajo mund t’i shërbejë sa më mirë zgjedhjeve në Shqipëri. Ka një përgjigje dhe justifikim për rolin e KQZ-së, që në punën e vet është e limituar për verifikimin e të dhënave të kandidatëve dhe mbi të gjitha nuk e ka për detyrë. Ajo flet edhe për vështirësinë e unifikimit të legjislacionit për institutin e “vendbanimit”dhe për pasojë dhe mundësisë së ushtrimit të së drejtës së votës. Për të: Edhe sot shtetasit që janë me vendbanim jashtë vendit nuk janë të penguar në të drejtën e votës, por kjo e drejtë me ligjin e sotëm ushtrohet apo është e lidhur me vendbanimin, ku shtetasi ka gjendjen civile. Një shtrirje tjetër, e kërkuar madje prej shumë kohësh nga vetë politika për të drejtën e emigrantëve për të votuar është një çështje tjetër që mund të marrë vëmendje…
Kurse, problemin më të madh që shikon është vonesa e pajustifikuar e Reformës Zgjedhore dhe premisën e zakonshme për t’u lënë në fund. “E lënë në limitet e fundit kohore kjo reformë, nuk mund të japë kurrsesi rezultatet ligjore më të mira, sepse koha ka treguar se kompromiset e fundit janë të lidhura me shumë me interesa partiake. Në eksperiencën time për shkak të reformës zgjedhore, janë toleruar deri ndryshime kushtetuese, me pasoja në vendosjen e shtetit të së drejtës”, shprehet ajo në këtë intervistë.
Kanë penetruar shumë kandidatë të inkriminuar në listat e partive në zgjedhjet e fundit. A mendoni se kjo e kompromenton disi transparencën dhe informimin që duhet të bënte Komisioni Zgjedhor ndaj zgjedhësve?
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i limituar në veprimtarinë e tij në lidhje me verifikimin e të dhënave të kandidatëve, që lidhen me pyetjen që më bëni; pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka për detyrë, sipas ligjit zgjedhor të hetojë lidhur me faktin se një kandidat ka qenë apo është i dënuar, është apo jo në një proces penal Brenda apo Jashtë vendit. Madje në gjykimin tim ky verifikim është në kufijtë e të pamundurës për t’u kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke mbajtur parasysh të gjithë hapat procedurialë që ndërmerren në një hapësirë kohore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Një detyrë e tillë do të kërkonte ndërhyrje tërësore në disa kapituj të këtij Kodi. Komisioni Qendror Zgjedhor ka për detyrë të bëjë verifikimet që përcaktohen në nenin 72 të Kodit Zgjedhor, të cilat janë:
Dokumentet e kandidimit duhet të përmbajnë këto të dhëna:
- a) listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;
- b) emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit;
- c) deklarimin e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;
ç) deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;
- d) një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse që mbështesin.
Jashtë këtyre kushteve Komisioni Qendror Zgjedhor nuk mund ta shtrijë hetimin. Madje në praktikën zgjedhore, në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009 u çel një diskutim lidhur me një kriter që përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë, ku kërkohet që në momentin e kandidimit, kandidati duhet të japë dorëheqje nga funksionet e larta shtetërore, të përcaktuara, ndryshe mandati i fituar është i pavlefshëm.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me ndikim apo pa ndikim mbajti qëndrimin se kjo çështje nuk duhet verifikuar nga Komisioni, por duhet të ishte çështje e shqyrtimit në Parlament. Në rastin që Ju më pyesni nuk ka asnjë pengesë kushtetuese, përveç ligjit të miratuar së fundmi për dekriminalizimin. Unë mendoj se ky ligj duhet të jetë detyrim i partive politike për ta zbatuar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të investohet vetëm me process ankimor dhe jo si një detyrim verifikimi”.
Pse është e vështirë të unifikohet legjislacioni për institutin e “vendbanimit”dhe për pasojë dhe mundësisë së ushtrimit të së drejtës së votës?
“Nuk mendoj se është çështje e vështirë unifikimi i legjislacionit për institutin e vendbanimit. Madje, unë do ta konsideroja të vonuar këtë çështje. Unë nuk di vend në botë që të mos përcaktojë në ligj vendbanimet e shtetasve të vet.
Mundësia e ushtrimit të votës sigurisht që lidhet me vendbanimin, por unifikimi i legjislacionit të vendbanimit është më i gjerë sesa e drejta e ushtrimit të votës.
Edhe sot shtetasit që janë me vendbanim jashtë vendit nuk janë të penguar në të drejtën e votës, por kjo e drejtë me ligjin e sotëm ushtrohet apo është e lidhur me vendbanimin, ku shtetasi ka gjendjen civile. Një shtrirje tjetër, e kërkuar madje prej shumë kohësh nga vetë politika për të drejtën e emigrantëve për të votuar është një çështje tjetër që mund të marrë vëmendje”.
A jemi të vonuar sa i përket reformës dhe pse partitë e lënë në limitet e fundit kohore pregatitjen e saj?
“Në bindjen time permanente, prej një dekade që kam kontributin tim në proceset zgjedhore, ka qenë pasja e një reforme zgjedhore të përfunduar deri një vit para datës së zgjedhjeve të ardhshme. Ky është standarti që përcaktohet në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore, miratuar nga Komisioni i Venecias. Ka një kuptim ky afat, që e komenton vetë Komisioni i Venecias. Paanshmëria e vendimmarrjes në këtë periudhë jashtë ‘etheve’ zgjedhore është e efekshme. Kjo nuk ka ndodhur dhe me sa duket do të jetë sërish e vonuar edhe këtë radhë kjo reformë.
E lënë në limitet e fundit kohore kjo reformë, nuk mund të japë kurrsesi rezultatet ligjore më të mira, sepse koha ka treguar se kompromiset e fundit janë të lidhura më shumë me interesa partiake. Në eksperiencën time për shkak të reformës zgjedhore, janë toleruar deri ndryshime kushtetuese, me pasoja në vendosjen e shtetit të së drejtës.
Uroj që disa reforma të rëndësishme në vend që janë në proces, reforma në drejtësi të mos jetë e kondicionuar me ndryshimet që duhet të bëhen për procesin zgjedhor. Disa zëra në media janë dëgjuar edhe pse të pakët”.