Dewi van de Weerd ambasadore e Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, në një intervistë për Top-Channel thotë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në miratimin dhe zbatimin e ligjit për dekriminalizimin.
“Mendoj se është një lajm ekselent që maxhoranca dhe opozita janë duke bashkëpunuar në draftimin e ligjit të dekriminalizimit. Është dicka që ata tani janë duke i dhënë prioritet dhe ky është një lajm i mirë. Nëse ju pyesni se kur do të duhet të hyj në fuqi ky ligj kjo varet se si ligji do të hartohet. Por nëse flasim për dekriminalizimin e parlamentit kjo është ajo cfarë votuesit shqiptarë duan. Është dicka që ata janë duke e pritur. Dhe nëse e shikojmë këtë nga perspektiva e votuese koha është tani”.
Shefja e diplomacisë hollandeze në Shqipëri sygjeron se nuk duhet të ketë nxitim në hartimin e projektligjeve.
“Konsultimet për draft-ligjet kanë një rëndësi të vecantë. Kjo ndihmon në pasjen e ligjeve me kualitet nëse kryhen konsultime me ekspertët, grupet e interesit dhe aktorët kryesor në këtë proces. Konsultimet marrin rëndësi edhe për procesin që pason, atë të zbatimit të ligjit. Disa ditë më parë unë isha në Lezhë dhe salla ishte e mbushur me njerëz që diskutonin për reformën në drejtësi. Atje pati një mori me pyetje nga gjykatësit, prokurorët dhe ekspertët. Prandaj mendoj se duke patur konsultime të kësaj natyre është tepër e vlefshme”.
Sipas të dhënave nga autoritetet e emigracionit në Hollandë, në 12 muajt e fundit 717 shqiptarë aplikuan për azil nga të cilët 286 vetëm në Tetor. Për këtë cështje ambasadorja Dewi van de Weerd thotë se shanset për azil janë zero.
“Po është e vërtëtë që ka patur raportime rreth shqiptarëve që kërkojnë azil në Hollandë. Askushi nuk ka marrë azil në Hollandë. Kjo është se njerëzit nuk po shkojnë atje për arsye politike. Motivet janë ekonomike. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se Shqipëria është një vend kandidat për në BE dhe nuk ka asnjë bazë për të kërkuar azil politik. Nga ana tjetër është për të ardhur keq pasi njerëz të gjithën këtë gjë ndihmohen nga trafikantët duke i kushtuar shumë para. Unë do ti këshilloja të gjithë qytetarët ta ndërtojnë jetën këtu në Shqipëri pasi ky vënd ka shumë potenciale dhe ka nevojë për të rinjtë e talentuar të qëndrojnë këtu duke ndërtuar vendin”. Top Channel