Dekretimi i Edi Ramës, çertifikon shkeljen e Kushtetutës nga Ilir Meta

Nga Mero Baze/

Presidenti i Republikës shkarkoi më në fund Ditmir Bushatin dhe dekretoi emërimin e Edi Ramës si ministër i Jashtëm, duke mbetur zbuluar para Gjykatës Kushtetuese lidhur me refuzimin e tij të mëparshëm.

Tani Gjykata Kushtetuese do trajtojë dy çështje. E para, a ka të drejtë një president të mos dekretojë shkarkimin e një ministri, dhe e dyta, mungesën e arsyeve kushtetuese për mos dekretimin e emërimit të Gent Cakaj si ministër i Jashtëm.

Mos shkarkimi i Ditmir Bushatit nga detyra e ministrit, e kthen detyrimin kushtetues të Presidentit për të çuar dekretin në Kuvend, në një çështje pëlqimi dhe bindjeje, dhe jo detyre kushtetuese. Nga një Republikë Kushtetuese, ne kalojmë në një Republikë bindjesh të Presidentit, që duke ndërhyrë në vullnetin e shumicës së shqiptarëve që kanë zgjedhur qeverinë, cënon rëndë figurën e Presidentit si përfaqësues i unitetit kombëtar dhe mos përfshirjen në jetën politike të vendit.

Duke shprehur pëlqimin apo mospëlqimin e tij për ministrat, kur emërohen ose shkarkohen, Presidenti në fakt zëvendëson votën e shqiptarëve me pëlqimin e tij dhe kthehet në një faktor politik vendimtar, duke cenuar legjitimitetin e pushtetit politik në Shqipëri.

Komentari i Kushtetutës së Shqipërisë, e parashikon qartë se roli i presidentit në dërgimin e dekreteve në Kuvend, është thjesht ceremonial dhe bëhet për t’i rritur solemnitetin emërimit të një ministri.

Duke vënë në plan të parë bindjet e tij politike dhe personale, presidenti i vendit, i cili nuk ka kompetencë të zgjedhë apo të shkarkojë ministra, i heq të drejtën Kuvendit, të ushtrojë kompetencën e tij substanciale, atë të votimit të emërimit dhe shkarkimit të një ministri. Pra, përveçse merr kompetenca që nuk i ka, ai i heq Kuvendit të drejtën për të ushtruar detyrimet e tij kushtetuese.

Në rastin e Gent Cakajt, Presidenti i vendit nuk ka paraqitur asnjë argument kushtetues, për mos dekretimin e tij. Biles më keq se kaq, ai ka ngritur akuza bazuar në bindjen e tij, se emërimi i Gent Cakajt, bëhet për një arsye të errët antikombëtare, që ka të bëjë me ndryshimin e kufijëve të Kosovës me Serbinë.

Ky është një zhvillim edhe më antikushtetues, se sa mos dekretimi i emërimit të tij, pasi Presidenti i vendit, i jep të drejtë vetes, të na bindë se ka informacione që flasin për një komplot ndaj kombit shqiptar, dhe këto nuk i ka referuar askund, në asnjë institucion të shtetit, por i shikon të lidhura vetëm me emrin e Gent Cakajt, të cilin e propozon Edi Rama.

Në arsyetimin më të thjeshtë i bie që Edi Rama paska emëruar Gent Cakajn, të ndajë Kosovën dhe të zbatojë një plan të zi antishqiptar.

Por nëse Edi Rama e ka bërë këtë, dhe tani është vetë ministër i Jashtëm, përse rreziku ka kaluar dhe përse Ilir Meta e dekretoi Edi Ramën?

Kjo do të thotë që Ilir Meta e ka refuzuar Gent Cakajn thjesht për t’u përfshirë në një betejë politike si krye-opozitar që cenon Kushtetutën, duke humbur neutralitetin politik si President dhe duke u përfshirë në luftën politike, në cenim të figurës së presidentit.

Argumentet që ai tha për Gent Cakajn, bien në momentin që emërohet shefi i tij Edi Rama, dhe ajo që mbetet është vetëm shkelja e Kushtetutës nga Ilir Meta.

Dhe kjo duhet të gjykohet sa më shpejt të jetë e mundur nga Gjykata Kushtetuese. Të paktën ta dimë që kemi një president antikushtetues të çertifikuar, që duhet të shërbejë si model se si nuk duhet të jetë më pas asnjë president tjetër.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com