Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Italisë, Marco Alberti, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve mbështetet në një kuadër të konsoliduar marrëveshjesh dhe protokollesh dypalëshe në fushën e sigurisë, migracionit dhe menaxhimit të kufirit.
“Në qendër të tij janë hetimet dhe operacionet e përbashkëta kundër krimit të rëndë e të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore, si dhe parandalimi i veprimtarive kriminale ndërkufitare”, theksoi Demo.
Demo vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe ekspertizën italiane në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe ndërinstitucionale, zhvillimin profesional të agjencive ligjzbatuese dhe përmirësimin e mjeteve operative.
“Kjo punë e përbashkët forcon sigurinë e qytetarëve dhe na ndihmon të përmbushim angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ai.











