Kundërshtitë e hasura prej kohësh midis ish-rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe atij aktual, Mynyr Koni, u shpërfaqën dukshëm edhe në takimin e një dite më parë me Kryeministrin Edi Rama.
Ata shfrytëzuan këtë përballje për t’iu ankuar atij për një sërë pengesash të qëllimshme në punët e njëri-tjetrit. Ishte rektori aktual ai që “hapi thesin e ankesave” kundrejt Bordit të Administrimit duke thënë se prej më shumë se një viti është përballur me një situatë bllokuese që ka agravuar deri në ndërrimin e bravës së një zyre të burimeve njerëzore duke “marrë peng” kështu të gjithë dokumentacionin e akademikëve të Universitetit të Tiranës.
Jo pak rezerva pati edhe ish-rektori Dhori Kule. Gjatë debatit në distancë, dekani i Fakultetit Ekonomik akuzoi paraardhësin e tij për firmosje tenderash gjatë kohës që ka qenë i shtruar në spital dhe pezullimin e padrejtë të kancelarit.
Por, problemi më i madh, sipas tij, aktualisht është rekrutimi i pedagogëve të rinj në të paktën dy fakultete, për të cilët Koni nuk pranon të firmosë. E gjitha kjo, sipas dekanit të Ekonomikut, ka ardhur nga mosperceptimi i kompetencave të ndara Bord-Rektorat. Nisur nga kjo, Koni i kujtoi Ramës nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Lartë, duke i kërkuar hapur të marrë masa për të zgjidhur këtë ngërç.
Të gjitha këto absurditete të prodhuara nga individë në vatrën e dijes, sipas kreut të qeverisë, duhet të zgjidhen nga vetë ata, pa qenë nevoja që qeveria të ndërhyjë me masa ekstreme apo “prerje kokësh”. Pas përgjigjes së Ramës, Koni vuri në dijeni atë se zgjidhja do të kërkohet në Gjykatë, pasi janë mbyllur të gjitha rrugët e komunikimit.
DEBATI NË KRYEMINISTRI
Mynyr Koni: Ajo që kam ndeshur në punën time si rektor i Universitetit është një situatë bllokuese nga veprimtaria e administratorit, me suportin e Bordit të Administrimit. I jam drejtuar zyrtarisht, por asnjëherë nuk janë plotësuar kërkesat për funksionimin apo nevojat e momentit, që mund të sjellë një situatë e caktuar. Së dyti, është krijuar një situatë e rëndë, për të cilën unë kam vënë në dijeni edhe zonjën ministre, për çështjen e punonjësve të Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Pas vitit të ri, kjo situatë në Universitetin e Tiranës ka agravuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke bllokuar në mënyrë të njëanshme, ndërruar bravën e një drejtorie të burimeve njerëzore ku ndodhet gjithë dokumentacioni i Universitetit të Tiranës, i personelit akademik, ndihmës akademik dhe administrativ, duke urdhëruar me veprime administrative dhe penguar punonjës të ndryshëm dhe ka krijuar një situatë shumë të rëndë bllokuese në funksionimin e Rektoratit.
Edi Rama: Tani, ndërrim bravash, unë kisha dëgjuar vetëm në Federatën e Mundjes. Paska ndodhur dhe në universitet. Po mirë, ky Bord, a varet nga Senati? Kush e ka zgjedhur pjesën tuaj? Senati. Pra, varet nga Senati, sepse keni shumicën. Po të ishte ndryshe, siç është në universitete të tjera, ku “çuditërisht” nuk ka probleme të tilla, ku për arsye të formulës, shumicën e administrimit e ka Ministria e Arsimit, atëherë do thoshim, pyesim shumicën. Shumicën e keni ju.
Artan Hoxha, dekan i Fakultetit të Drejtësisë: Të vijmë këtu e të flasim për brava më duket se nuk është në nivelin tonë dhe autonomia, ta deklarosh, ta kuptosh e ta zbatosh, po na rezulton se qenka pak e vështirë. Flasim me terma autonomie dhe sillemi me terma autoritarë. Janë shumë gjëra që nuk i zbatojmë dot për shkak të këtij konflikti e që, për mendimin tim, nuk është çështje e Bordit. T’i thuash Bordit që nuk të kaloj shkresat e tua në protokoll, sepse nuk më pëlqejnë mua, kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend. Ç’punë ka rektori të nënshkruajë kontrata financiare? Këto janë gjëra që në dukje janë të vogla, janë banale, por janë çështje të mentalitetit që ne nuk po na lejon të ecim përpara.
Dhori Kule: Më vjen turp që Senati i Universitetit të Tiranës të katandiset, të bëhet objekt qesharak Senati dhe pedagogu i UT-së, sikurse po shoh këto ditë në media. Është e paperceptueshme për mua. Më vjen turp të dal rrugës se më duket se njerëzit tallen që u shqetësuam se na u vonua rroga 3 ditë. Kush ia jep të drejtën kujt, të tallet me reputacionin tonë, duke thënë që neve na u vonua rroga 3 ditë edhe vdiqëm. Po shoh nga mëngjesi në darkë, në media, në Parlament fillojnë tallen, “rrogat”, “pa rroga”. Po ta dini zoti Kryeministër, turp që po i themi këtu, jemi pa bërë procedurat e rekrutimit, dy fakultete, unë kam 24 pedagogë të bllokuar që nuk bëhen procedurat e rekrutimit dhe nuk firmosen kontrata, d.m.th., atë detyrim që kanë nuk i firmos zotëria dhe Fakulteti i Drejtësisë ka 29% të ngarkesës mësimore me pedagogë të brendshëm, janë miratuar, do shtohen dhe 29 të tjerë dhe nuk fillon dot procedurat. Pra, është një ngërç institucional i qartë. Nuk e kërkojmë te ju. Jemi përpjekur me të gjitha mënyrat, aq më shumë mua më ka ardhur turp që problemet e Universitetit t’i nxjerr në pazar. Por ka ardhur në atë situatë që kërkojnë veprim ligjor. Është një ndërhyrje e frikshme e paligjshme. Janë të tilla që, secili atë firmë do kishte frikë ta mendonte gjithë jetën e vet. Kanë firmosur duke qenë në spital kontrata tenderash. Kjo është e paimagjinueshme, zoti Kryeministër! Një situatë e turpshme kur pezullohej administratori dhe rrinte prapa derës së Rektoratit administratori i Universitetit se nuk i donte qejfi Rektorit të futej ai. Sinqerisht, mua më vjen turp! I kemi bërë të gjitha përpjekjet në Rektorat. Ia kemi thënë dhe stërthënë të gjitha këto. Situata ka ardhur tani te zgjidhja ligjore. Hallet tona nuk do na i zgjidhni dot ju. Por ligji ka parashikuar një situatë eksplicit. Neni 7 thotë: “Për pajtueshmërinë e funksionimit të ligjshëm të institucioneve të arsimit të lartë në raport me ligjin Ministria e Arsimit e ka këtë përgjegjësi”. Janë bërë vlerësime qoftë nga Gjykata, qoftë nga KLSH-ja, qoftë nga Ministria e Financave. Ne nuk mund të mbetemi peng, as i Dhori Kules, as i Mynyr Konit. Universiteti i Tiranës është pasuri e shqiptarëve. Në ka person më të tërhequr nga të gjithë, kam qenë unë, sepse sapo del Dhori Kule fillojnë thonë, “ai e ka fajin, se ai e vuri atë”. Ai fakultet i ka dhënë zotit Koni 90% të votave pa shkuar asnjë ditë atje. Prandaj kjo është një përgjegjësi ndaj institucionit. Universiteti i Tiranës duhet ruajtur nga të gjithë. Do ta ruajmë. Te ju nuk kërkuam ne takim. Na thirrët. Ju falënderojmë. Jemi bërë, shoh në televizion, “pagat e pedagogëve”, na fyen, kemi turp të ecim rrugës. Na shohin njerëzit, “ore, këta paskan mbetur pa lekë”! Prandaj situata zoti Kryeministër është; ngërçi duhet të kalohet me zgjidhje ligjore.
Kryeministri Edi Rama: Më lejoni që të mos jem dakord me këtë pikë, të paktën për momentin. Unë e di shumë mirë atë nenin 7. E di shumë mirë edhe se, çfarë përgjegjësie ka Ministria dhe qeveria në momentin e papajtueshmërive që krijojnë ngërçe, por është, e përsëris, “extrem ratio” dhe duke qenë se mendoj, që, pavarësisht absurditetit përmes të cilit shfaqen këto papajtueshmëri, pavarësisht kalimeve në situata që, thashë, vetëm në Federatën e Mundjes i kam dëgjuar, ah po, kanë qenë dhe këto historitë e këtyre partive që i merrte vulën ai kryetari, kryetari tjetër, se, më kujtohet njëherë, s’po e përmend emrin, takova një kryetar nga këta të partive dhe i thashë, “si i mërzitur më dukesh”. “Ma vodhën partinë,” – tha, ia kishte marrë vulën ai dhe ky kishte ngel pa parti. Përveç këtyre, tani për një universitet këto janë të paimagjinueshme, por janë absurditete që lidhen me një fazë fillestare të zbatimit të reformës, pra, janë çështje mendësie dhe moskuptimi./Panorama