Analizë: Tajvani i vuri në zbatim në mënyrën më të mirë, mësimet e nxjerra nga lufta kundër pandemisë së SARS-it të vitit 2003 dhe këtë herë qeveria e tij dhe populli nuk u gjendën të papërgatitur.
Taipei, Tajvan – Teksa shtetet në të gjithë botën po luftojnë kundër koronavirusit, Tajvani mund të ofrojë mësime shumë të vlefshme mbi mënyrën se si të reduktohet përhapja e tij, shkruan për NCB news, Cindy Sui.
Ky ishull ndodhet vetëm 81 milje larg Kinës, aty ku COVID-19, mendohet se shpërtheu për herë të parë, në qytetin e Wuhanit. Duke qenë se virusi filloi të përhapej me ritme të larta në janar të 2020, një numër i madh biznesmenësh nga Tajvani së bashku me familjet e tyre u kthyen në Tajvan për të festuar aty Vitin e Ri Hënor së bashku edhe me mbi 2,000 turistë kinezë që e vizituan këtë ishull në ditë gjatë periudhës së festave, përhapja e virusit edhe në Tajvan u bë e pashmangshme.
E megjithatë, Tajvani ka vetëm 47 raste të infektuara me koronavirusin COVID-19 dhe vetëm 1 vdekje, shumë larg shifrave alarmante të Kinës me 80,754 raste të konfirmuara me këtë virus dhe 3,136 vdekje. Të dhënat e shënuara në Tajvan janë gjithashtu shumë herë më të ulëta edhe në krahasim me shtetet e tjera fqinje, si me atë të Koresë së Jugut, e cila ka regjistruar deri më tani mbi 7,500 raste dhe Japonisë me 530 raste. Ajo e ka përballuar këtë situatë shumë më mirë edhe se shtete të cilat ndodhen shumë larg Kinës, si Italia me mbi 9,000 raste dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mbi 700 të tilla.
Nga mbi 100 shtetet e prekura nga kjo pandemi, Tajvani ka shënuar numrin më të ulët/ për banor të personave të prekur, rreth 1 person në 500,000 njerëz, shifër kjo shumë e pabesueshme për një shtet që ndodhet kaq pranë Kinës dhe që ka shumë marrëdhënie tregtare me të. Cilat janë mësimet që Tajvani mund t’i mësojë botës mbi luftën lundër koronavirusit dhe mbi mënyrat si të gjithë shtetet e prekura mund të minimizojnë në maksimum përhapjen e tij?
Tregohuni të kujdesshëm në maksimum
Pjesërisht, sepse ai ndodhet shumë pranë Kinës dhe ka të njëjtën gjuhë me të, Tajvani u vu në dijeni pothuajse përpara çdo shteti tjetër mbi përhapjen e një “pandemie të rrezikshme”, e cila kishte shpërthyer në Wuhan. Por masat që mori ky shtet kufizuan në maksimum përhapjen e këtij virusi.
Më 31 dhjetor, në të njëjtën datë që Kina njoftoi Organizatën Botërore të Shëndetit se ajo po përballej me një sërë rastesh të prekura nga një pneumoni e panjohur, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Tajvan urdhëroi menjëherë mbajtjen nën vëzhgim të të gjithë personave që kishin ardhur nga Wuhani. Dhe pavarësisht marrëdhënieve jo shumë të mira me Pekinin, Tajvani pyeti dhe mori informacione për të dërguar një ekip ekspertësh në kryeqytetin kinez për të gjetur shkakun e virusit.
“Ata na lanë të vëzhgonim vetëm ato gjëra që për ta nuk përbënin problem, por ekspertët tanë vunë re se situata nuk ishte aspak optimiste”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë së Tajvanit, Kolas Yotaka për NBC News. Menjëherë pasi ekipi ynë i ekspertëve u kthye, Tajvani u kërkoi spitaleve që të regjistronin çdo rast të mundshëm dhe ta izolonin atë, duke raportuar menjëherë për to. Kjo i erdhi shumë në ndihmë qeverisë për të identifikuar rastet e infektuara, gjurmimin e personave me të cilët ata kishin pasur kontakt dhe më pas izolimin e cilitdo personi të përfshirë, duke e parandaluar përhapjen në masë të këtij virusi. Të gjitha masat u morën shumë përpara raportimit të rastit të parë të prekur me këtë virus, më 21 janar, dhe shumë përpara se e gjithë bota të alarmohej nga situata.
Krijoni një plan veprimi
Më 20 janar, Tajvani thirri Qendrën për Kontrollin Epidemik, gjë që i lejoi atij të merrte një sërë masash kontrolluese dhe parandaluese, sipas profesorit Jason Wang, nga departamenti i Politikave Shëndetësore në Stanford, i cili ka mbrojtur edhe doktoraturën në analizat politike.
“Tajvani nxori dhe zbatoi brenda një kohe të shkurtër një listë me 124 masa gjatë pesë javëve të kaluara, pra tre ose katër masa në ditë, për të mbrojtur shëndetin publik”, citoi z.Wang në një email të tij. Masat e ndërmarra e kapërcyen kontrollin kufitar, sepse ky shtet kuptoi se ato ishin të pamjaftueshme.
E drejtuar nga ministri i Shëndetësisë, Chen Shih-chung, Qendra e Kontrollit Epidemik, jo vetëm vëzhgon rastet e konfirmuara apo të dyshuara, por ajo bashkëpunon me ministritë e tjera dhe me qeveritë lokale për të koordinuar masat që duhen marrë në të gjithë Tajvanin, duke përfshirë këtu fondet, mobilizimin e personelit dhe dezinfektimin e shkollave dhe ambienteve të tjera.
Merrni vendime të prera dhe sa më shpejt të jetë e mundur
Tajvani mori brenda një kohe të shkurtër shumë vendime të rëndësishme. Më 26 janar, pesë ditë pasi ai konfirmoi rastin e tij të parë me koronavirus, Tajvani ndaloi çdo hyrje nga Wuhani, masë e cila u mor përpara çdo shteti tjetër. Brenda një kohe të shkurtër, ai veproi në të njëjtën mënyrë edhe ndaj fluturimeve nga qytete të ndryshme kineze, me përjashtim të pranimit në Tajvan të shtetasve me origjinë nga ky shtet.
Përdorni teknologjinë për të zbuluar dhe për të gjurmuar rastet e prekura
Pasi siguroi kufijtë e tij, Tajvani përdori teknologjinë për të luftuar virusin. Monitorët që shërbenin për të matur temperaturën dhe simptoma të tjera të koronavirusit ishin të vendosur në të gjithë aeroportet që në vitin 2003, periudhë kur shpërtheu virusi SARS.
Pasagjerët, nëpërmjet një kodi mund të raportojnë online historinë e tyre të udhëtimit dhe simptomat që kanë. Këto të dhëna i dërgohen në mënyrë direkte Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve në Tajvan. Ata pasagjerë që vinin nga zona të prekura viheshin në karantinë për një periudhë 14-ditore, edhe nëse ata nuk kishin asnjë shenjë të këtij virusi dhe kontrolloheshin nëpërmjet gjurmimit të vendndodhjes së tyre nëpërmjet telefonit të tyre celular. Mbyllja e gjurmimit të vendndodhjes, brenda kësaj periudhe karantinimi shoqërohet me një gjobë të lartë monetare.
Gjobat u aplikuan edhe për të gjithë ata persona që nuk i raportonin simptomat.
Një burrë, i cili nuk u tha autoriteteve se ai kishte simptoma pasi u kthye nga Wuhani dhe shkoi në një klub kërcimi, ditën tjetër pasi u zbulua, u gjobit me 10,000 dollarë amerikanë. Autoritetet në Tajvan gjurmuan brenda një kohe shumë të shkurtër se me cilët persona kishin qenë në kontakt ata që ishin konfirmuar si persona të prekur nga ky virus dhe i izoluan edhe ata brenda një kohe të shkurtër. “Ata patën sukses edhe në drejtim të ripërsëritjes së testeve, të cilat herën e parë kishin rezultuar negative”, tha z. Wang.
Siguroni disponueshmërinë e furnizimeve
Për të siguruar numrin e duhur të maskave në vend, qeveria ua ndaloi në mënyrë të menjëhershme fabrikave eksportimin e tyre, vendosi një sistem të caktuar në shpërndarjen e tyre, ndërkohë që çmimi mbeti në vetëm 16 cent për maskë. Ajo gjithashtu caktoi linja të reja prodhimi dhe dërgoi ushtarë si staf të fabrikave të ndryshme për të rritur në këtë mënyrë prodhimin. Këto maska shërbyen si mjeti që e ndihmoi popullsinë e Tajvanit për t’u mbrojtur dhe për t’u ndier më të sigurt dhe të mos i kaplonte paniku, siç ndodh në përgjithësi në këto situata.
Edukoni publikun
Qeveria u kërkoi stacioneve televizive dhe atyre radiofonike që të transmetonin lajmërime mbi mënyrën sesi ky virus përhapej, mbi rëndësinë e higjienës personale, sidomos mbi larjen e duarve dhe vendosjen e maskës. “Ne fillojmë të ndërgjegjësohemi vetëm atëherë kur informacioni përsëritet në mënyrë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha kur është shumë i qartë dhe i thjeshtë për t’u kuptuar nga publiku”, tha zëdhënësi i qeverisë, z.Kolas.
Rezidentët mësuan se shumica e pacientëve kishin simptoma të lehta ose aspak, kështu që norma e vdekjeve do të ishte më e ulët se ajo që ishte raportuar. Ata gjithashtu kuptuan se historia e udhëtimit të një personi ose kontaktet me persona të infektuar përcaktonin nivelin e riskut të tyre, jo kombësinë apo racën e tyre. Kuptimi i kësaj gjëje ndihmoi në minimizimin e diskriminimit.
Bashkëpunim ndërmjet palëve
Bashkëpunimi i banorëve me masat e rekomanduara nga qeveria ishte vendimtar në parandalimin e përhapjes së virusit, sidomos në mesin e nxënësve, tha drejtori i një shkolle, Tu Chen-yang. “Shumica e prindërve ua masin temperaturën fëmijëve në shtëpi dhe e raportojnë atë përpara se t’i sjellin në shkollë”, tha më tej z. Tu. Pavarësisht masave të rekomanduara nga qeveria, çdo qytetar duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tyre, gjë që do të ndikojnë padyshim në të mirë të shëndetit të tyre.
E njëjta praktikë u ndoq edhe në shumë institucione të ndryshme, si në rastin e atyre bankare, qendrave sportive, etj., të cilat kishin vendosur monitorë që masin temperaturën e të gjithë punonjësve që punonin aty apo të gjithë personave që hynin në këto godina, duke ndaluar të gjithë ata që shfaqnin shenja. Administratorët e pallateve vendosën sterilizues brenda dhe jashtë ashensorëve.
Mësoni nga e kaluara
Tajvani ishte në gjendje që të vinte në praktikë mësimet që ka nxjerrë nga përvojat e kaluara, si ajo e SARS-it në 2003, e cila u mori jetën 73 njerëzve dhe duke goditur ekonominë. Këtë herë, qeveria e Tajvanit dhe populli i tij ishin të përgatitur dhe pikërisht kjo gatishmëri e ndihmoi shumë këtë shtet.
Kolas tha se besonte se sistemi i shëndetësisë në vend, që përfshin 99% të popullsisë, ka qenë vendimtar në luftën kundër përhapjes së virusit. Sigurimi i shëndetit që ka çdo banor i Tajvanit u krijon atyre siguri dhe drejtimi në spitale nuk i tremb ata aspak sa u takon kostove që duhet të paguanin në rast se nuk do të ishin të përfshirë në një të tillë. Nëse dyshon se je i prekur me koronavirus, ti nuk ke pse të shqetësohesh nëse do t’i mbulosh apo jo kostot e spitalit”, tha Kolas, pergatiti Tema./