Çmimet në Shqipëri po rriten, edhe pse zyrtarisht nuk duken

Inflacioni bazë u rrit përsëri në muajin tetor dhe arriti nivelin më të lartë në dy vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë u rrit në 3.13%, nga 3.07% që kishte qenë për shtatorin. Inflacioni bazë gjithashtu ka thelluar rritjen me bazë vjetore. Në tetorin e vitit të kaluar, inflacioni bazë kishte qenë në nivelin 2.19%.

Inflacioni bazë përjashton kryesisht ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, produktet ushqimore dhe ato energjetike dhe ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për tetorin u rrit në 3.5%, nga 3.4% që kishte qenë për shtatorin dhe ngelet gjithashtu në rritje krahasuar me nivelin prej 2% të një viti më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin tetor u rrit në 3.36%, nga 3.28% që kishte qenë në muajin shtator.

Sipas INSTAT, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për tetorin ra në 2.3%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin shtator, por në rritje nga niveli prej 1.9% që kishte qenë një vit më parë.

Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, në pasqyrim të zgjerimit të aktivitetit ekonomik, kushteve të shtrënguara në tregun e punës, si dhe rritjes së çmimit të qirave.

Analiza e inflacionit sipas kategorive kryesore të shportës tregoi se çmimet e komponentëve më të qëndrueshëm të inflacionit ku përfshihen shërbimet, strehimi dhe mallrat e konsumit afatgjatë ishin kontribuuesit kryesore në formimin dhe rritjen e inflacionit total në tremujorin e tretë.

Në veçanti, kategoria e strehim-qirasë përjetoi një zgjerim të inflacioni dhe të kontributit përkatës në inflacionin total. Inflacioni mesatar i kësaj kategorie arriti në 5.8% gjatë tremujorit të tretë, duke qenë rreth trefishi i mesatares së 12 muajve paraardhës dhe rreth 2.5 herë më i

lartë se mesatarja e periudhës qershor 2021- qershor 2025. Kontributi i kësaj kategorie në inflacionin total u rrit në 0.8 pikë përqindjeje, nga 0.3 pikë përqindjeje mesatarisht për 12 muajt paraardhës.

Rritje graduale të inflacionit u shënuan edhe në nëngrupet e shërbimeve të lidhura kryesisht me turizmin, si ato të hotele-restorante-kafene, por edhe të shërbimeve të mirëmbajtjes së shtëpisë, arsimit, në pasqyrim të rritjes së kërkesës dhe të kostove të punës në sektorët e tjerë të shërbimeve etj.

Në të kundërt, presionet inflacioniste nga jashtë mbeten të dobëta, të kushtëzuara nga çmimet e ulëta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore pse inflacioni në total ngelet ende poshtë objektivit, pavarësisht forcimit të presioneve për rritjen e çmimeve nga ekonomia e brendshme./ Marrë nga Monitor.al

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.