Gazetat kryesore britanike kanë kryqëzuar udhëheqësin e ri laburist Jeremy Corbin, pas citimit qe ai i bëri ish-diktatorit komunist Enver Hoxha në një mbrëmje me rastin e Krishtlindjeve me aktivistë dhe zyrtarë të partisë së tij.
Corbin ka thënë se Hoxha ishte një “udhëheqës i ashpër” dhe citoi një pjesë nga fjalimi i tij në vitin 1967 ku ish-lideri komunist pati thënë se “ky vit do të jetë më i vështirë sesa viti i fundit”.
“The Guardian” e Londrës, në një shkrim të vetin thekson se “Corbin do të duhet të jetë shumë më i kujdesshëm. E para sepse ai dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të bien në të njëjtin kurth. Të citosh një dikator komunist mund të jetë e pafat. Por të citosh dy prej tyre është shumë”.
Ky incident pason një të ngjashëm, kur krahu i djathtë i tij, ministri i ri në hije i laburistëve për Ekonominë, John McDonnell, citoi një pjesë nga “Libri i vogël” i ish-udhëheqësit kinez, Mao Ce Dun, në një interpelancë për çështjen e buxhetit javë më parë, duke shkaktuar reagime dhe siklet në radhët e një pjese të deputetëve laburistë në Parlament.
“The Guardian” e Londres, i drejtohet udhëheqësit të opozitës britanike duke shkruar ndër të tjera se “shqiptarët kur vjen puna tek Enver Hoxha, nuk janë të gatshme për ironi”.
Autorja e shkrimit, një gazetare e revistes amerikane “The Nation”, e sapo kthyer nga Shqipëria, shkruan se: “Unë nuk dua të jetoj në një bote pa shakara transgresive. Por, une dua një të majtë, që ta tejkalojë romancën e saj me stalinizmin dhe t’i japë fund ngërdheshjes me vrasësit. Po ashtu, dua dhe keni nevojë urgjente për një Parti Laburiste të pjekur, funksionuese dhe efektive”, shkruhet në “The Guradian” të Londrës.
Edhe gazetat e tjera si “The Independent” apo “The Telegraph” shkruajnë për Enver Hoxhën dhe vrasjet gjatë kohës së sundimit të tij. Shtypi britanik shkruan se këto citime edhe nëse janë bërë me humor, ka gjasa të përdoren nga konservatorët në pushtet për ta cilësuar lidershipin e ri laburist si marksit-leninist. (TCH)