Dokumenti “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri–2015”, ishte objekt diskutimi në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës. Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë këtij komisioni kishin zgjedhur kapitullin mbi çështjet kushtetuese të Dokumentit Analitik në fokus të takimit konsultues ku ishin prezentë përveç studentëve dhe pedagogëve dhe përfaqësues nga grupet e interesit nga Vlora dhe Fieri. Situata dhe problematika në funksionimin e institucioneve kushtetuese në përgjithësi, si dhe atë të Gjykatës Kushtetuese, nevoja për përmirësim të performancës së tyre, të cilat përbëjnë një komponent të rëndësishëm në procesin reformues të drejtësisë shqiptare, ishin pjesë e diskutimeve nga të pranishmit.
Prezent në këtë takim rajonal konsultues, Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Nicholas Cannon vlerësoi reformën e nisur dhe rezultatet e saj deri më tani, por dhe duke inkurajuar vijimësi në plotësimin e objektivave në këtë proces. “Në zemër të gjyqësorit shqiptar është ngritur një klikë gjyqtarësh që veprojnë në grup, duke e përdorur sistemin gjyqësor për përfitime, duke blerë dhe shitur drejtësi. Korrupsioni në gjyqësor e bën të vështirë luftën ndaj kriminalitetit. Komisioni Europian ka identifikuar si pengesën numër një për progresin drejt Bashkimit Europian sistemin gjyqësor”.
Për ambasadorin britanik në Shqipëri, reformat e mirëfillta kanë fitues dhe humbës. “Ato janë gjithmonë të dhimbshme. Nëse nuk ka dhimbje dhe humbës, atëherë ajo nuk është reformë e mirëfilltë. Nëse reformat janë thjeshtë kozmetike dhe shërbejnë për të zëvendësuar një grup hajdutësh me një tjetër, publiku do të kuptojë, ndërkombëtarët do të kuptojnë dhe ata do të dinë kë të fajësojnë. Tani duhet të planifikojmë humbjen e tyre me mbështetjen dhe ekspertizën sa më të gjerë. Pastaj ata duhet të operojnë me kujdes dhe me guxim duke larguar elementin toksik nga sistemi duke shkaktuar sa më pak dëme të jetë i mundur. Është e rëndësishme për Shqipërinë që ky proces të shkojë mirë”, theksoi mes të tjerave në ndërhyjen e tij z. Cannon.
Për drejtorin ekzekutiv të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, z. Andi Dobrushi, përmes paanshmërisë dhe transparencës mund të kapërcehen problemet e ndryshimeve kushtetuese në vend, ndërkohë që ka theksuar nevojën për të realizuar një reformë të plotë në sistemin e drejtësisë. “Benefiti i kësaj reforme, arsyeja kryesore e kësaj reforme janë qytetarët në Shqipëri. Rëndësia që ata të marrin një shërbim të drejtë, të marrin shërbim të shpejtë nga gjyqësori dhe mbi të gjitha ata të marrin një shërbim të ndershëm, për ta shndërruar emrin e gjyqtarit dhe për t’i sjellë dinjitetin dhe emrin gjyqtarit, atë që ai e meriton dhe që e ka humbur në këto vite të tranzicionit”.
Dobrushi ka vlerësuar hapat në procesin e Reformës dhe veçanërisht, fazën në të cilën ndodhet aktualisht, atë të konsultimit publik. Ai ka falenderuar z. Fatmir Xhafaj për angazhimin tepër serioz dhe të përditshëm dhe gjithë grupin e Kuvendit në bashkëpunim dhe me stafin e Fondacionit Soros, “për punën mjaft produktive të bërë, që është dhe një nga analizat më të shkëlqyera të bëra nga ekspertët shqiptarë në bashkëpunim të ngushtë dhe me dhe me ekspertët e huaj. Pas 25 vitesh ne kemi akumuluar mjaftueshëm njohuri, ekspertizë, përvojë dhe mbi të gjitha ndershmëri dhe integritetm për t’i thënë JO fenomeneve me të cilat qytetari ndeshet çdo ditë”.
Nga organizatorët e takimit konsultues u bë ftesë për të gjithë të pranishmit që të bashkëpunojnë në kuadër të Reformës në Drejtësi, duke dhënë mendime, sugjerime dhe propozime konkrete për secilin nga kapitujt e Dokumentit Analitik, që është i publikuar prej kohësh në website-in: www.reformanedrejtesi.al. Përmes kontakteve të drejtëpërdrejta, apo në komunikim virtual me anëtarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, gjithëkush mund të japë kontribut konkret në këtë proces të rëndësishëm.
Faza e konsultimeve publike, sipas kalendarit që është miratuar, do të vijojë dhe në qendra të tjera universitare të vendit, si në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, në Universitetin e Tiranës në kryeqytet dhe në Universitetin jopublik “Nehemia” në Pogradec.