Bushati: Azilkërkuesit, sfidë e përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka deklaruar në një interviste për ‘Deutsche Welle’, gjatë pjesmarrjes në Samitin e Vjenës se, “njerëzit kërkojnë mundësi më të mira ekonomike ndaj dhe po largohen drejt Europës Perëndimore.
I pyetur pse ikin shqiptarët drejt Gjermanisë, shefi i diplomacisë shqiptare u përgjigj se, “ky është një fenomen që ndodh në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra është një sfidë e përbashkët dhe ne po përpiqemi ta adresojmë këtë çështje bashkë me autoritetet gjermane dhe vende të tjera të BE-së, si dhe vendet e Ballkanit që janë prekur nga ky fenomen.
Së dyti, vijoi Bushati, “sipas vlerësimeve tona këtu përballemi me familje që kërkojnë mundësi ekonomike të cilat ofrojnë vendet e Europës Perëndimore dhe në mënyrë më specifike nga Gjermania. Së treti ka edhe njerëz që keqorientohen dhe kërkojnë të përfitojnë nga procedurat e azilit që ekzistojnë në disa vende europiane”.
Lidhur me atë që mund të bëhet për të parandaluar shqiptarët të ikin drejt Europës, Bushati theksoi se, “ky nuk është një fenomen që vazhdon prej vitesh. Po përballemi me këtë fenomen veçanërisht këtë vit. Sipas të dhënave dhe statistikave tona, mes tyre ka edhe shqiptarë të cilët kanë jetuar në Greqi që kërkojnë të shkojnë në Gjermani për shkak të krizës greke. Gjithashtu po përballemi edhe me një krizë të emigrantëve që po zhvendoset nga vendet e BE-së, si Greqia drejt vendeve jo anëtare si Maqedonia. Ne po bashkëpunojmë me autoritetet gjermane dhe bashkëpunimi ne nivel policor dhe të agjencive ligjzbatuese ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Po punojmë gjithashtu me autoritetet gjermane që ti kualifikojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si vende të origjinës së sigurt pasi në vendet tona nuk presion politik dhe në të gjithë rajonin mbizotëron qëndrimi se të gjithë njerëzit që largohen kërkojnë mundësi më të mira ekonomike dhe jo politike. Kemi gjithashtu një bashkëpunim ekonomik dhe sa i takon kohezionit social por duhet ti rrisim këto dy elementë të rëndësishëm në mënyrë që ta bëjmë rajonin një vend më të jetueshëm në terma ekonomik”.
Bushati: Rrjet transporti për lidhjen e kryeqyteteve të Ballkanit
Samiti i Vjenës dhe njëvjetori i fillimit të iniciativës së kancelares së Gjermanisë për vendet e rajonit është top temë në mjediset politike dhe mediatike në Shqipëri, si reflektim dhe i pritmërieve të opinionit publik. Samiti duket dhe si një rast për bilancet e arritjeve dhe mosarritjeve nga procesi i integrimit rajonal si prelud për ambicien, që kanë shtetet aspirante për shtyrjen përpara të ëndrrës për integrim europian.
Duke folur për Deutsche Welle-n Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati, shfaq opinionin se Konferenca e Berlinit ka vënë në lëvizje një proces, i cili synon të gjenerojë përfitime të prekshme për qytetarët e vendeve të rajonit nga procesi i integrimit europian. Duke bërë një bilanc njëvjetor, shefi i diplomacisë shqiptare kujton se në arritjen e këtij synimi janë zhvilluar një sërë takimesh të kryeministrave, ministrave të punëve të jashtme, të atyre të Energjisë, Transportit dhe Ekonomisë, si dhe janë ndërmarrë hapa domethënës në të paktën tri prej fushave të adresuara si prioritare nga Konferenca e vitit të kaluar në Berlin: kontaktet mes qytetarëve, bashkëpunimi rinor, dhe afrimi mes vendeve, me synim forcimin e klimës së bashkëpunimit dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura politike të natyrës dypalëshe.
Përqendrimi i investimeve në projekte kyçe
“Pas më shumë se gjashtë dekadash kemi shkëmbimin e parë të vizitave në nivel kryeministrash mes Shqipërisë dhe Serbisë, po ashtu vetëm brenda 2015-ës kemi një seri vizitash të udhëheqësve më të lartë shtetërore të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë vizituar Shqipërinë. Jam i sigurtë që ky është një proces, i cili do të zgjasë përtej kohëzgjatjes së vet Procesit të Berlinit. Sa i përket, forcimit të ndërlidhjes dhe përmirësimit të infrastrukturës në vendet tona: në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian, gjatë këtyre takimeve që nga gushti i vitit të kaluar, kemi rënë dakord mbi modalitetet për ta shtrirë në rajonin tonë Rrjetin e Transportit Trans-Europian (TEN-T), duke caktuar hartën e një rrjeti bazë rajonal i cili do të lidhë kryeqytetet e rajonit, qendrat ekonomike dhe portet kryesore. E njëjta metodologji është ndjekur për të planifikuar hapat për ndërlidhjen energjeike, duke u bazuar në rrjetin Trans-Europian të Energjisë (TEN-E) dhe në arritjet e Komunitetit ë Energjisë”.
Për ministrin Bushati kjo punë përgatitore, së bashku me nxitjen politike që jep Konferenca e Vjenës, do të lejojë që të përqendrohen investimet në projekte kyçe, të cilët ndërlidhin ekonomikisht Ballkanin Perëndimor dhe e transformojnë atë në një rajon të mirëfilltë ekonomik. Ai përmend projektet me rëndësi për Shqipërinë, të cilat u përfshinë në rrjetin bazë të transportit siç janë janë korridori Adriatiko-Jonian, korridori Nish-Prishtinë-Durrës dhe specifikisht segmenti Durrës-Hani i Hotit; korridori VIII dhe specifikisht Korridori Perëndim-Lindje, i cili ka marrë dhe dakortësinë e BE-së; Porti i Durrësit dhe Aeroporti “Nënë Tereza”. Për sa i takon infrastrukturës energjetike, linja e interkonjeksionit 400 kV që lidh Shqipërinë me Maqedoninë është përfshirë në listën e projekteve prioritare që do të përfitojnë në kuadër të IPA 2015.
Përvoja e suksesshme e zyrës rinore Franko-Gjermane
“Një ndër objektivat e tjera të Konferencës së Berlinit ka qenë edhe forcimi i bashkëpunimit rinor mes vendeve të rajonit. Në Vjenë, dy kryeministrat Rama dhe Vuçiç do të nënshkruajnë një deklaratëtë përbashkët, me të cilën u pajtuan të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Synimi është që nëpërmjet kësaj zyre dhe degëve të saj në të gjitha kryeqytetet e rajonit, si dhe nëpërmjet asistencës së BE, t’u krijohen mundësi të rinjve tanë për lëvizje, studime, trainime profesional e punësim. Në këtë drejtim ka shërbyer përvoja e suksesshme e zyrës rinore Franko-Gjermane. Por ne e shohim të rëndësishme kontekstualizimin e kësaj përvoje të vyer të pajtimit dhe vendosjes së dialogut mes të rinjve evropianë, në kontekstin e të rinjve të Ballkanit” thotë për ‘Deutsche Welle’ ministri Ditmir Bushati.
Sipas tij të rinjtë e rajonit, dialogu civil, pajtimi dhe bashkëpunimi afatgjaë duhet të vijnë nëpërmjet shkëbimeve kulturore, aktivizmit të përbashkët qytetar, mobilitetit të studimeve dhe atij professional, mundësive të punësimit në sektorë prioritarë të ekonomive tona, krijimit të aftësive teknike e profesionale etj. Po ashtu, është e rëndësishme që të rinjtë të krijojnë kapacitete për të plikuar për fondet e BE-së në kërkim, inovacion dhe arsim të lartë.
Sa i takon pritshmërive të mnistrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë për Samitin e Vjenës ai është shprehur se për të realizuar ndërlidhjen mes vendeve të rajonit duhet pasur parasysh hapësira e limituar buxhetore. Bushati përmend se që nga kriza financiare, buxhetet e vendeve të rajonit janë përqendruar kryesisht në stabilizimin ekonomik të vendit dhe pak është lënë për nisjen e projekteve të reja, në veçanti të atyre rajonale.
“Prandaj, rrjeti bazë rajonal i transportit dhe ndërlidhjet energjeike bëhen të mundshme vetëm nëse ato çojnë në përcaktimin e investimeve prioritare që do të formojnë një paketë për rritjen ekonomike në rajonin tonë – një paketë që do të kërkojë rritjen e mbështetjes financiare për vendet tona. Në këtë kontekst, do të kërkojmë përshpejtimin e projektit të Korridorit Adriatiko-Jonian dhe mbështetje në implementimin e projektit IAP në mënyrë që të shohim rezultate konkrete nga Samiti i Vjenës në atë të Parisit, 2016. Po ashtu, do të kërkojmë që BE të ketë një strategji rajonale për investimet në fushën e energjisë në rajon në bashkëpunim me SHBA, duke qenë se kjo tematikë do të jetë dhe një nga shtyllat e kryesisë franceze të Procesit të Berlinit në vitin që vjen”, ka thënë Bushati.
Ministri Ditmir Bushati është i bindur se vendet e rajonit do të rikonfirmojnë vullnetin për të adresuar pa vonesë të gjitha masat që kanë të bëjnë me çështje rregullatore, si riorganizmi i procedurave të kalimit kufitar, të cilat siç thotë ai “mund të sjellin përfitime të menjëhershme dhe me kosto të arsyeshme për sa i përket ndërlidhjes për 6 vendet e Ballkanit. Nga adresimi i këtyre masave do të përfitojnë si bizneset e rajonit, ashtu dhe qytetarët e thjeshtë”.