• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, December 24, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Borrell flet pas vizitës në Tiranë: Brenda vitit çelen kapitujt e parë të negociatave

by A R
16/03/2023 21:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian, Josep Borrell pati mundësi të jepte një intervistë për Tv Klan.

Borrell garanton se brenda pak javësh përfundon procesi screening dhe me siguri thotë se brenda këtij viti Shqipëria do të negociojë për kapitujt e parë me BE-në, kapituj që kanë lidhje me drejtësinë dhe sigurinë.

Për zhvillimet politike në vend nuk pranon të flasë, por sa i takon zgjedhjeve ai mendon se padyshim ato duhet të plotësojnë standardet për t’u certifikuar.

Përfaqësuesi i Lartë i KE mohon se mbështetja financiare për Serbinë është më e madhe se ajo për vendin tonë dhe këtë e mbështet në shifra.

Elja Zotka: Shumë faleminderit që pranuat të bëjmë këtë intervistë së bashku dhe pse koha është shumë e shkurtër. Ju dhatë disa përgjigje në konferencën për shtyp, por besoj se ka ende çështje për të cilat mund të jepni një përgjigje për publikun shqiptar. Pyetja e parë lidhet me procesin e integrimit. Ju nuk mund të jepni sigurisht një datë se kur Shqipëria mund të anëtarësohet përfundimisht, ama, ju mund të jepni një përgjigje besoj se kur mund t’i hapë kapitujt e parë Shqipëria? Si e shikoni ecurinë e procesit screening?

Josep Borrell: Është e qartë se vendimi për hapjen e negociatave që u mor Korrikun e kaluar i ka dhënë një vrull dhe shtysë të re procesit të anëtarësimit. Tani është procesi i shqyrtimit, i cili përpiqet të identifikojë se cilat janë fushat specifike politike nga ku duhet të nisë puna. Është çështje ditësh apo javësh, shumë shpejt, kur ky proces shqyrtimi do të përfundojë dhe shtetet anëtare do të vendosin se nga cilët kapituj, ne i quajmë kapituj, apo fusha politike do të nisë negocimi.

Elja Zotka: Brenda këtij viti?

Josep Borrell: Me siguri.

Elja Zotka: Sigurisht që ju e thatë qartë në konferencën për shtyp që nuk doni që të komentoni zhvillimet politike në vendin tonë, por unë dua t’ju pyes, a është i shqetësuar Brukseli se pikërisht kjo situatë që po kalon partia më e madhe në opozitë, e bën demokracinë në Shqipëri më të brishtë?

Josep Borrell: Shikoni, ju e kuptoni që ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur u duhet të komentojnë për dimensione apo procese të brendshme politike, veçanërisht sa i takon dimensionit ligjor. Shpresoj, dhe jam i sigurt, se Shqipëria ka kapacitetet dhe burimet për t’i zhvilluar zgjedhjet e ardhshme në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Elja Zotka: Bashkimi Europian është një nga financuesit më të mëdhenj të Reformës në Drejtësi. Edhe në konferencën për shtyp u përmend, rezultatet që ka dhënë, eksponentë të lartë të lidhur me pushtetin tashmë janë para drejtësisë, por unë doja të dija, në fakt me një sërë akuzash që ka opozita në Shqipëri, e akuzon SPAK-un, që është një strukturë e posaçme për hetimin e zyrtarëve të lartë, që është i diktuar nga kryeministri Rama. Po ashtu një akuzë e tillë vjen edhe për gjyqësorin, po nga opozita se është i ndikuar dhe këtë e ka treguar edhe në vendimmarrjen për çështjen e brendshme për partinë më të madhe opozitare në vend, për PD?

Josep Borrell: Ajo që mund t’ju them është se në fushën e drejtësisë Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer. Gjithçka që lidhet me Reformën në Drejtësi po përparon me shpejtësi dhe mirë. Ky është një nga kapitujt e reformave ku Shqipëria ka arritur rezultate shumë të mira. Nuk di për raste specifike, por përgjithësisht Reforma në Drejtësi, pavarësia e gjyqësorit është njëra nga fushat ku Shqipëria po ecën shumë mirë.

Elja Zotka: Janë edhe dy çështje të tjera që pak a shumë u prekën në deklaratat tuaja me kryeministrin. Kryeministri ju dha garanci se nuk do të avancohet me projektin e pasaportave të arta, ndërkohë që ju falenderoi për rekomandimet që Zyra e BE-së në Tiranë ka dhënë për amnistinë fiskale dhe penale. Unë doja të dija, nëse qeveria shqiptare, deri tani zoti Rama deklaroi se ka reflektuar mbi këto rekomandime dhe janë marrë parasysh, nëse do të ketë një draft, i cili nuk do të marrë miratimin e BE-së dhe qeveria do të avancojë me draftin e saj të amnistisë fiskale. Kush do të jetë qëndrimi i Bashkimit Europian?

Josep Borrell: Dëgjuam nga kryeministri se e ka braktisur përfundimisht çështjen e pasaportave të arta, diçka që ne si Bashkim Evropian e këshilluam të mos vazhdonte ta bënte. Disa shtete anëtare e kanë bërë, por ne e kemi konsideruar këtë si një praktikë që nuk duhet vazhduar dhe jemi të lumtur të mësojmë se Shqipëria nuk do ta bëjë një gjë të tillë që është bërë në shtete anëtare më parë. Ndërsa në lidhje me amnistinë fiskale dhe procedurën fiskale, unë kam qenë Sekretar Shteti për taksat në Spanjë dhe e njoh, e di që është diçka që shfaqet herë pas here dhe ne mendojmë se kjo praktikë duhet trajtuar me shumë kujdes. Kemi biseduar me autoritetet shqiptare me qëllim për të shqyrtuar pse dhe si mund të zbatohet kjo gjë. Shpresojmë që çfarëdo vendimi që të merret do të jetë në përputhje me praktikat tona dhe veçanërisht në përputhje me rregullat ndërkombëtare që kontrollojnë këto lloj procedurash. Është shumë sensitive dhe shpresojmë që gjithçka të bëhet në përputhje të madhe me mënyrën se si e kuptojmë ne këtë.

Elja Zotka: Pyetja e fundit. Ka një perceptim të përgjithshëm të publikut shqiptar që Brukseli samitet i bën në Tiranë, siç bëri samitin e fundit në Dhjetor, por financat i çon në Beograd, i çon në Serbi. A ka një diferencë të mbështetjes financiare të BE-së në raport mes Shqipërisë dhe Serbisë? Janë më të prirur që të mbështesin më shumë projekte në Beograd sesa në Tiranë…

Josep Borrell: Shikoni, nëse i njoh mirë shifrat, po i përgjigjem kësaj pyetje përmendësh. Në vitin 2007 shuma e mbështetjes financiare për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian ka qenë rreth 1.5 miliardë. Pra, ne jemi deri tani mbështetësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Dhe në këto kohëra të vështira kur pasojat e tronditjes nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i prekin të gjithë në mbarë botën, veçanërisht Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në fushën e energjisë, ne po i ofrojmë një mbështetje të madhe Shqipërisë. Pikërisht sot njoftuam se janë premtuar 19 milionë Euro dhe më shumë do të pasojnë. Prandaj mendoj se Bashkimi Evropian duhet njohur si mbështetësi më i fuqishëm financiar i Shqipërisë që prej shumë vitesh.

/a.r

Next Post
Sherr masiv me gurë dhe shkopinj mes fqinjëve për parkimin, 14 të plagosur

Sherr masiv me gurë dhe shkopinj mes fqinjëve për parkimin, 14 të plagosur

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Kuptova shpejt se nuk kishe kohë të duhur”, supermodelja ndan betejën e heshtur për shëndetin

“Kuptova shpejt se nuk kishe kohë të duhur”, supermodelja ndan betejën e heshtur për shëndetin

December 23, 2025
“E rëndë ta dish fituesin para zgjedhjeve”, Sulo: Pas 11 Majit dolën “pazaret e darkës”…

“E rëndë ta dish fituesin para zgjedhjeve”, Sulo: Pas 11 Majit dolën “pazaret e darkës”…

December 23, 2025
“Shiko si shtyn Garda”, Korreshi sqaron skenën virale në rrjet nga Kuvendi

“Shiko si shtyn Garda”, Korreshi sqaron skenën virale në rrjet nga Kuvendi

December 23, 2025
Noka sulmon Salianjin: U vetëpërjashtua që kur u ul me Ergys Agasin, Suel Çelën dhe Ben Qimen

Noka sulmon Salianjin: U vetëpërjashtua që kur u ul me Ergys Agasin, Suel Çelën dhe Ben Qimen

December 23, 2025
Avioni u zhduk nga radarët dhe u rrëzua, humbin jetën shefi i ushtrisë dhe katër të tjerë

Avioni u zhduk nga radarët dhe u rrëzua, humbin jetën shefi i ushtrisë dhe katër të tjerë

December 23, 2025
Vangjeli: Benet Beci ka ofertë 50 milionë € për Shkodrën me projekte që do financohen nga qeveria

Vangjeli: Opozita gaboi me djegien e mandateve, ishte “atentat kamikaz” ndaj vetes

December 23, 2025
Evropa e së keqes (përgjigje për atë që mund të ndodhë në Shqipëri)

“Harruan Kosovën e Çamërinë”/ Xhufi tregon marrëveshjen e Ballit me Greqinë: Është firma e Mit’hat Frashërit

December 23, 2025
“Guri i rëndë në vend të vet”, Parashqevi Simaku merr titullin “Qytetare Nderi”: Akoma jam kavajase!

“Guri i rëndë në vend të vet”, Parashqevi Simaku merr titullin “Qytetare Nderi”: Akoma jam kavajase!

December 23, 2025
“E kanë lënë me deklaratë”/ Dhunon gruan në sy të fëmijëve, gjyshërit ndalojnë nënën t’i takojë

“E kanë lënë me deklaratë”/ Dhunon gruan në sy të fëmijëve, gjyshërit ndalojnë nënën t’i takojë

December 23, 2025
Historiani Kasmi publikon dokumentet: Ja si Xhafer Deva bashkëpunoi me serbët për të ndihmuar gjermanët!

Si u krijua PKSH?/ Kasmi: Një arsye urrejtja, ndaj Zogut. Për të rinjtë komunizmi ishte trend

December 23, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com