Në një interviste për Ora News, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se vetëm një qeveri teknike dhe zgjedhjet e parakohshme, mund ta nxjerrin vendin nga kriza sociale dhe ekonomike që është zhytur vendi. Ai tha se për të arritur këtë qëllim, Partia Demokratike, do t’u prijë protestave popullore dhe mosbindjes civile, pa përjashtuar skenarin për të bllokuar institucionet që akuzohen për korrupsion.
Kryetari i Partisë Demokratike, pranoi se ndërkombëtarët ishin skeptik mbi sinqeritetin e Partisë Demokratike, për Reformën në Drejtësi, por sipas tij opinion i Venecias faktoi vizionin e qartë të opozitës për këtë kryereformë.
Basha, tha se Partia Demorkatike do marr pjesë në komsionin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por duke theksuar se më shumë se sistemi i rëndësishëm është vullneti poltik për zgjedhje të lira, pasi siaps tij zgjedhjet vendore dëshmuan se mazhoranca manipulimin e ka synim.
Intervista e plotë
Everest Dedaj: Z.Basha prej 8 dhjetorit Partia Demokratike ka nisur një stinë protestash të cilat sipas jush do të përfundojë vetëm me krjimin e një qeverie teknike që hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Realisht besoni në zgjedhje të parakohshme apo është thjesht një retorikë politike, pasi me shumë gjasa është shumë e vështirë që të arrihet ky vendim politik?
Lulzim Basha: I njejti skepticizëm i pranueshëm, i kuptueshëm deri diku u shpreh edhe kur unë dhe PD lançuam dekriminalizimin si kushtin e rikthimit tonë në Parlament. Një vit më parë u nënshkrua marrëveshja duke hapur rrugë, një vit me vonesë, më mirë vonë se kurrë, miratimit të paketës më të ashpër në Europë për përjashtimin e kriminelëve nga garimi dhe emërimi në zyra publike, si dhe largimin dhe prerjen e mandatit të atyre që tashmë janë infilturuar me bekimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës në Parlament, në qeveri, në administratën publike.
Afro një vit më parë e deri para disa ditësh mazhoranca nisi një kryqëzatë stigmatizimi dhe tërheqje vëmendje nga problematika e thellë e korrupsionit që ka përfshirë të dy krerët e kësaj mazhorance, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta të cilët çdo dy muaj janë nën akuza për skandale megamilionë eurosh siç është CEZ-DIA, siç janë shumë e shumë denoncime me fakte dhe shifra që burojnë nga vetë qeverisja. Dhe ky ishte stigmatizimi për një reformë, reformën në drejtësi, që ata e deshën dhe ne nuk e donim.
Sot është e qartë se reformën në drejtësi, reformën e vërtetë në drejtësi që lufton korrupsionin por që shmang kapjen e drejtësisë nga ata që duhet të përgjigjen para drejtësisë, që janë vendimmarrësit e në veçanti ekzekutivi që ka në dorë milionat e shqiptarëve, reformën e duhur për drejtësinë, konceptin, vizionin e duhur për drejtësinë e kishte dhe e ka PD. Këtë e konfirmoi edhe opinioni i Komisionit të Venecias.
Pra, mund të them se në dy raste të qarta për opinionin publik ajo çfarë ne kemi thënë është dëshmuar jo si retorikë por si largpamësi, si domosdoshmëri që i hap rrugë proceseve historike jo për PD, jo për opozitën por për vendin, për shqiptarët pa dallim bindjesh politike.
Ndaj kur kam artikuluar kërkesën për qeveri teknike që ti paraprijë zgjedhjeve të parakohshme sigurisht është një kërkesë e menduar mirë, e shoshitur, e rrafur në debatin e brendshëm të PD dhe nuk vjen as ti tek e PD, as si retorikë politike por si zgjidhje për situatën në të cilën gjendet vendi sot.
PD e ka këtë detyrim para qytetarëve shqiptarë, e ka këtë detyrim jo vetëm para militantëve, simpatizantëve, votuesve të saj por edhe para socialistëve sepse ne jemi opozita e vendit. Oferta jonë për një zgjidhje politike të krizës së rëndë politike, ekonomike, shoqërore dhe psikologjike që ka pllakosur Shqipërinë, krizës së besimit, krizës së shpresës është oferta e rikthimit tek qytetarët,me programe konkurruese, me ide dhe për t’i lënë qyetarëve edhe një herë të zgjedhin lirisht pa kërcënime, pa mashtrime, pa shit-blerje votash, pa dajak, e pa kërbaç ofertën më të mirë, atë që ata gjykojnë si ofertën më të mirë. Ta zgjedhin atë lirisht për të hapur rrugë një qeverisje e cila vjen me programe reale, jo me mashtrime, vjen me përgjegjësi të drejtpërdrejtë para qyterarëve dhe nuk i shmanget asaj, me vetëdijën se çfarë i ndodh një qeverie të papërgjegjshmë që premton hënën dhe nuk arrin dot të realizojë as nevojat më minimale as të shoqërisë, as të vendit.
Everest Dedaj: Kur themi retorik z.Basha kjo përforcohet më shumë pasi themi se Shqipëria ka njohur qeveri teknike vetëm në kohë krizash. Realisht jemi në situatë të tillë sa të kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme? Se zgjedhje të parakohshme kërkon çdo opozitë por qeveri teknike të paktën në historinë e Shqipërisë ka vetëm në kohë krizash?
Lulzim Basha: Ky është momenti për të bërë bilancet e këtij viti që po kalon në tërësinë e dy vite e gjysëm të mandatit të mazhorancës qeverisëse Rama-Meta. Ku jemi sot? Ku janë sot shqiptarët? Dhe bilanci është një bilanc i hidhur.
73 mijë kryefamiljarë kanë dy muaj që nuk shkojnë në mëngjes të hapin qepenat e dyqaneve të tyre prej keqqeverisjes, prej politikës së kërbaçit, prej aksionit të ashtëquajtur informal por në fakt ishte aksioni terrorizues i qeverisë ndaj bizneseve dhe sipërmarrjes së vogël.
100 mijë shqiptarë kanë lënë vendin dhe dergjen sot në kampet e refugjatëve në Gjermani, në Holandë, në Suedi, anembanë Europës.
200 mijë të tjerë e kanë konkretizuar dëshirën e tyre për t’u larguar nga vendi duke mbushur formularët për “Green Card”, pra Lotarinë Amerikane.
Tkurrja e konsumit konfirmohet si nga raportet e Bankës së Shqipërisë, po kështu nga raportet ndërkombëtare, të dhënat e ministrisë së Financave, qeverisë shqiptare, INSTAT-it që është nën kontroll të Edi Ramës.
Rënia e fuqisë blerëse të shqiptarëve, pra rënia e konsumit është një efekt i drejtpërdrejtë i politikave të gabuara ekonomike të kësaj qeverie që prej ditës së parë por edhe një skeme të madhe korrupsioni që paratë që duhet të jenë në duart e konsumatorëve për të siguruar për të blerë bukën e tyre të përditshme, zarzavate për fëmijët, shërbimet e domosdoshme, paratë që duhet të shkojnë për të ndërtuar shkolla të reja, spitale, ujësjellës, ura, rrugë i kanë vjedhur me një ritëm marramendës.
Shifra e vjedhjes e kombinuar 400 milionë dollarë në doganat shqiptare, sipas të dhënave të qeverisë shqiptare dhe 777 milionë euro dëm ekonomik për shkak të prokurimeve të drejtpërdrejtë dhe prokurimeve ku gjithmonë favorizohen fëmijët, miqtë, tarafi, ortakët e Edi Ramës dhe ministrave të tij. Të gjitha këto janë shkaqe se përse në Shqipëri sot ka më pak vende pune, më shumë shpunësim, taksa më të larta, më pak shpresë, një ekonomi në rrënim dhe shqiptarë në largim apo me kërkesën për tu larguar nga vendi i tyre.
Kjo është situata dhe padyshim shkaktare e kësaj situate në radhë të parë është një qeverisje dritëshkurtër, pa program, pa vizion, pa zgjidhje e aq më pak me plan për të zhvilluar vendin, për t’i dhënë vendit rritjen ekonomike që e ka të domosdoshme për të siguruar punë, për të rinjtë që duan dhe kërkojnë punë, pasi vonon arsimi i tyre. Mungesa e vizionit në tërësi është dështim i një qeverisje, është dështim i kësaj qeverisje. Por nuk është vetëm mungesa e vizionit, por dhe fakti që braktisen premtimet e tyre dhe sot ne nuk i dëgjojmë t’i përmendin, kanë hequr dorë edhe ti përmendin, kjo tregon që është një qeveri që nisi me mashtrime dhe mashtrimi ishte baza e dështimit.
Kjo do të mjaftonte për të kërkuar largimin e qeverisë, por nuk mjafton vetëm kaq. Shkaku i vërtetë i krizës ekonomike, fakti që është dyfishuar mjerimi, varfëria, ifakti që ka shumë më pak besim në ekonomi, shumë më pak kreditim, pra shumë më pak punësim, ka rënie pagash në vend që të kishte rritje pagash, është hajdutëria, jo korrupsioni por hajdutëria e hapur e përqendruar në duart e një grushti njerëzish. Jo drejtorë anonim, por një grusht njerëzish po vjedhin sot qindra milionë euro taksa të shqiptarëve në dogana, në prokurime të drejtpërdrejta, në koncensione. Kjo do të mjaftonte për ta shporrur këtë qeveri një orë e më parë por edhe kjo nuk është mjaftueshëm.
Qeveria jo vetëm që është zhytur në korrupsion, Edi Rama ka bekuar tenderat qindra milionë euro siç është tenderi i Vilma Nushit përpër check-up i cili nuk kryhet, por bëhet në mënyrë fiktive dhe për të cilin duhet të ketë një hetim të plotë dhe të thellë nga prokuroria për ti vënë para përgjegjësisë këta hajdutë me çizme që vjedhin çdo muaj 1 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve.
Tendera të tjerë siç është ai i sterilizimit për të cilin shteti ka investuar një herë dhe tani investon përsëri duke i dhënë para një kompanie me një pronar, një murator në Bolonja të cilin as ministri i Shëndetësisë, as kryeministri nuk e njeh por kanë bërë fotografi në kohë fushate.
Të një qeverie ku në kohën ku kryefamiljarët shpeshherë drejtohen drejt vetëflijimit sepse nuk u dalin dot përpara fëmijëve të tyre, natën porosit 40 “Jaguar” me prokurim të drejtpërdrejtë tek ndërtuesi i vilës së kryeministrit dhe pasi ndodh e gjitha kjo për ti vënë kapakun, ndalojnë apo pamundësojnë hetimin duke i dhënë vetes privilegje mbi ligjin dhe sipër ligjit, siç ishte rasti i ndalimit me ligj i megaaferës së CEZ, 600 milionë euro. Siç është rasti i Samir Tahirit, i cili në televizion ka rrëfyer para qytetarëve se ka thyer Kodin Penal, neni 352 duke ndaluar zbatimin e një vendimi gjykate, nen i cili parashikon dënim me burg deri në 7 vjet. Ka rrëfyer para shqiptarëve se ka shitur makinën e tij luksoze pa kupon, pa paguar TVSH, pa paguar asnjë taksë. Është i njëjti ministër që turr banditët e tij për t’iu marrë shpirtin fshatarëve që shesin një kile qep apo një kile kripë, për të shkatërruar kundër ligjit banesat e qytetarëve, për të shkëputur me dhunë poçin e ndriçimit për familje me 5-6 fëmijë të vegjël të cilët të nesërmen duhet të shkojnë në shkollë. Ky është ministri i cili mburret dhe me të cilin krenohet Edi Rama sepse ka shkelur dhe shkel ligjin. Jo thjesht bazuar në atë që ka pohuar para qytetarëve por edhe në atë të cilën është kapur me presh në duar nga vetë oficerët e tij të policisë vënien e mjeteve të tij personale në shërbim të trafikantëve të drogës, kushërinjve të tij Habilaj që është një fakt më shumë në kurrikulimin e ministrit të Brendshëm. Pse ndalem tek ministri i Brendshëm? Sepse është njeriu që duhet të garantojë rendin dhe sigurinë, është njeriu që duhet të zbatojë ligjin ndërkohë që ai është shkelësi më i madh i Kodit Penal, është njeriu që duhet të luftojë trafikun e drogës dhe është garantuesi i trafikut të drogës.
Kjo është padrejtësia ulëritëse ndaj të cilës në një shtet normal, në një republikë funksionale duhet të kishin reaguar institucione të ndryshme, deklarimi i pasurive, prokuroria, gjykatat. Por ato gjenden sot e gjithë ditën në një presion shtazërorë politik, të drejtpërdrejtë nga Edi Rama dhe ministrat e tij, nga Ilir Meta për çështjet të cilat ai është akuzuar. Presion i cili faktikisht i ka asgjësua këto institucione të pavarura, jo vetëm në kuptimin kushtetues të fjalës, ka zhbërë kontrollin dhe balancën, ka bërë që ekzekutivi shqiptar dhe kjo mazhorancë të ndihen dhe të jenë të gjithëfuqishëm mbi Kushtetutën dhe mbi ligjet e vendit.
E vetmja forcë që mbetet për të ndalur është vullneti i sovranit në një demokraci normale këto janë zgjedhjet. Se çfarë ndodhi me dy palë zgjedhje nën drejtimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës ne e pamë, s’patëm surpriza. Janë po këta të dy, me shumë e shumë thinja në kokë por me të njëjtin pasion për të vjedhur, prishur zgjedhjet, për të investuar banditët siç kanë qenë në vitin 2001 e në vitin 2003 respektivisht.
Shikoni se çfarë bëri në Korçë para dy vitesh, një palë zgjedhje që në të gjithë vlerësimet do të fitoheshin nga kjo mazhorancë. Pse ishte e nevojshme të investoheshin një sistem klinik të shit-blerjes së votës? Për të njëjtën arsye që u investua në ndarjen e pushtetit vendor për të kapur pushtetin në tavolinë. Pse? Sepse ata i tremben gjykimit popullor, i tremben sepse e dinë zullumin që kanë bërë por mendojnë se mund t’ja hedhin këtij zullumi duke kapur institucionin e fundit dhe suprem të llogaridhënies që janë zgjedhjet. Këtu kemi ardhur. Kjo është situata, kjo është ecuria e dy viteve të fundit e në veçanti e vitit të fundit dhe prandaj duke patur parasysh këtë situatë ne nuk mund të mjaftohemi me thirrje për revoltë dhe për t’u ngritur në këmbë. Ne duhet t’u japim qytetarëve edhe zgjidhje dhe si demokratë besojmë se zgjidhja është në sistemin e demokracisë me zgjedhje të lira e të ndershme. Por zgjedhje të lira e të ndershme me Edi Ramën kryeministër dhe me horrat e zuzarët e tij në ministrinë e Brendshme e ministrive të tjera që marrin fondet e taksapaguesve shqiptarë, vjedhin 10 e 1 ta rikthejnë si ryshfet për të blerë votën e për të kërcënuar qytetarët nuk ka e nuk mund të ketë.
23 qershori e provoi këtë katërcipërisht, ishte një provë gjeneralë ku shqiptarët dhe ndërkombëtarët e panë se çfarë kasapërie bënë Edi Rama dhe Ilir Meta mbi votën e lirë të shqiptarëve. Dhe unë dua t’iu premtoj qytetarëve shqiptarë që vota e tyre nuk do të preket e nuk do të cenohet më, pa bërë betejën më të plotë, më të thellë, dhëmb për dhëmbë, e sy për sy pa dalë fitimtar siç dolën në rastin e dekriminalizimit, siç do të dalin në rastin e reformës së vërtetë në drejtësi që do të luftoj korrupsionin por do të pamundësojë kapjen politike të sistemit.
Everest Dedaj: Z.Basha në seancën e fundit parlamentare u miratua në fakt ngritja e komisionit për Kodin Zgjedhor është një debat që është hapur kohët e fundit. PD do të marrë pjesë në këtë komision?
Lulzim Basha: Po, Partia Demokratike do të marrë pjesë, Komisioni Zgjedhor është një rutinë.
Everest Dedaj: Do të ketë propozime konkrete, përfshi edhe sistemin?
Lulzim Basha: Sigurisht jemi të hapur të diskutojmë për sa i përket sistemit por problemi nuk është sistemi. Problemi është tek vullneti politik. Ne mund të marrim sistemin më të mirë në botë dhe në qoftëse mbi këtë sistem vendoset vullneti i horrave, i kusarëve, i banditëve, i tutorëve të korrupsionit, i trafikantëve të drogës i bekuar drejtpërdrejtë nga njerëz në krye të partive politike që në vend që të konkurrojnë me ofertë, me vizion, me shpalosje të programit se si do të nxjerrim vendin nga kriza, se si do të zhvillojmë bujqësinë, industrinë, prodhimin, se si do ti vijmë në ndihmë universiteteve, studentëve, se si do të bëjmë të mundur që të kemi më shumë të punësuar e më pak të papunë e të papunët të kenë mjaftueshëm ndihmë sociale, e vëjnë gjithë bastin e tyre tek Roshët, tek Bushët dhe tek milionat që i vjedhin ditën dhe i shpërndajnë natën për të blerë votat e shqiptarëve. Kjo nuk mund të ndodhë më.
Everest Dedaj: Është dekriminalizimi, ju e cilësuat si betejë të fituar ligjin për dekriminalizimin, por në fakt a i druhet PD? Kryeministri deklaroi dy ditë pas miratimit të ligjit se janari është momenti i të vërtetës duke hedhur idenë se edhe PD vuan nga elementë të tillë, siç edhe ju akuzoni mazhorancën?
Lulzim Basha: Ne gjithmonë kemi folur me fakte, me emra dhe me mbiemra dhe në qoftë se kundërshtarët tanë politikë kanë fakte, emra dhe mbiemra e kanë fare të thjeshtë sepse Lulzim Basha e ka deklaruar që herën e parë që të tillë individë nuk kanë vend në PD. Ne kemi hapur partinë për të gjithë qytetarët shqiptarë që e gjejnë veten e tyre tek koncepti, tek parimi i lirisë, lirisë për t’u shprehur, lirisë për të krijuar, lirisë për të punuar, lirisë për të prodhuar, lirisë për të besuar. E kemi hapur dhe do të vazhdojmë ta hapim për këdo që i ndan këto vlera me ne pa asnjë paragjykim, por Partia Demokratike është e mbyllur për persona me rekorde kriminale dhe nëse ka të tillë ata do të duhet të largohen prej sajë.
Kemi bërë edhe një premtim tjetër para shqiptarëve, atëherë kur dukej e pamundur, që nuk do ti lëmë jo vetëm në strehën tonë por as në strehën që kanë tani, partinë e Edi Ramës. Bashkë me socialistët e ndershëm ne do ta nxjerrim krimin nga politika. Shqetësimi im është që të ndërmarrë të gjithë masat për pastrimin e PS të cilën ai njollosi, e baltosi me sjelljen e një kontigjente kriminal që në fakt nuk ka lidhje me politikën dhe as me PS-në. Edi Rama po shpejton ti strehojë në Partinë Socialiste personat me rekorde të tmerrshme kriminale që për shkak të ligjit, është i detyruar ti nxjerrë jashtë qeverisjes dhe parlamentit, ligjit tonë që u detyrua ta pranojë pasi e zvarriti 6 muaj dhe në fund të fundit pranoi atë që kishim propozuar para 6 muajsh. Nuk është se ishte çështje konsesusi si proces, ishte presion ndaj Edi Ramës, nga miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët gjej rastin ti falenderoj edhe një herë. Pse i bënë këta individë “de facto” dhe “de jure” në krye të organizatave të PS? Çfarë është domethënia e Cubit të Shkodrës, apo e rolit aktiv të Ndokës në Lezhë, apo e kapjes së PS në Fushë-Arrëz, në Pukë, në Has, në Mirditë, në Kukës, në Tepelenë, në Përmet, në Këlcyrë nga kontigjenti kriminal? Përveçse një fyerje dhe një poshtrim për socialistët, kundërshtarë tanë politik që në fund të fundit janë një familje veteranësh që kanë bërë beteja politike e do të vazhdojmë të bëjnë beteja politike me demokratët bazuar mbi vizione tona të ndryshme. Po këta kriminelë përse duhen? Duhen sepse Edi Rama e ka të pamundur të presë lidhjen e tij me krimin dhe kjo është prova e qartë se ai e ka të pamundur të presë lidhjen e tij me krimin. Kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk mund të jetë e nuk do të jetë kryeministri i Shqipërisë në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Everest Dedaj: Z.Basha ekspertët e PD janë angazhuar në një program qeverisës, të paktën baza e ekonomisë është bërë e ditur, është prezantuar. A mendoni se opozita mund të krijojë besim tek qytetarët duke u angazhuar më shumë në programet qeverisëse? Mendoni se ka arritur të krijojë besim? Apo ndoshta më drejtpërdrejtë, Lulzim Basha mendon se i ka bindur shqiptarët të jetë kryeministri i tyre?
Lulzim Basha: Ky është një proces dhe në fund të fundit janë shqiptarët që do ta vendosin këtë, as dëshira ime dhe as pyetja juaj. Ky ka qenë një vit i vështirë për shqiptarët sepse kjo ka qenë një keqqeverisje rekord në 25 vite demokraci që shpalli programin e reformave por që nuk realizoi asnjë reformë. Nisi luftën gjoja kundër vjedhjes së energjisë elektrike dhe hajdutët më të mëdhenj të energjisë elektrike i ka në Parlament, ndërkohë që i ka plasur në burg për 30 apo 40 mijë lek të vjetra mosrakordim të pamundurit ata që çdo shtet modern europian, çdo shtet demokratik ashtu siç duam dhe duhet të jemi edhe ne iu jep një dorë, i ndihmon, nuk i lejon të vrasin veten për 30 mijë lek të vjetra siç ishte rasti më i fundit edhe të vet një prej përkrahësve të PS të Fluturim Cukut në Rrajcë, si Qamil Zela në Rrogozhinë, Arif Doda e shumë e shumë të tjerë.
Ky është një vit pra ku reforma e ashtëquajtura e planifikimit hapësinor, prishjes së ndërtimeve pa leje degjeneroi haptazi para shqiptarëve si reforma ku nga njëra anë i prishte shtëpinë të pamundurit, atij që nuk paguante dot rryshfetin, atij që s’ka lidhje, s’ka miq, por sarajet e Kokëdhimëve lartësohen, sarajet e miqve të Edi Ramës lartësohen në mes të parkut të liqenit, copa të tëra të bregdetit merren arbitrarisht, në këtë rast 1 mijë ha merren për t’u falur vëllezërve, kushërinjve të kryeministrit, të ministrave, të nënkryetares së Kuvendit, pra nuk ka reformë as për planifikimin hapësinor.
Vjedhin 400 milionë dollarë kryesisht me duhanin dhe naftën, e nga ana tjetër iu marrin shpirtin biznesit të vogël me të padrejtë i terrorizojnë, i detyrojnë të mbyllin qepenat.
Pra, kjo qeveri është e dështuar katërcipërisht.
Çfarë ka bërë opozita?
Opozita këtë vit ka finalizuar betejën e saj të gjatë e të mundishme, betejën të cilën jo gjithmonë është besuar se do të kurëzohej me sukses nga të gjithë faktorët por që ne ia dolëm. Dekriminalizimi është një reformë me pasoja jetëgjatë për demokracinë shqiptare, është një pastrim i domosdoshëm për demokracinë shqiptare dhe kjo është një arritje e opozitës, e PD-së.
Reforma në drejtësi është një reformë për të cilën ne kemi thënë se është e domodoshme për të bërë të mundur që para ligjit të jemi të gjithë të barabartë. Por në të njëjtën kohë për të bërë të mundur që të mos ketë pandëshkueshmëri, veçanërisht mes atyre që qeverisin sot e të mos ketë gjueti shtrigash për të favorizuar politikisht një palë apo palën tjetër. Një drejtësi pra që nuk është e kapur as nga qeveria aktuale dhe nuk do të jetë e kapur as nga qeverisja e ardhshme. Dhe ne insituam me forcë dhe u rivendikuam në arbitrin kryesor për çështjet e reformës në drejtësi që është Komisioni i Venecias.
Alternativa jonë fiskale si përgjigja e duhur për të ndalur frymën negative që ka zhytur ekonominë në dëshpërim të thellë, ka rrëzuar ekonominë në hone të papara e të padëgjuara që prej vitit 1997 sa i përket kreditimit, sa i përket konsumit, sa i përket prodhimit, sa i përket punësimit, sa i përket import-eksportit. Kjo platformë tashmë është diskutuar edhe me grupin e interesit dhe jo vetëm ka ngjallur shpresë por ka ngjallur edhe zili ku edhe një kryeministër që nuk kupton, nuk ka konceptin minimal në ekonomi në panik e sipër ka marrë pjesë të kësaj platforme, i ka kopjuar me nxitim me shpresën se do të jenë komponenti magjik. Ku në fakt reforma mund dhe duhet të funksionojë si një koncept total, koncept që ne e kemi prezantuar tashmë dhe ne do ta zbatojmë në qeverisje me besimin e shqiptarëve. Pra, opozita nuk është mjaftuar vetëm me denoncime, opozita nuk është mjaftuar vetëm me ngritjen e zërit, opozita nuk është mjaftuar vetëm me mobilizimin e qytetarëve siç ishte rasti i protestës së 8 dhjetorit dhe protestave që do të pasojnë. Opozita, PD, Lulzim Basha ka nisur ti shpalosë shqiptarëve vizionin tonë, rrugën në të cilën ne shohim ecjen e Shqipërisë për të dalë nga kriza në radhë të parë dhe e dyta për të kthyer zhvillimin ekonomik në vend, për të kthyer rritjen ekonomike dhe për t’ju kthyer shqiptarëve shpresën dhe besimin se e nersermja do të jetë më e mirë dhe jo më e keqe se e sotmja. Pra, për një ekonomi të fortë dhe për një të ardhme dhe të neserme të sigurt.
PD e ka nisur këtë proces, e ka inaguruar me paketën fiskale, me programin tonë fiskale. Në janar do të jetë radha të diskutojmë të tjerë komponentë të programit tonë politik dhe ekonomik për nxjerrjen e vendit nga kriza. Jam i bindur se sa më konkret, sa më ballafaques aq më bindës do jemi para Shqiptarve, si për sa i përket progrimit, ashtu sa i përket alternativës në tërësi që përbëhet natyrisht edhe nga ekipi i ri i demokrateve dhe demokratët me të cilët ne do të kërkojmë bisimin e Shqipëtarëve për të qeverisur Shqipërinë sipas parametrave normal, modern dhe europiane, siç i takon këtij vendi, dhe për të treguar se Edi Rama dhe Ilir Meta nuk arritën dot as nje ditë që të jenë e sotjma, jo më e nesërmja e Shqipërisë, por mbeten e djeshmja e Shqipërisë. Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe ekipi im do ti japim Shqipërisë të nesërmen që meriton.
Everest Dedaj: Z.Basha kujtojmë që në vitin 2013 në fakt premtimet e kryeministrit Edi Rama nga opozita në vazhdimësi u cilësonin si premtime piramide. Ishin premtime mjaftë entuziaste për sa i përket qytetarëve kryesisht edhe për biznesin. A garantoni ju se edhe premtimet e opozitës, Partisë Demokratike sot nuk kanë të njëjtin fat?
Lulzim Basha: Ka një oqean midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës si në përgatitje, si në formim, si për konceptet për shtetin ligjor, për ekonomin. Ka një oqean midis Partisë Demokratike dhe Partis Socialiste në rekordet e qeverisjes në këto 25 vite. Ne ulëm taksat në vitin 2006 dhe ekonomia na u përgjigj pozitivisht, ulja e taksave jo vetëm stimulon biznesin por lufton informalitetin. Ulja e taksave, investimet publike, rritja e investimeve sociale siç jane shëndetësia dhe arsimi janë rruga e duhur për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza e thellë që e ka pllakosur. Ndaj ne ecim në një rrugë të cilën e kemi përshkruar edhe më parë në parametrat të veçantë të saj në një situate tjetër të Shqipërisë, por ecim me një tjetër vendosmëri, më një tjetër vizion, me një tjetër thellësi bindje siç është edhe propozimi jonë për uljen e TVSH nga 20-15%, siç është propozimi ynë për Shqipërin vendi më konkurues për sa i përket taksës së sheshtë 9% sepse rrugë tjetër për bërjen e Shqipërinë tregun më konkurrues në Ballkan nuk ka e nuk mund të ketë. Të tjerat janë të fluturosh dhe të flesh mbi ëndrra në rastin më të mirë ose të jesh kriminalisht i pa përgjegjshëm ku propozon se do punësosh 300 mijë njerëz duke forcuar shtetin dhe jo shtetin ligjor por shtetin e të pa drejtës. Këtu ndahen konceptet tona, koncepti ynë është liria, liria e qytetarëve për të punuar, për të prodhuar me të cilën vjen edhe përgjësia e zbatimit të ligjit, shteti ligjor dhe garantimi i barazisë së qytetarëve para ligjit. Këto janë konceptet që e mbështesin programin tonë ligjor dhe duke e njohur situatën për shkak të kontaktit tim dhe tonin me qytetarët kontakt i cili do të vazhdojë pa reshtur jam I bindur që propozimet tona janë propozime që i përgjigjen drejtë përdrejtë problemeve konkrete të shqipëtarëve. Nuk janë propozime në ajër, nuk janë “petulla me ujë”, nuk janë mashtrime piramidale. Qëllimi ynë nuk është ardhja në pushtet, qëllimi ynë është nxjerrja e Shqipërisë nga kriza, ne kemi kapacitetin, vizion dhe ekipin për ta bërë ketë dhe jam I bindur që Shqipëtarët do të na besojnë ne një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me votën e tyre.
Everest Dedaj: Z. Basha për t’u kthyer pak tek partia, Partia Demokratike ka dy palë zgjedhje të cilat i ka humbur dhe në fakt mungon një analizë e drejtëpërdrejtë. Ndoshta është një analizë por kjo ju ka vendosur përballë akuzave ose më mirë të themi përballë kritikave edhe eksponentëve brënda Partisë Demokratike. A do kemi një analizë të qartë dhe a do ketë përgjegjës qoftë për 2013, qoftë edhe për zgjedhjet e 2015?
Lulzim Basha: Është një pyetje respektivisht me dy vjet e gjashtë muaj vonesë. Përgjësitë e 2013-ës u mbajtën dhe produkti i përgjegjësive, një nga produkti i përgjegjësive është ulur sot këtu përballë teje, kryetari i ri i Partisë Demokratike.
Për 2015 mendojmë se më mirë së unë, ti, kundërshtarët tanë politik apo dashamirësit tanë raporti i OSBE-ODIHR-it ka treguar qartë se çfarë ishin zgjedhjet e qershorit 2015. Zgjedhje të cilat u dhunua vullneti i zgjedhësve Shqiptarë, zgjedhje në të cilat votuesit patën frikë të japin votën e tyre për shkak të reprekusioneve, zgjedhje të cilat shteti dhe pushteti nuk u ndanë nga njëra-tjetra dhe janë pikërish zgjedhjet e 2015 të cilat të zbërthyera në numra treguan qartë se ndonëse nuk fituam Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin, Korçën, Vlorën qytetet e mëdha të Shqipërisë, për numër vote një kryetar bashkie socialist apo të koalicionit PS-LSI mori afërsisht 17mijë-18 mijë vota ndërkohë që një kryetar bashkie i Partisë Demokratike u zgjodh me 48 mijë vota. Kjo tregon shtrëmbërimin e madh, tregon paranojën, frikën dhe panikun e madh të Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’u përballur në mënyrë të ndershme me qytetarët Shqiptarë edhe kur vinte fjala për diçka të tillë si pushteti vendor. Mbani mënd i lanë zyrat e tyre për dy muaj Shqipëria nuk kishte as Kryeministër e as Kryetar Kuvendi, kishte papagall që shkonte nga veriu në jug dhe kërcënonte opozitën, i thoshte qytetarëve që po të votoni për kandidatët e opozitës nuk do keni ujë, nuk do keni drita, nuk do keni me se të punoni tokën, nuk do të keni prona, nuk do të keni sunvencione duke e kthyer retorikën politike për zgjedhje vendore dhe zgjedhjeve në tërësi në nivele do të thoja pseudo demokraci të Afikës Ekuatoriale në vitet ‘70. Kjo është drama e vendit, drama e vendit është drama e Ramës, i cili nuk pranon dhe ka frikë nga kontesti i lirë zgjedhor, ka frikë sepse qeverisja sipas konceptit të Ramës ndërtohet jo mbi shërbimin ndaj qytetarëve, jo mbi përgjesinë por mbi pushtetin si instrument sundimi, zhvatje, përfitimi për të dhe klientelën e tij, si kryetar bashkie, si kryeministër. Dhe kur vjen ora e llogarisë, kur vjen dita e llogarisë mendon se mund ta zhbëjë këtë përmes prishjes, kapjes, blerjes së proçesit. Prandaj është e qartë se rruga për të dalë nga kjo situatë është për ti dhënë Shqipëtarve një demokraci të re, ku qytetarët vetë dinë të vendosin mbi bazë të programit, mbi bazë të ofertës, i plotëson apo jo për nevojat që ata kanë si qytetarë. Të votojnë të lirë, të votojnë si qytetarë të lirë, të vendosin për partinë e zemrës së tyre, për programin e zemrës së tyre, pa u ndikuar nga horrat, nga zuzarët, nga kërbaçi, nga shit-blerja e votës apo korrupsionit. Kjo është sfida e rrallës. Pa zgjidhur këtë sfidë nuk ka as një shans, nuk ka as një urë për të nxjerr Shqipërinë nga bregu i depresionit në bregun e normalitetit.
Everest Dedaj: Z. Basha ka një paqartësi në opinion publik më shumë për sa i përket qëndrimit real të Partisë Demokratike për reformën në drejtësi, është një qëndrim që në fakt edhe deklaratat e ambasadorit Lu e vë në disi në pikëpytje. Realisht tani që ndodheni në një moment po themi të ri për shkak edhe të oponionit Venecias, cili është qëndrimi real i Partisë Demikratike për këtë reform dhe a do të kemi një votë po në Parlament për këtë reformë.
Lulzim Basha: Ai që ka qenë prej ditës së parë PO reformës në drejtësi për të luftuar korrupsionin, jo kapjes drejtësis “allaXhafa”, siç ndodhi kur ai ishte ministër Drejtësië kur të gjithë e dimë gjyqëtarët, prokurorët, Kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese erdhen drejtëpërdrejtë nga Asambleja e Partisë Socialiste, nga kryesia e Partisë Socialiste, nga ekzekutivi socialist. Kjo nuk mund të ndodh më, kjo nuk do të ndodh më. Ne kemi këmbëngulur në një reformë që pastron korrupsionin në dretësi, që u jep mundësinë qytetarve që të kenë një drejtësi të shpejtë dhe të jenë të barabartë para ligjit kjo është e domosdoshme dhe kjo ka gëzuar mbështetjen tonë jo vetëm sot por edhe dje kur ishim në qeverisje, ishin këta që e pengonin, ishin këta që nuk donin të uleshin. Tani që i kaparuan 84 vota menduan që ta bëjnë reformën siç ua pjell mëndja këtyre, jo një reform për t’i shërbyer Shqipëtarve por një reform për të fshehur zullumin, për të hedhur fajin, për të siguruar pasurit e tyre të paligjshme, për t’i ikur ndëshkimit që meriton çdo zyrtar i çdo rangu që vjedh përmes korrupsionit që vjedh pasurit e qytetarëve që varfërohen.
Prandaj qëndrimi ynë është i qartë mbështetja ndërkombëtare është e plotë, mirëkuptimi ka qenë që prej fillimit, ata që kanë pasur doza skepticizmi për shkak të keq informimit tashmë e kanë fare të qartë, se motivi ynë ka qën fare i pastër, vizioni, vullneti dhe vendosmëria jonë janë përtej ç’do pikëpyetje dhe se problemi për reformën në drejtësi ka qenë dhe është Edi Rama dhe Ilir Meta. Frika, paniku i tyre për të mos qenë përballë një gjyqësori të pavarur bashkë me bandën e tyre të hajdutëve që kanë shumë e shumë llogari për të dhënë para gjyqit, para ligjit dhe para qytetarëve.
Everest Dedaj: Z.Basha për t’ju rikthyer edhe një herë aksionit të opozitës. Keni lajmëruar në janarë një aksion të fortë kundër korrupsionit duke deklaruar se qytetarët bashkë me opozitën do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë. Çfarë do të thotë kjo? Si kuptohet?
Lulzim Basha: Unë mendoj se janari do të sjell zhvillime dhe duhet të sjellë zhvillime të fuqizimit të qytetarit dhe zërit të tyre. Është e domosdoshme dhe është në fakt kursi normal ne rrjedhën normal të gjërave që kur azgjesohen parimet bazë të shtetit ligjor të demokracisë qytetarët të përgjigjen. Unë nuk jam partizan i anarkisë e cila për fat të keq është një fazë, një hallkë e zemërimit e revoltës popullore që e kemi parë në vendet fqinje dhe në vendet europiane. Pikërisht për të shmangur një shpërthim anarkik është vullneti im që të bazohem në përvojat më të çmuara të shoqërive, të individëve të lirë, kulturës perëndimore demokratike, për të kompesuar mungesën e shtetit ligjor, mungesën e transparencës, presionin e jashtëzakonshëm mbi mediat e lira duke i dhënë qytetarëve një mundësi që të konstatojnë dhe të veprojmë brënda suazës ligjore dhe institucionale duke ushtruar dhe të drejtën e tyre për të arrestuar në kuptimin figurative dhe ligjorë të fjalës korrupsionin dhe të korruptuarit. Për format dhe mënyrat mendoj se janari do ta tregojë
Everest Dedaj: Kjo është formë e mosbindjes civile?
Lulzim Basha: Sigurisht është një formë e pastër e mosbindjes civile.
Everest Dedaj: Bllokim rrugësh, bllokim institucionesh?
Lulzim Basha: Për format e mënyrat besoj se ne si opozitë ju si media bashkë me qytetarët do të flasim ne vazhdim…/Ora News