Largimi i shqiptarëve nga vendi, është tema e nxehtë e kohëve të fundit. Qindra, mijëra shqiptarë kanë braktisur vendin dhe janë zhvendosur në vende të tjera në kërkim të mundësive më të mira. Eksperti i ekonomisë Dritan Shano, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv ka treguar arsyet e largimit të shqiptarëve. Shqiptarët po largohen se u mungon shpresa, thotë Shano dhe shpresa është tek opozita, e cila në Shqipëria është inekzistente.
“Duhet të kesh aftësinë të dalësh jashtë zhurmës së medias, së politikës dhe të shikosh se çfarë duan njerëzit. Njerëzit votojnë me këmbë, është një shprehje. Dhe kur ti sheh që shqiptarët largohen nga vendi kupton që diçka nuk shkon. Ajo që nuk shkon është mungesa e shpresës dhe kjo e detyron njeriun të lëvizë nga ai vend ku është, aty ku shpresa i mungon, në një vend tjetër. Në politikë shpresa nuk lidhet asnjëherë me qeverinë, përveç bandave që janë pranë politikës dhe përfitojnë nga aksesi në buxhetin e shtetit. Shpresa në tërë botën, është tek opozita. Dhe kur opozita ka skaduar kjo të lë të kuptosh si do sillen shqiptarët në kutinë e votimit. U sollën në atë formë, nuk e votuan. Në momentin që mbarojnë zgjedhjet të gjithë votuesit janë në opozitë me qeverinë, sepse është qeveria ajo që i shtrëngon të kryejnë një veprim, kur ata duan të bëjnë një veprim tjetër, është qeveria që i takson sa i sheh që dalin nga shtëpia. Edhe ata që kanë votuar për qeverinë janë në opozitë. E vetmja shpresë që ata kanë, që qeveria të vërë mend, të sillet siç duhet është pasja e një opozitë cilësore, që e detyron qeverinë të punojë më mirë, nën trysni dhe konkurrencë. Kur kjo nuk ekziston, ku shikon që gratë e të rinjtë e Shqipërisë votojnë për mazhorancën, ti kupton që opozita që do të duhet të ishte shpresa e këtij vendi, është katandisur në një mall të skaduar me të cilën shqiptarët nuk duan të kenë të bëjnë. Më 14 maj, shqiptarët kur panë që përballë kishin si zgjedhje grupin Berisha-Meta-Basha, ndërruan rrugë.
Pse e lidh ikjen e shqiptarëve me opozitën? Sepse forca e ndryshimit nuk është ne asnjë vend qeveria, është tek opozita. Nëse në një vend ka ngelur që forca e ndryshimit të jetë qeveria, cilësia e të bërit politikë do përkeqësohet gjithnjë e më tepër. Nuk ka motiv të ndryshojë qeveria. Ne jemi në atë pikë, kur medoemos duhet të gjejmë forcë të brendshme apo të jashtme, të angazhojmë ndihmë, nga partnerët, SHBA-ja dhe BE-ja që të hapim sistemin në mënyrë që të krijohen mundësi konkurrimi në këtë sistem. Kjo çështje do pleqërim, por jo një meditim të gjatë sepse ajo që po ndodh nga pikëpamja demografikë në Shqipëri është shqetësim shumë i madh. Është një bombë atomike për Shqipërinë për masën që ka. Sistemi duhet hapur. 2008-ta e mbylli sistemin dhe 2008-ta lejon humbësit, njerëzit e papreferuar nga shqiptarët të thonë që ne kemi 500 mijë vota. Ata nuk morën vota, por u ranë në prehër. Çdo njeri që nuk do të votojë për Ramën ka dy mundësi, ose të rrijë në shtëpi, ose të votojë ata përballë Ramës. 2008-ta bllokoi dhe ndaloi çdo dinamikë politike në këtë vend dhe ka lënë Ramën në një krah dhe Metën, Berishën dhe Bashën në krahun tjetër. Votat që shkojnë për këta të fundit janë vota dëshpërimi jo vota shprese.
Kur ti shikon që njeriu voton me këmbë kupton se çfarë do ai. Pra do shërbim. Largimi nga Shqipëria me një biletë avioni 300 euro u jep shërbime shëndetësore më të mira, shërbime arsimore më të mira, u jep një qartësi mbi pronën private, qoftë kjo pronë e prekshme, qofte kjo pune. Në Shqipëri këto gjëra mungojnë, megjithëse disa janë duke u bërë.
Një nga arsyet kryesore pse këmbët ikin, lëvizin në drejtim tjetër është pikërisht sepse ti themelin e shtëpisë e ke të shtrembët. Kulla e Pizës është më e drejtë se themeli që kemi arritur të ndërtojmë ne, në lidhje me ekonominë, sociologjinë, politikën në këtë vend. Këto gjëra duhet t’i marrësh parasysh kur ti arsyeton për mundësinë për të bërë para në Republikën e Shqipërisë. Arsyet pse shoqëria shqiptare është e pazhvilluar është sepse pasurimi që po ndodh në këto momente është në pak duar. Ekzistenca e një opozitë që do vijë, pasja e një opozitë të mirë e detyron qeverinë që të heqë bllokimet, favorizimet dhe të hapë lojën. Jeta e atyre që ikin, është një sakrificë e paimagjinueshme. Njerëzit kanë ikur edhe si zotërinj, por edhe janë kapur te diferenciali i makinës, kanë ikur me gomone në Angli. Askush nuk duhet të ikë. Mundësitë këtu janë kufizuar dhe ato i ka kufizuar politika. Politikës i duhen prerë gishtat dhe thonjtë.”, u shpreh zoti Shano në DritareTv.
/a.r