• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, May 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

BE nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan, por një bashkësi vlerash

by Ditmir Bushati
09/05/2018 14:06
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ditmir Bushati

Më lejoni të shpreh kënaqësinë që gjendem para jush, në ditën e shënuar të Europës, të cilën kemi zgjedhur ta festojmë nëpërmjet promovimit të kulturës.

Rëndësia e kulturës qëndron jo vetëm në mbrujtjen e shpirtit të një kombi, por dhe në projektimin e tij jashtë, në mbarë botën.

Për mua kultura është pikënisja e rrugëtimit tonë europian dhe një çelës që hap dyert e mëdha të perceptimit që bota ka për ne. Kultura është në të vërtetë thesari më i vyer i popullit tonë.

Ekspozita e sotme mbart fotografi nga e kaluara e vendit tonë. Aty gjejmë dinjitarë të huaj, ambasadorë e konsuj, figura historike që janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve për europianizimin e administratës shqiptare që në gjenezën e saj.

Këto fotografi hedhin sadopak dritë mbi përpjekjet tona për shtetformim dhe shtetndërtim.

Kjo nuk është ekspozitë nostalgjike për të kaluarën që s’kthehet më. Por optimiste për të ardhmen tonë europiane, drejt së cilës tashmë po hedhim hapa të sigurt.

Një dëshmi e rrugëtimit të ndërprerë të europianizimit tonë, që pas dekadash humbjeje, e kemi rigjetur sërish.  Në një farë mënyre jemi si Odisea, që pavarësisht tundimeve e pengesave, është drejt kthimit në shtëpi.

Mbi të gjitha, kjo ekspozitë dëshmon lidhjet tona me Europën. Lidhje të cilat i kanë rrënjët në historinë e lashtë, që nga koha e Greqisë dhe Romës antike. E më pas në mesjetë kur gjatë shekullit të 15-të paraardhësit tanë nga dëshmitarë u kthyen në protagonistë të historisë europiane, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e krishtërimit dhe vlerave europiane.

Aleancat politike të Gjergj Kastriotit me fuqitë europiane të kohës ishin shkëndija të shpirtit thellësisht europian të shqiptarëve asokohe. Skënderbeu shenjoi politikisht vetëm shprehjen e përkatësisë tonë të kahershme europiane.

Më vonë, këto shenja politike u pasuan nga zhvillimi shpirtëror i popullit tonë ku pena të shquara si Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi dhe më vonë një plejadë e artë e inteligjencës shqiptare si De Rada, Naim Frashëri, Mjeda, Asdreni, Fishta e shumë të tjerë, u bazuan te vlerat e fryma e rilindjes europiane për të projektuar modelin e shoqërisw së ardhshme shqiptare.

Alfabeti latin i gjuhës shqipe, ndër më të lashtat gjuhë indo-europiane, tregon qartë pikën e rëndesës së shoqërisë tonë. Drejt Perëndimit.

Edhe në periudhën e errët të diktaturës komuniste, penat e shquara të intelektualëve si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Lasgush Poradeci, At Zef Pllumi, Ismail Kadare e të tjerë ishin frymëmarrja Europiane e Shqipërisë.

Arbëreshët e Italisë së Jugut, një nga diasporat më të hershme shqiptare janë gjithashtu fotografia njerëzore e frymës europiane të shqiptarëve. Kujtesa jonë e gjallë që dëshmon se lidhja jonë me Europën ka qenë dhe mbetet organike.

Dhe teksa lëmë pas historinë dhe hidhemi në ditët e sotme, ne shqiptarët mbetemi një nga popujt më euro-entuziastë.

Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve 90’-të nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht.

E sot në Ditën e Europës, çdokush prej nesh mund të pyesë: A quhet i përfunduar projekti Europian teksa një pjesë organike e tij (Ballkani Perëndimor) mbetet ende jashtë? Përgjigja është natyrisht JO!

Kemi pandehur se jemi me fat që gjendemi në zemër të qytetërimit Europian. Mbase te e pandehura qëndron edhe gabimi ynë sepse ka një vijë të hollë ku ndahet realiteti nga imagjinata.

E pikërisht kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se e meritojmë automatikisht anëtarësimin në BE.

Bashkimi Europian nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan. Është para së gjithash një bashkësi vlerash. Dhe vlerat nuk arrihen me plan as 5-vjeçar e as 10-vjeçar. Ato mbruhen dhe mëkohen. Nuk thuhen me fjalë, por tregohen me vepra.

E them këtë sepse jemi në një prag historik, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Që sikundër çdo sfidë e vështirë do të vijë si rezultat i punës konkrete, jo i të kaluarës tonë.

Nuk mjafton të thuash se para 2000 vjetësh kur kufiri i Europës ishte diku në veri të Italisë së sotme, ne kuvendonim në forume krahas grekëve e romakëve të lashtë. Platoni ishte fqinj, Jul Çezari caktonte  Apolloninë si vend për edukimin e Oktavianit dhe ne i binim kryq e tërthor Mare Nostrumit.

E kaluara sado e lavdishme të ketë qenë nuk përbën justifikim për tashmen. Duhet ta meritosh atë.

Natyrisht, kultura ka një dimension të pamatë diplomatik, mbase më gjithëpërfshirësin. Pjesë e asaj që sot quhet “Soft Power”, kultura është shndërruar në mjetin më të fortë të promovimit të marrëdhënieve midis vendeve dhe popujve.

Dhe kjo më shpie te fuqia e diplomacisë kulturore e cila ndihmon në krijimin e besimit me publikun e huaj duke reduktuar steriotipet negative; konfirmon vlera të përbashkëta njerëzore që kemi me popuj të tjerë;  krijon marrëdhënie konkrete me njerëzit, që e tejkalojnë në moshë çdo qeveri.

Në kohën e lajmeve të rreme, të shpërthimit të mediave sociale dhe të të gjitha fenomeneve që lidhen me to, Shqipëria ka nevojë si kurrë ndonjëherë për t’u njohur nëpërmjet kulturës së saj.

Europa është një bashkim që simbolizon lirinë dhe barazinë, respektin për të drejtat e njeriut, solidaritetin, sundimin e së drejtës. Dhe synon që përmes bashkimit të bëhet më e fortë dhe më demokratike.

Në këtë kuptim, bashkëpunimi kulturor shmang fragmentarizimin dhe kontribuon në përparimin shoqëror të kontinentit. Bashkëpunimi kulturor është kyç gjithashtu në rigjallërimin e procesit të konsolidimit të projektit Europian, ku Zgjerimi përbën vetëm një dimension të tij.

Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhët në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshtë plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks. Që të shtrëngon. Gati një dhimbje.

E pra në familjen Europiane ne do të shkojmë si komb, si nyje, duke mbajtur me vete amanetin e paraardhësve dhe premtimin për pasardhësit.

Ju falemnderit!

Next Post
“The Sun” i dedikon shkrim Bushpepës: Rokeri që ka luajtur me legjendën e “Guns N ‘Roses”

“The Sun” i dedikon shkrim Bushpepës: Rokeri që ka luajtur me legjendën e “Guns N ‘Roses”

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Lefter Koka rikthehet në burg, Apeli i GJKKO shpall vendimin për inceneratorin e Tiranës

Lefter Koka rikthehet në burg, Apeli i GJKKO shpall vendimin për inceneratorin e Tiranës

May 14, 2026
“Kam bërë vetëm detyrën, nuk ka prova”, mjeku Nunka mohon akuzat për ngacmim seksual, zbardhet dëshmia

“Kam bërë vetëm detyrën, nuk ka prova”, mjeku Nunka mohon akuzat për ngacmim seksual, zbardhet dëshmia

May 14, 2026
Si lufta në Iran po forcon pozitat e Pekinit ndaj SHBA-ve

Si lufta në Iran po forcon pozitat e Pekinit ndaj SHBA-ve

May 14, 2026
Profilet! Kush janë 4 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Miliona euro të kursyera nga “SEPA”, BSH: Pjesa më e madhe e transfertave ndërkufitare, në rrugë elektronike

May 14, 2026
Eurovision 2026/ Rama thirrje për mbështetjen e Shqipërisë: VOTO 13 për Alis!

Eurovision 2026/ Rama thirrje për mbështetjen e Shqipërisë: VOTO 13 për Alis!

May 14, 2026
Shqipëria larg listës gri të BE-së, Malaj: Kontroll total mbi paratë që hyjnë në vend

Raporti i DASH dhe Komisionit Europian, Malaj: Shqipëria rriti ekonominë 4%, uli borxhin publik

May 14, 2026
SHBA do furnizojë Kosovën me 14 mln euro armatime, DASH i drejtohet Kongresit me një kërkesë për leje

SHBA do furnizojë Kosovën me 14 mln euro armatime, DASH i drejtohet Kongresit me një kërkesë për leje

May 14, 2026
Tërheqja e trupave nga Gjermania, SHBA anulon edhe vendosjen e 4 mijë ushtarëve në Poloni

Tërheqja e trupave nga Gjermania, SHBA anulon edhe vendosjen e 4 mijë ushtarëve në Poloni

May 14, 2026
VV e akuzoi për dhunë brutale ndaj Hysni Mehanit, reagon Lushtaku: U etiketova “Sami Serbia” dhe qytetarët reaguan

VV e akuzoi për dhunë brutale ndaj Hysni Mehanit, reagon Lushtaku: U etiketova “Sami Serbia” dhe qytetarët reaguan

May 14, 2026
‘Po u hap dosja jote, merr erë tërë Shqipëria!’, Manja këshillon Berishën: Çliroje mendjen dhe shpirtin!

‘Po u hap dosja jote, merr erë tërë Shqipëria!’, Manja këshillon Berishën: Çliroje mendjen dhe shpirtin!

May 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In