Nga Ralph Schoellhammer
Lufta në Ukrainë ishte testi i parë i vërtetë i aftësisë së Bashkimit Evropian për të vepruar si një lojtar gjeopolitik. Ajo ishte një shans që BE-ja të tregonte se versioni i saj i qeverisjes mbi-kombëtare, mund të ofronte një alternativë të vërtetë ndaj botës së marrëdhënieve ndërkombëtare me qendër shtetin kombëtar.
Ky moment do të shënonte lindjen e një “Evrope gjeopolitike”, deklaruan liderët e BE-së pas pushtimit të Rusisë. Por pas 8 muajsh luftë, është e qartë se BE-ja ka dështuar në këtë test. Larg projektimit të një qëndrimi të unifikuar në skenën globale, vendet anëtare të BE-së po pretendojnë gjithnjë e më shumë të mbrojnë interesat e tyre kombëtare.
Për shembull, Gjermania dhe Franca po këmbëngulin që votimi unanim në Këshillin Evropian të zëvendësohet nga votimi i shumicës. Kjo do t’i jepte mundësi atyre të përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të detyruar anëtarët më të dobët që të votojnë pro Parisit ose Berlinit në lidhje me çështjet kryesore.
Njëkohësisht, Polonia po bën thirrje për një “rrugë të menjëhershme e të shpejtë” të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Kjo do t’i jepte mundësi Varshavës të udhëhiqte një bllok të Evropës Lindore brenda BE-së. Më rëndësi është edhe shfaqja e politikave tradicionale midis fuqive të ndryshme brenda unionit.
Tek e fundit, qëllimi fillestar i integrimit evropian, ishte që në fund të krijonte diçka të ngjashme me Shtetet e Bashkuara, një entitet mbi-kombëtar që do të ishte i aftë të fliste dhe të vepronte si një aktor i unifikuar në raport me çështjet globale. Shtetet anëtare të BE-së do të ruanin autoritetin mbi disa fusha politikash, ndërsa do t’ia linin vendimet e mëdha strategjike një elite shumëkombëshe, teknokratike në Bruksel.
Gjatë një periudhe, asaj të vitit 1990 dhe fillimit të vitit 2000, ishte pjesërisht e vërtetë se BE-ja e kishte arritur këtë formë të qeverisjes post-kombëtare, madje në fakt post-ideologjike, kryesisht për shkak se anëtarët e saj evropiano-perëndimorë kishin që të gjithë afërsisht të njëjtën pikëpamje.
Por ajo periudhë mbaroi më 1 maj 2004, kur BE realizoi zgjerimin e vetëm më të madh në historinë e saj. Ajo pranoi 10 shtete të reja anëtare, shumë prej të cilave ishin ish-anëtare të Paktit të Varshavës, ose në rastin e shteteve baltike, ish-republika të Bashkimit Sovjetik.
Këto shtete të porsa-bashkuara nuk kishin të njëjtat supozime si shtetet anëtare perëndimore, sidomos kur bëhej fjalë për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë. Shenjat e këtyre tensioneve ishin tashmë të dukshme në prag të pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, që u mbështet fuqimisht nga vendet që do të ishin së shpejti anëtare të BE-së në Lindje, por që u refuzuan haptazi nga Parisi dhe Berlini.
Këto tensione u fshehën nën sipërfaqe për pak kohë, por shpërthyen sërish me pushtimin rus të Ukrainës në shkurtin e këtij viti. Pavarësisht thirrjeve për unitet, BE-ja po fliste që në fillim me zëra të ndryshëm. Presidenti francez Emanuel Makron ndoqi politikën e tij të jashtme përmes telefonatave të vazhdueshme me Vladimir Putinin.
Gjermania u përgatit për një humbje të shpejtë të Ukrainës dhe për vazhdimin e biznesit si zakonisht me Moskën, gjë që e nxiti Berlinit të propozonte forma pothuajse qesharake mbështetjeje për Ukrainën përpara luftës, siç ishte dërgimi i 5000 helmetave dhe asnjë sasi armësh.
Hungaria premtoi mbështetje humanitare, por e bëri të qartë se nuk dëshironte as konflikt dhe as një fund të marrëdhënieve ekonomike me regjimin e Putinit. Ky ishte qëndrimi i mbajtur edhe nga Austria, me Vjenën që u angazhua për një qasje neutrale.
Ndërkohë, Polonia, vendet baltike dhe shtete të tjera të Evropës Qendrore u zotuan për një mbështetje pothuajse të pakushtëzuar për Kievin. Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pas pushtimit, të vetëdijshëm se BE-ja do të ishte një aleancë jo e besueshme gjatë një konflikti ushtarak.
Ai që supozohej të ishte një moment përcaktues për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, e ka ekspozuar atë si një gjest bosh. Që nga shkurti i këtij viti, gati të 27 vendet anëtare të BE-së kanë ndjekur interesat e tyre kombëtare, duke përdorur në rastin më të mirë kornizat e BE-së si mjete për ta bërë këtë.
Si për ta përkeqësuar më tej situatën, Komisioni Evropian i ka hedhur benzinë zjarrit me konfliktin e tij të vazhdueshëm mbi fondet vjetore që duhet të marrë Polonia dhe Hungaria. KE pretendon ende se të dyja këto vende po shkelin parimet e qeverisjes demokratike.
Në shenjë hakmarrje, Polonia ka ringjallur hijet e Luftës së Dytë Botërore, duke kërkuar mbi 1 trilionë euro dëmshpërblime nga Gjermania. Edhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë nuk po zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme dhe ka plot përjashtime, të hapura apo të fshehta.
As sulmi raketor i pak ditëve më para në territorin polak, nuk duket se do ta bashkojë BE-në. Këto grindje mes shteteve anëtare reflektohen edhe në kuadrin institucional të BE-së, ku është gjithnjë e më e paqartë se kush është në krye.
A është presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Lejen? Presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel? Apo Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë? Tashmë nuk është më sekret se Von der Lejen dhe Mishelnuk kanë një marrëdhënie të mirë pune.
Madje edhe Borrell e pranon se qasja e politikës së jashtme të BE-së është sa jofunksionale aq edhe e paqëndrueshme. Por asnjëra nga këto probleme nuk do të thotë se Bashkimit Evropian po i vjen fundi. Burokracitë kanë tendencën për të vazhduar të jenë të dobishme.
Dhe Brukseli mbetet një vend tërheqës ku politikanët evropianë mund ta përfundojnë karrierën e tyre. Ashtu si Perandoria e Shenjtë Romake që u lëkund në kulmin e vet për një kohë të gjatë, po kështu do të ndodhë edhe me BE-në. Por vendimet reale në të ardhmen ka të ngjarë të merren nga shtetet kombëtare evropiane. Kjo mund t’i japë fund eksperimentit të madh evropian./Spiked Online– Bota.al/m.j