Në vitin 1557 Papa Pali IV krijoi i pari Listën e Librave të Ndaluar, për të mbrojtur katolikët nga idetë kontroverse. Katërqind e nëntë vite më vonë, Papa Pali VI do ta shfuqizonte. Por përpjekjet për të ndaluar dhe censuruar librat nuk u ndal. Dhe tashmë jo më nga Kisha Katolike.
Revista “TIME” ka publikuar 10 librat më të ndaluar dhe të censuruar në histori. Dhe bëhet fjalë për libra mjaft të famshëm dhe më shumë ndikim. Këta 10 libra janë cilësuar si shumë sfidues dhe mjaft problematikë. Në këtë listë është edhe libri më i famshëm amerikan “Aventurat e Hakëlber Finit” nga Mark Tuein. Revista amerikane ka futur në këtë listë edhe “best-seller-in” e viteve të fundit “Harri Poterin”.
Por nuk kishte si të mungonte në këtë listë “1984” e Xhorxh Oruellit. Ndërsa libri më sfidues dhe më problematik është i “Vargjeve Satanike” nga Salman Rushdie. Ky libër shkaktoi trazira rreth botës për faktin se disa e quajtën një trajtim blasfemues të besimit islam (në të gjithë librin, Salman Rushdie i referohet Profetit Muhamed si Mahound, emri mesjetar për Djallin). Në vitin 1989, pesë persona humbën jetën në trazirat në Pakistan dhe një turmë që hidhte gurë plagosi 60 njerëz në Indi. Edhe pse Rushdie i kërkoi falje udhëheqësit shpirtëror iranian Ajetullah Khomeini Ruhollah ai e dënoi publikisht autorin indiano-britanik me vdekje, duke vënë si shpërblim 1.000.000 $ mbi kokën e tij.
“Aventurat e Hakëlberi Finit” nga Mark Tuein
Në vitin 1885, Libraria Publike Concord në Massachusets e ndaloi librin, që kishte një vit që kish dalë për shkak të gjuhës “së ashpër” – kritikët thanë se përdorimi i gjuhës së rrugës nga Mark Tueini ishte poshtërues dhe i dëmshëm. Njëri prej tyre madje e quajti “plehrë e rëndomtë, që më shumë i shkon për shtat lagjeve të varfra, se sa njerëzve inteligjentë e të respektueshëm”. Fakti që fjala “nigger” – zezak, është e shkruar më shumë se 200 herë në të gjithë librin, në fillim nuk shkaktoi shumë polemika.
Në vitin 1905, Libraria Publike e Bruklinit ndoqi shembullin e Concord, duke e ndaluar dhe hequr nga sektori i librave për të rinj, me shpjegimin: “Hak nuk kruhej, por gërvishtej dhe një herë ai tha djersë në vend të “perspiration”. Tuein kundërshtoi duke u thënë një herë kritikuesve të tij: “Censurë do të thotë t’i thuash një burri që nuk mund të hajë një biftek, sepse një fëmijë i vogël nuk është në gjendje ta përtypë”.
Fatmirësisht për të, numri i fansave të librit ia kaloi me shumë herë atij të kritikëve.
“Është libri më i mirë që kemi patur”, deklaronte Ernest Heminguej. “Të gjithë librat amerikanë burojnë prej tij. Nuk ka patur asgjë para tij. Nuk ka patur asgjë më të mirë pas tij”. Pavarësisht lëvdatave të Heminguejit, Hak Fin mbetet një prej librave më të kundërshtuar në SHBA. Në një përpjekje për të shmangur polemikat, televizioni CBS prodhoi një përshtatje për televizion të librit në vitin 1955, në të cilin mungonte përmendja qoftë edhe një herë e skllavërisë, madje as edhe një aktor afro-amerikan për të portretizuar personazhin e Xhimit. Në vitin 1998, prindër në Tempe, Arizona paditën shkollën e mesme në qytetin e tyre, për shkak se kish përfshirë titullin e librit në listën e librave që kërkohej të lexoheshin nga nxënësit. Prindërit humbën.
“Lolita” nga Vladmir Nabokovi
I botuar fillimisht në Francë nga një gazetë pornografike, ky roman i vitit 1955 eksploron mendjen e një pedofili shumë inteligjent, por që ndien neveri për vetveten, Hambert Hambert, i cili rrëfen jetën e tij, si dhe obsesionin që e konsumon atë: epshin që ndien për vajza të vogla tërheqëse, si për shembull 12-vjeçaren Dolores Hejz.
Zyrtarët francezë e ndaluan librin duke e quajtur të turpshëm, ashtu siç ndodhi edhe në Angli, Argjentinë, Zelandën e Re dhe në Afrikën e Jugut.
Sot, termi “Lolita” përdoret për të përshkruar një sirenë adoleshente seksi, ndonëse Nabokovi, nga ana e tij, asnjëherë nuk kish patur për qëllim të krijonte kësi lloj lidhjesh. Në fakt, ai një herë pothuajse e dogji dorëshkrimin e librit nga neveria që ndiente, dhe debatoi gjatë me botuesit e librit të tij, pasi nuk dëshironte të vendosej në kopertinë fotografia e një adoleshenteje.
“Rojë në thekërishtën buzë greminës” nga: J.D. Salinger
Brenda dy javësh pas publikimit në 1951 romani “Rojë në thekërishtën buzë greminës” (“The Catcher in the Rye”) i autorit amerikan J.D. Salinger hyri në listën e librave më të shitur të New York Times. Që atëherë, libri – që shqyrton tri ditë në jetën e një djali të trazuar 16-vjeçar ka qenë një “e preferuar e censurës që nga publikimi i tij”, sipas Shoqatës Amerikane të Bibliotekave. Në vitin 1960, drejtuesit e shkollave në një shkollë të lartë në Tulsa, Okla, shkarkuan një mësues të anglishtes për caktimin e librit për tu lexuar nga studentët.
Ndërsa mësuesi më vonë fitoi ankesën e tij për shkarkimin, libri ka mbetur jashtë listës së parë të librave për tu lexuar.
Një komunitet tjetër në Columbus, Ohio e konsideroi librin si kundra të bardhëve dhe formoi një delegacion për ta ndaluar leximin e tij në shkollat lokale. Një bibliotekë e ndaloi atë për shkelje të kodeve për “gjuhën vulgare të tepërt, skena seksuale, gjëra që lidhen me çështjet morale, dhuna e tepruar.”
Kur u pyet për ndalim e librit, Salinger një herë tha: “Disa nga miqtë e mi më të mirë janë fëmijë. Në fakt, të gjithë miqtë e mi më të mirë janë fëmijë. Është pothuajse e padurueshme për mua që të kuptoj se libri im do të mbahet në një raft larg tyre”.
Seritë e Harry Potter, J.K. Rowling
Në vitin 2001, një grup prindërish në Ljuston, Mein ofruan një skenim të modës së vjetër, me djegie librash duke hedhur në zjarr një seri librash që ata pretendonin se nxisnin dhunë, shtrigani dhe adhurim të djallit. (Departamenti i zjarrfikësve ndërhyri përpara se të ndizej shkrepësja e parë, dhe organizatorët e protestës siguruan një palë gërshërë me të cilët të grisnin librat).
Ndonëse Herri Poteri ishte ende në “foshnjërinë” e vet letrare, saga e djaloshit magjistar ka fituar tashmë një pjesë të madhe kundërshtarësh: shfaqje të ngjashme pakënaqësie publike ndodhën në të gjithë Amerikën. Ndërkohë që Rauling ka përfunduar serinë, libri vazhdon të shkaktojë shpërthime shqetësuese emocionesh të publikut.
“E di përse këndon zogu në kafaz” nga Maya Angelou
Libri me kujtime i vitit 1970, i pari ndër pesë vepra autobiografike të Angelout zemëroi censorët për shkak të përshkrimit grafik që i bënte racizmit dhe seksit, sidomos pasazhet në të cilët ajo kujton se si ishte përdhunuar nga i dashuri i të ëmës kur kish qenë vetëm tetë vjeç. (Në libër, i cili më vonë u nominua edhe për Çmimin Kombëtar të Librit, Angelou aludon shpesh për Biblën, duke shkruar: Trupi jep, sepse fëmija mundet, ndërsa mendja e përdhunuesit nuk mundet).
Shoqata Amerikane e Librarive e ka renditur ndër pesë librat më të kundërshtuar të shekullit 21. Titulli i librit i referohet poemës së Pol Lorens Dunbar, të shkruar në vitin 1899. Dunbar është një prej poetëve afro-amerikanë më të shquar të Amerikës. Në vitin 1993, Angelou do të lexonte një poemë origjinale gjatë ceremonisë së betimit të Presidentit Bill Klinton, duke u bërë kështu e dyta poete në historinë e Shteteve të Bashkuara, pas fjalimit të Robert Frostit në vitin 1960, në ceremoninë e betimit të Xhon Fitzgerald Kenedit.
“Kandidi” nga Volteri
Kjo satirë klasike franceze vë në lojë dhe satirizon të gjithë gjërat e shenjta – ushtritë, kishat, filozofët, e madje edhe vetë doktrinën e optimizmit. Në kërkim “të botës më të mirë të mundshme”, protagonisti gjithmonë shpresëplotë i Volterit takon në vend të saj, të gjithë tragjeditë që jeta ka për të ofruar, dhe vazhdon duke i përshkruar secilën prej tyre në një mënyrë të shpejtë, të përpiktë dhe duke u bazuar në fakte. Efekti, sa të bën të qeshësh, aq është edhe tronditës. (Imagjinoni Monty Pythonin aty nga viti 1759).
Fraza në këtë libër: “Le ta hamë Jezuitin. Le ta hamë të tërin!” u shndërrua në moment, në një frazë shumë të përhapur. Këshilli i Madh i Gjenevës dhe administratorët në Paris e ndaluan librin menjëherë pas botimit, ndonëse brenda një viti u shitën 30 mijë kopje, duke e shndërruar në bestseller.
Në vitin 1930, Dogana e SHBA kapi kopje të librit të lidhura në Harvard dhe në vitin 1944, Zyra Postare e Shteteve të Bashkuara kërkoi që “Dëlirësia” të hiqej nga katalogu i kompanisë së madhe të shitjeve me pakicë, “Concord Books”.
“1984” nga Xhorxh Oruell
Është ironike, por edhe me vend që libri “1984” të hyjë në listën e Shoqatës së Librarive Amerikane të librave përgjithësisht të kundërshtuar, duke patur parasysh paralajmërimin e tij, krejt të hapur, ndaj censurës totalitare. I shkruar në vitin 1949 nga autori britanik, ndërkohë që ky kish zënë shtratin e vdekjes nga tuberkulozi, libri është një kronikë e të ardhmes së zymtë të një shoqërie të privuar krejt nga liria, privatësia dhe e vërteta.
Disa prej kritikëve e quajtën atëherë librin një sulm të maskuar kundër Jozef Stalinit dhe pastrimeve të famshëm të mesnatës të diktatorit sovjetik, megjithëse, çuditërisht disa prindër në Xhekson Kaunti, Florida e kundërshtuan ashpër librin në vitin 1981 duke e quajtur atë si prokomunist. Libri u bë shkak i lindjes së termave të tillë si “Big Brother” “Vëllai i Madh” dhe “Oruellian”, dhe ai vazhdon të shfaqet edhe sot e kësaj dite në kulturën pop – më së fundmi si frymëzim për një hit politik shumë të ndjekur në YouTube. Viti 1984 mund të ketë kaluar, por mesazhi i librit mbetet relevant ashtu si gjithmonë.
“Botë e re”, Aldus Haksklei
Vepra e Hakskleit e vitit 1932 – që flet për një shoqëri të droguar, teveqele dhe të prodhimit në masë – është kundërshtuar në vazhdimësi për shkak të temave të veta të seksualitetit, drogave dhe vetëvrasjes. Libri është një parodi e romanit utopik të Uellsit, “Njerëzit si perëndi” dhe shpreh neverinë e Hakskleit ndaj kulturës së rinisë dhe asaj të orientuar nga tregu në Shtetet e Bashkuara. Përtypja e çamçakëzëve, atëherë ashtu si sot një simbol i adoleshentëve amerikanë, shfaqet në libër si një mënyrë për të përhapur hormone seksi, si dhe për të nënshtruar të rriturit.
Në vizionin e Hakskleit për shekullin e 26-të, Henri Ford është Zoti i ri (besimtarët thonë “Our Ford” dhe jo “Our Lord”) dhe koncepti i prodhuesit të automobilave për prodhimin në masë është zbatuar në riprodhimin njerëzor. Jo më larg se viti 1993, një grup prindërish u përpoqën të nxjerrin jashtë ligjit dhe të ndalojnë librin në Korona-Norko, Kaliforni për arsye se ai “përqendrohej përreth negativitetit”.
“Vargjet satanikë”, Salman Rushdie
Ky libër shkaktoi protesta në të gjithë botën, për atë që disa e kanë quajtur një trajtim blasfemik të besimit islam (në të gjithë librin, Rushdie e quan profetin Muhamed si Mahund, emri mesjetar për djallin). Në vitin 1989, pesë vetë vdiqën në protesta në Pakistan dhe një turmë që qëllonte me gurë plagosi 60 vetë në Indi.
Ndonëse Rushdie nxorri një apologji, lideri shpirtëror iranian Ajatollah Ruhollah Khomeini dënoi publikisht me vdekje autorin indiano-britanik, duke vendosur një shpërblim 1 milionë dollarë për kokën e tij (një vrasës iranian do të merrte 3 milionë dollarë, premtoi Khomeini).
Ndërkohë që shtetet evropianë tërhoqën diplomatët e tyre nga Teherani, disa autorë myslimanë si fituesi i Cmimit Nobel, Naguib Mahfuz e mbrojti Rushdien dhe akuzoi Ajatollahun për “terrorizëm intelektual”. Ndërkohë, zyrtarë venezuelianë kërcënuan këdo që zotëronte ose lexonte librin me 15 muaj burg.
Japonia gjobiste këdo që shiste botimin në anglisht të librit; një përkthyes japonez më vonë u qëllua për vdekje, për angazhimin e tij me librin. Dy shitës të mëdhenj në SHBA – Uolldën Buks dhe Barns & Nobël – e hoqën librin nga raftet pasi morën kërcënime me vdekje. Dhe ndërkohë që botuesi i Rushdie, Viking Penguin denoncoi këtë lloj “censure me terrorizëm dhe kanosje”, rreziqet për akte dhune detyruan kompaninë të mbyllë përkohësisht zyrën e vet në Nju Jork, për të përmirësuar sigurinë. Nën mbrojtjen e autoriteteve britanike, vetë Rushdie jetoi i fshehur për afro një dekadë.
“Mein Kampf” i Adolf Hitlerit
Libri gjysëm biografik i Hitlerit, “Mein Kampf”, “Lufta ime” ka hapur gjithnjë debate. Botimi i tij ishte i ndaluar ligjërisht. Por pas skadimit të së drejtës së autorit në fund të vitit 2015, libri doli në shitje nw Gjermani, Shqipëri dhe në disa vende të tjera të botës. Botimi i ri gjerman i manifestit politik të Hitlerit për herë të parë pas 70 vjetësh, hapi debate të mëdha, nëse kjo vepër antisemite duhej botuar apo jo.
Landi gjerman i Bavarisë, që gëzonte të drejtën e autorit për librin e Hitlerit që nga viti 1945, i kishte refuzuar kërkesat e botimit, në shenjë respekti për viktimat e nazizmit. Por më 1 janar 2016, vepra u bë pronë publike.
Libri i Hitlerit është ndaluar në disa vende, përfshirë Austrinë dhe Holandën dhe është tabu në Izrael, ku gjenden vetëm kopje të shkurtuara për efekt studimi. Disa studiues izraelitë mendojnë se është e nevojshme të ketë një version të plotë në vend.
“Mein Kampf” është një përmbledhje e ideologjisë së Hitlerit dhe konsiderohet si baza e politikave të tij të Socializmit Kombëtar. Ai e shkroi atë kur ishte në burg, në Bavari, ku po kryente dënimin për tradhti, pas dështimit të një grushti shteti të vitit 1923 në Mynih./ Tirana Observer/