Policia e Durrësit ka arrestuar një 44-vjeçar, pas finalizimit të operacionit të koduar “Hidden line”, gjatë të cilit u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera të paligjshme.
Në pranga ra shtetasi V. Rr., 44 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve”, “Trafikimin e armëve dhe municionit”, si dhe “Prodhimin, mbajtjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit në subjektin e tij, një studio tatuazhesh në Durrës, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pistoletë, një kallashnikov, një granatë, dy krehra dhe municion luftarak të kalibrave të ndryshëm, një armë të ftohtë (dorezë metalike), një palë pranga të ngjashme me ato të Policisë, mjete për pastrimin e armëve si dhe një telefon celular.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 44-vjeçari i posedonte këto armë me qëllim trafikimin. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të goditjes së veprimtarive kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.











