Nga Vilant Xhori
Filozofi grek i shekullit VI para Krishtit, Herakliti, ka thënë se përplasja është babai i gjithçkaje. Në politikë, përplasja është edhe më e pashmangshme sepse opozita ekziston për t’u përplasur me pushtetin, për ta kontrolluar pushtetin dhe, kur vjen koha, për ta zëvendësuar atë. Por edhe përplasja ka një adresë.
Kur një opozitë fillon ta kërkojë atë gjithandej, përveçse aty ku ndodhet kundërshtari i saj kryesor, problemi nuk është më vetëm politik, por shumë me tepër se kaq. Është minimalisht problem orientimi ose për më keq është problem bashkëpunimi apo kapje nga qeveria.
Kjo është ajo që të bën të mendosh për sjelljen e opozitës shqiptare në këtë periudhë. Në vend që energjia e saj të përqendrohet te qeveria, përgjegjësitë e saj dhe betejat që duhet të zhvillojë përballë mazhorancës, ajo po e harxhon një pjesë të saj në përplasje me institucione të tjera të shtetit.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur sheh çfarë po ndodh brenda vetë opozitës. Për herë të parë në historinë politike europiane, e ndoshta edhe më gjerë, kemi parë protestues që, krahas kundërshtimit të qeverisë, kërkojnë publikisht edhe burgosjen e liderit të opozitës.
Është një zhvillim që, pavarësisht si vlerësohet, do të duhej të kishte shkaktuar një debat serioz brenda saj. Por në vend të pyetjeve të vështira për marrëdhënien me liderin e saj, opozita duket më e gatshme të gjejë një tjetër adresë ku të përqendrojë zemërimin.
Këtu hyn edhe përplasja e fundit me Presidencën.
Presidenti i Republikës ka dekretuar ligjin nr. 95/2026, që ndryshon ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i hapur rrugë hyrjes së tij të menjëhershme në fuqi. Projektligji nuk u shfaq papritur mbi tryezën e Presidentit. Ai është diskutuar prej muajsh dhe Presidenca ka pasur kohë të mjaftueshme për të krijuar një gjykim paraprak mbi të. Mund të diskutohet nëse ky gjykim ishte i drejtë. Mund të kundërshtohet ligji. Mund të argumentohet se ai nuk përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këto janë çështje legjitime për debat.
Por është diçka tjetër ta reduktosh me një gjuhë vulgare Presidentin në “roje të godinës”.
Nëse opozita mendon se Presidenti ka gabuar, duhet të tregojë ku. Nëse mendon se ka shkelur Kushtetutën, duhet të tregojë nenin. Nëse mendon se ka gabuar përballë protestave, duhet të shpjegojë çfarë duhej të kishte bërë. Kjo do të ishte kritikë politike. Fjalori edhe personal edhe ordiner është thjesht zhurmë.
Sidomos sepse argumenti se Presidenti nuk ka folur për protestat nuk qëndron. Edhe në mesazhin e tij të fundit për celjen e sesionit parlamentar, Begaj foli për protestën paqësore si pjesë të jetës demokratike dhe për nevojën që energjia qytetare të kanalizohet drejt dialogut dhe zgjidhjeve. Mund të gjykohet nëse ishte mjaftueshëm i fortë, por nuk mund të thuhet se protestat nuk kanë qenë pjesë e mesazhit të tij.
Dhe këtu opozita duhet të ketë kujdes. Një forcë që kërkon të rikuperojë besimin nuk mund ta rëndojë më tej imazhin e vet me një gjuhë që e ul debatin nga niveli institucional në atë personal.
Pas sulmeve familjare e politike ndaj kryetarit të saj dhe më pas rikthimit te nënshtrimi ndaj të njëjtit lider për hir të mbijetesës politike, aktorët brënda opozitës do të duhej të kishin nxjerrë të paktën një mësim se jo çdo konflikt fitohet duke ngritur zërin dhe jo çdo dobësi politike mund të mbulohet duke gjetur një armik të ri, aq më tepër që për këtë shfrytëzohet pikërisht logoja e opozitës.
Prandaj, beteja nuk mund të jetë as me Presidentin, as me institucionet dhe, mbi të gjitha, me kundërshtarë të rinj të shpikur për të shmangur pyetjet e vjetra që opozita nuk ka guxuar t’ia bëjë vetes brenda shtëpisë së saj.
Madje, opozita është përplasur edhe me qytetarët kur ka parë se agjenda e tyre nuk përputhej me të sajën, duke shpallur armiq edhe ata që protestojnë prej më shumë se 100 ditësh. Sepse nëse opozita vazhdon të luftojë në çdo derë përveç asaj ku duhet të trokasë, një ditë mund të zbulojë se nuk i ka mbetur më askush për të fajësuar për humbjet e vashdueshme të betejave, përveç vetes.











