Policia e Tiranës ka dokumentuar 5 raste vjedhjesh në biznese të ndryshme.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se në pranga ka përfunduar 39-vjeçarja Kumrie Zika, e cila u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Emri i Kumrie Zikës është i njohur për policinë, pasi edhe dy muaj më parë ajo kishte grabitur të tjera biznese në kryeqytet, përmes skemave të ngjashme.
“Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”. Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej. Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2. Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase”, thuhet në njoftimin e “bluve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.











