Nga Alec Russell dhe Abigail Hauslohner, Financial Times
Që kur u themelua në tetor të vitit 1945, në një shpërthim idealizmi pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit më të zgjuar të OKB-së kanë kuptuar se fuqia e tyre kryesore buronte nga “katedra”: ata mund të turpërojnë dhe kritikojnë publikisht shtetet anëtare.
Dag Hammarskjold, sekretari i dytë, i cili vdiq në një aksident misterioz ajror në vitin 1961, ndërsa ndërmjetësonte në Kongo, ishte mjeshtri më i mirë i këtij qasjeje. Kur ai fliste, bota dëgjonte.“OKB-ja nuk u krijua për të çuar njerëzimin në parajsë”, tha ai. “Por për të shpëtuar njerëzimin nga ferri”.
Sekretari i përgjithshëm aktual, më i kujdesshmi António Guterres, herë pas here ruan traditën e të folurit hapur. Javën e kaluar, ai mbajti një konferencë shtypi në selinë e OKB-së dhe kritikoi ashpër Izraelin për ofensivën në Rripin e Gazës.
Gjuha e tij ishte e prerë dhe pa diplomatizmin karakteristik të OKB-së. “Po shohim vrasje masive të civilëve… dhe po shohim pengesa dramatike për shpërndarjen e ndihmave humanitare”, tha ai. “E vërteta është që kjo është diçka që është moralisht, politikisht dhe ligjërisht e papranueshme”.
Megjithatë, bota duket se nuk po dëgjon më. Luftërat në Ukrainë, Gaza dhe Sudan kanë nxjerrë në pah një përshtypje se rendi i vendosur nga OKB-së është në rrezik. Zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm të OKB-së e pranojnë se organizata shpesh duket thjesht një spektator, në një botë ku gjithnjë e më shumë “fuqia është e drejtë”.
“Guterres thotë gjëra mjaft të guximshme. Por tani ai konsiderohet si jashtë loje dhe jo si një lojtar,” thotë Lord Mark Malloch-Broun, ish-kreu i Programit të Zhvillimit të OKB-së dhe nënsekretar i përgjithshëm nën Kofi Annan në vitin 2006. “Salla e konferencave në kohën e Kofi-t ishte plot me gazetarë. Tani është më shumë si një mausoleum sesa një sallë shtypi”.
Për zyrtarët e OKB-së, kritikat nuk janë të reja. Konservatorët amerikanë prej kohësh e shohin OKB-në si një frenë të fuqisë amerikane dhe e akuzojnë atë për njëanshmëri ndaj vendeve të jugut global dhe kauzave progresiste. Ndërkohë, vendet në zhvillim e akuzojnë shpesh për një qëndrim pro-perëndimor. Ndërsa OKB-ja është zgjeruar, por ka fituar edhe reputacionin e një burokracie gjigante, që nuk është e përshtatshme për një botë me ritëm të shpejtë.

Por, ndërsa udhëheqësit botërorë takohen në Nju Jork këtë javë për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka një ndjesi se në 80-vjetorin e saj, OKB-ja po përballet me presionin më të madh mbi qëllimin e saj. Edhe Papa është bashkuar në kritika. Më parë këtë muaj, në intervistën e tij të parë si kreu i Kishës Katolike në maj, ai tha se “duket se është pranuar gjerësisht se OKB-ja ka humbur aftësinë për të bashkuar njerëzit”.
Në zemër të krizës qëndron bllokimi në Këshillin e Sigurimit, organi që sipas OKB-së ka detyrën për të mbikëqyrur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 shkatërroi idenë e paprekshmërisë së kufijve kombëtarë dhe çoi në paralizë në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia — së bashku me SHBA-të, Kinën, Britaninë dhe Francën — ka të drejtë të përdorë të drejtën e vetos.
Dhe tani administrata e Donald Trump-it, me një qasje unilateraliste dhe konfrontuese, në mënyra të ndryshme sfidon dhe dobëson parimet dhe vlerat themelore të OKB-së.
“OKB-ja në 80-vjetorin e saj po përballet me dy kriza njëkohësisht, të brendshme dhe të jashtme”, thotë Nader Mousavizadeh, ndihmës i lartë i OKB-së pranë Annan-it në fund të viteve 1990. “Kriza e brendshme vjen nga 20 vjet autoritet në rënie, kapacitete në rënie dhe ndikimi në rënie, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë, më të varfrit dhe njerëzit në zonat e konfliktit. Kriza e jashtme vjen nga kthimi në një konflikt dhe konkurrencë midis fuqive të mëdha dhe paraliza në Këshillin e Sigurimit që nuk është parë në 50 vjet”. Ai shton: “Dhe kjo ndodh në një kohë kur një anëtar themelues, fuqia më e rëndësishme në botë, Amerika, sillet në çdo mënyrë sikur OKB-ja është e parëndësishme, përveç kur e konsideron si një pengesë aktive”.
Nga jashtë, OKB-ja përballet me një sfidë të tretë, të krijuar nga grupime të reja që synojnë të konkurojnë — të drejtuara nga fuqitë e jugut global dhe nga mbështetësit tradicionalë në Evropë, përfshirë Kanadanë, e cila, e zhgënjyer nga OKB-ja, po planifikon partneritete të reja për zhvillim dhe shëndet global.
“Për OKB-në, kjo krizë trefishe është ekzistenciale”, thotë Mousavizadeh, tani drejtues ekzekutiv i Macro Advisory Partners.
Në këtë sfond të zymtë për 80-vjetorin e saj, sekretariati i OKB-së po zbulon programin UN80 për reforma. Propozimet përfshijnë konsolidimin e disa nga shumë entitete dhe programe të OKB-së dhe shkurtime të mëdha në buxhet. Aleatët e OKB-së flasin me optimizëm për krizën, si një mundësi për ndryshime shumë të nevojshme.
Ata shpresojnë që kjo do të hapë rrugën për një organizatë më efikase dhe e fokusuar më shumë në mbrojtjen e vlerave thelbësore të themeluesve të saj. Por, ka edhe një skenar më pesimist: ai i Ligës së Kombeve, e paraardhëses fatkeqe të OKB-së pas Luftës së Parë Botërore, e cila “u rrëzua” menjëherë, pasi nuk arriti të parandalonte shkuarjen e botës drejt Luftës së Dytë Botërore.
Sigrid Kaag, ish-zëvendëskryeministre e Holandës dhe me disa role në OKB, përfshirë koordinatore e posaçme e procesit të paqes në Lindjen e Mesme, nuk i kursen fjalët. “OKB-ja është në një pikë irrelevante. Kjo është gjendja e saj. Ëndrra mund të jetojë, por askush nuk shikon lajmet dhe thotë se çfarë ndodhi në OKB. A mund të shpëtohet? Po. Por kjo është çështje vullneti,” thotë ajo. “Dhe nuk është çështje e ripërtëritjes së OKB-së së së kaluarës; kërkon një strukturë krejtësisht ndryshe — dhe një qasje krejtësisht ndryshe”.
Çdo reformë serioze strukturore në OKB duhet të marrë mbështetjen e 193 shteteve anëtare, por aktori më i rëndësishëm, si në gjithë historinë e OKB-së, do të jetë SHBA-ja. Ajo jo vetëm që formësoi organizatën në vitin 1945, por ka qenë edhe financuesi kryesor — edhe pse shpesh ka kundërshtuar dhe ndonjëherë ka injoruar udhëzimet e saj. Fjalimi i Trump-it në Asamblenë e Përgjithshme të së martës vjen në një kohë veçanërisht të tensionuar në marrëdhëniet midis OKB-së dhe vendit pritës.
“SHBA-ja ka pasur standarde të dyfishta gjatë gjithë ekzistencës së OKB-së”, thotë Malloch-Broun. “Por ajo ka vazhduar ta mbështesë dhe ka kërkuar ta përshkruajë politikën e saj të jashtme si në përputhje me parimet e OKB-së, edhe kur kjo ka qenë e diskutueshme”. Por tani, shton ai, jo vetëm që “rendi ndërkombëtar bazuar në rregulla është pothuajse i zhdukur”, por qasja “Amerika e para” e Trump-it ka shtrënguar marrëdhëniet me OKB-në thuajse deri në pikën e thyerjes.
Ndërkohë që ish-presidenti George W. Bush kishte mospajtime të njohura me Annan për vendimin për të pushtuar Irakun në vitin 2003, të dy flisnin rregullisht gjatë dy mandateve të Bush-it; Bush madje organizoi një darkë lamtumire për të. “Nuk jam i sigurt nëse Trump i flet Guterres, përveçse kur shkon në Nju Jork për të mbajtur fjalimin”, thotë John Bolton, ambasador i Bush-it në OKB dhe këshilltar për sigurinë kombëtare në mandatin e parë të Trump-it, tani kritik i hapur.
Shumë persona në administratën e Trump-it dhe aleatë në Kongresin amerikan duan që administrata të distancohet shumë më tepër nga OKB-ja.Masa të propozuara nga konservatorët janë projektet ligjore, që do të kërkonin një tërheqje të plotë amerikane nga OKB-ja dhe mbylljen e selisë së saj.
Pastaj është Izraeli, një nga çështjet më të mëdha të tensionit në marrëdhënien e Uashingtonit me OKB-në. “Izraeli e sheh OKB-në si një forcë armiqësore, përfshirë sekretariatin dhe shumë prej vendeve anëtare”, thotë William Grant, që shërbeu në misionin amerikan në OKB gjatë administratës Obama. “Prandaj roli i SHBA-së ka qenë shpesh të mbrojë dhe të pengojë sulmet kundër Izraelit”.
Reagimi global për koston civile të luftës 23-mujore të Izraelit në Gaza, e shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, ka shtuar tensionet. “Administrata Trump ka çuar kritikën [kundër OKB-së] në një nivel të ri”, thotë Peter Rough, drejtor i Qendrës për Europën dhe Euro-azinë në Institutin Hudson, një mendimtar konservator. Nëse OKB-ja nuk “i bën punët e saj”, paralajmëroi Trump në shkurt, “atyre do t’u humbasë besueshmëria, si dhe organizatave të tjera dhe atëherë nuk do të jenë asgjë”.
Gjithashtu është pothuajse doktrinë për administratat republikane të ankohen për OKB-në, por të bëjnë pak për të ndryshuar marrëdhënien e Uashingtonit me të. Jeane Kirkpatrick, ambasadore e Ronald Reagan-it në OKB, kishte thënë në mënyrë famëkeqe se SHBA-ja do të donte të largohej nga OKB-ja.
Trump dhe ekipi i tij herë pas here pranojnë idealet e OKB-së. Në shkurt, Trump tha se besonte ende në “potencialin e jashtëzakonshëm” të OKB-së. Por ai gjithashtu vuri në dukje se “jo të gjithë” në administratën e tij pajtohen me këtë. Eugene Kontorovich, ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Fondacionin Heritage, të lidhur me Trump-in, parashikon që administrate amerikane nuk do të ketë interes të punojë me OKB-në për reforma.
Administrata e SHBA-ve “pothuajse me siguri” do të vazhdojë të tërhiqet nga angazhimi dhe financimi në OKB, duke parë shumë nga funksionet e OKB-së — përfshirë ndihmën — si veprime që mund të realizohen po aq mirë nga “një institucion tjetër, jo global dhe pa trashëgimi.” Qëndrimi i SHBA-së si anëtare, thotë ai, është thjesht produkt i “inercisë burokratike.”
Për shumicën e vendeve anëtare, prioritet është reforma e Këshillit të Sigurimit, ku grupi prej pesë anëtarësh me të drejtë vetoje reflekton arkitekturën e vitit 1945. India, Indonezia, Brazili, Nigeria dhe fuqitë në rritje të tjera kërkojnë një vend në tavolinën e lartë të OKB-së. Por diplomatët pranojnë se për tani do të mbetet po ashtu, pasi nuk ka shanse për të rënë dakord se kë të promovojnë.
Në vend të kësaj, fokusi është si të reformohet axhenda dhe operacionet e OKB-së, edhe pse objektivat janë shumë të kontestuara. Këndi kryesor i ndarjes është nëse duhet të përqendrohet në paqe dhe siguri dhe të reduktojë iniciativat humanitare; apo të mbajë angazhimet për zhvillim të qëndrueshëm, luftë kundër ndryshimeve klimatike dhe pabarazisë, duke i bërë ato më të thjeshta.
Guy Ryder, nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për politikën dhe kryetar i grupit punues UN80, thotë se sekretariati është i qartë që OKB-ja duhet të mbetet e përqendruar në të tri shtyllat e saj origjinale: paqen dhe sigurinë, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut.











