Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, zhvilloi një takim me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.
Në fokus të takimit ishin zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi që ato mund të kenë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë, të drejtat e individëve dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë.
Gjatë diskutimit u vu theksi edhe te rëndësia e përfshirjes së të gjitha palëve në çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë. Sipas Prezencës së OSBE-së, në këtë proces duhet të përfshihen në mënyrë kuptimplotë institucionet e drejtësisë, si dhe aktorët e tjerë të sistemit.
“Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin e tij, në të drejtat e individit dhe standardet për gjykim të drejtë.
Gjatë diskutimit, u theksua, gjithashtu, rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në çështjet që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit të drejtësisë, shtetin e së drejtës në tërësi dhe besimin e publikut”, thuhet në njoftim.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu te ndikimi që zhvillimet në drejtësi mund të kenë në shtetin e së drejtës dhe besimin e publikut te institucionet.











