Në Gjenevë, u organizua ceremonia inauguruese e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Zvicër (ALSWISS), nismë e një grupi sipërmarrësish shqiptarë dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane me mbështetjen e ngushtë të Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve të Kantonit të Gjenevës.
Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm dhe përshëndetën François Lefort, Kryetar i Parlamentit të Kantonit e Republikës së Gjenevës ; Vincent Subilia, Kryetar i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve të Gjenevës si dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, Ilir Gjoni.
Takimi u përshëndet (në linjë) nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet Sekretarit të saj të Përgjithshëm A. Kamenica; nga S. Çili, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë Zvicër-Shqipëri me seli në Tiranë, dhe nga sipërmarrësi dhe drejtuesi i Universitetit Marin Barleti, Tiranë, A. Dudaj. Në emër të grupit nismëtar përshëndetën E. Yzeiraj dhe z. F. Demneri.
ALSWISS parashikon dhe ka për objektiv të krijojë dhe zhvillojë marrëdhënie zhvillimore biznesi dhe të karakterit tregtar ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Shqipërisë. Ajo do të jetë në marrëdhënie bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë Zvicër-Shqipëri me seli në Tiranë.
Duke marrë në konsideratë politikat aktuale të Shqipërisë, si dhe klimën e biznesit, ALSWISS do të fokusohet gjatë veprimtarisë së saj në fushat si turizëm, bujqësi, kulturë, investimet në pasuritë e paluajtshme, industrinë e shërbimeve, etj.
Themelimi i ALSWISS përbën një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Realizimi i saj u bë i mundur falë angazhimit dhe punës së bashkërenduar mes përfaqësuesve të bizneseve shqiptare në Zvicër e Shqipëri, diplomatëve të Ambasadës shqiptare në Bernë dhe mbështetjes së pakursyer të Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve në Gjenevë.
Krijimi i ALSWISS pikërisht në këtë situatë të vështirë në rang global, është një shembull shprese dhe do të shërbejë si gjeneratore e energjive dhe mundësive të reja që i ofrohen bizneseve shqiptare e zvicerane në të ardhmen. Ajo do të jetë një derë e hapur dhe një instrument i vyer në duart e bizneseve shqiptare që dëshirojnë të realizojnë këmbime tregtare e ekonomike mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
g.kosovari
Ju lumte djema. Na beni krenare ne nenave qe kemi lindur e rritur njerez si ju. Ju inkurajojme qofte Zoti me ju.