Albano Bogdo ishte i ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë”, të moderuar nga Alban Musa, ku komentoi reagimet ndaj një prej numrave humoristikë të transmetuar në puntatën e parë të sezonit të ri të “Portokallisë”.
Skeçi, i cili trajtonte protestat e fundit në vend, u interpretua ndryshe nga një pjesë e publikut dhe shkaktoi kritika. Aktori sqaroi se materiali ishte bazuar vetëm në ngjarje të zhvilluara gjatë protestës dhe se nuk kishte pasur asnjë shtesë apo synim denigrues.
“Ata që e kanë keqkuptuar nuk kanë keqkuptuar asgjë, thjesht gënjejnë njerëzit e thjeshtë”, deklaroi Bogdo.
Sipas tij, gjatë 130 ditëve të protestës askush nuk ka vënë në diskutim të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Ai ngriti pikëpyetje për standardin e dyfishtë që, në këndvështrimin e tij, shfaqet kur humoristëve u kërkohet të mos reagojnë.
“Në qoftë se nuk ju pëlqen humori, ndërroni kanal. Është kaq e thjeshtë”, u shpreh aktori.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për reagimet negative në rrjetet sociale, duke thënë se kritika nga përdorues anonimë është një dukuri me të cilën përballen programet humoristike në të gjithë botën, përfshirë edhe emisionet e njohura amerikane “late night shows”.
Bogdo tha se e ka të vështirë të kuptojë se përse disa persona zgjedhin të shpenzojnë kohë duke shkruar komente në internet, në vend që t’ia kushtojnë atë familjes, punës apo angazhimeve të tjera të jetës.
“Në qoftë se do të ulesh të shikosh për çfarë kemi punuar gjithë javën dhe të qeshësh, ulu. Në qoftë se nuk të shijon, ndërro kanal”, përfundoi ai, duke nënvizuar se kritikat anonime nuk do ta bëjnë të ulë standardet e punës së tij.











