Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 23-vjeçari ka ndodhur në aksin rrugor Fushë-Krujë–Tiranë, në afërsi të fshatit Larushk, ndërsa autoambulanca që po transportonte të plagosurin është përfshirë më pas në një tjetër përplasje rrugore afër kryeqytetit.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti i parë ka ndodhur kur një automjet tip “Audi”, i drejtuar nga 18-vjeçari me iniciale M. S., dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar. Për të shmangur përplasjen me të, drejtuesi i një automjeti “Volkswagen” ka devijuar duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë e goditjes, ka humbur jetën në vend pasagjeri i mjetit, shtetasi egjiptian E. A., 23 vjeç, i cili punonte si mekanik në kompaninë e 18-vjeçarit.
Dramatizimi i ngjarjes ka vijuar gjatë transportit emergjent të të plagosurit drejt Tiranës. Autoambulanca e ndihmës së shpejtë është përplasur me një tjetër automjet në afërsi të hyrjes së kryeqytetit.
Nga përplasja e dytë nuk ka patur të dëmtuar mes stafit mjekësor apo pacientit. I plagosuri është marrë menjëherë nga një autoambulancë e Kamzës dhe është dërguar në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të të dyja ngjarjeve.











