Ligji i Vetingut, nëse nuk rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të opozitës, pritet të prodhojë surpriza dhe befasi. Dy organet që do të kalojnë në skanerin e trefishtë njerëzit e drejtësisë, Komisioni i Vlerësimit dhe Kolegji i Apelimit, do të kryejnë “vizita” blic në shtëpitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të konstatuar dhe vlerësuar pasuritë paluajtshme dhe të luajtshme.
Përpos vlerësimit të vilave, bizneseve dhe makinave, ekspertët e Komisionit të Vlerësimit dhe Kolegjit të Apelimit do të zbarkojnë në shtëpitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të kontrolluar për paratë, orët e shtrenjta, pikaturat, çantat luksoze, byzylykët, kostumet, orenditë dhe çdo send tjetër me vlerë, që komprometon subjektin. Një pjesë të sendeve me vlerë, janë ekspozuar nga vetë gjyqtarët gjatë mbledhjeve të Konferencës Gjyqësore, duke e kthyer këtë të fundit në paradë.
Vizitat në shtëpitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kryhen me vendim të gjykatës, në kuadër të mbledhjes së provave, gjatë procesit të hetimit të subjektit. Kontrollet janë parashikuar në nenin 42 të ligjit për Vetingun. Neni 42 parashikon që, me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, Komisioni ose Kolegji i Apelimit mund të vizitojë dhe të kontrollojë sende të luajtshme ose të paluajtshme bazuar në vendimin e gjykatës kompetente./shqiptarja/r.a