Shqipëria po përjeton një transformim të dukshëm në sektorin e turizmit, ku investimet infrastrukturore, përmirësimi i lidhshmërisë dhe zgjerimi i ofertës turistike po e shndërrojnë vendin në një destinacion gjithnjë e më të aksesueshëm dhe të larmishëm gjatë gjithë vitit.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, në një intervistë për ATSH, u ndal në dinamikat kryesore të këtij zhvillimi, duke theksuar se turizmi sot nuk është më i kufizuar vetëm në zonat bregdetare, por është shtrirë ndjeshëm edhe në zonat rurale dhe malore.
Sipas tij, ky zgjerim është rezultat i drejtpërdrejtë i investimeve të realizuara në infrastrukturën rrugore, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm aksesin në zona që më parë konsideroheshin të vështira për t’u arritur. Ai thekson se Shqipëria ka një gjeografi unike që e mundëson kombinimin e turizmit bregdetar me atë malor brenda një kohe shumë të shkurtër, duke krijuar një ofertë të re dhe më konkurruese për vizitorët.
“Deri para disa vitesh, zonat rurale dhe malore ishin më pak të vizituara, kryesisht për shkak të aksesit të kufizuar dhe infrastrukturës së dobët. Sot, falë investimeve të vazhdueshme në rrugë dhe ndërlidhje, është bërë e mundur që turistët të lëvizin shumë më lehtë nga një destinacion në tjetrin. Kjo ka rritur ndjeshëm lëvizshmërinë dhe ka zgjeruar hartën turistike të vendit”, u shpreh Musabelliu.
Ai thekson se një nga ndryshimet më të rëndësishme në vitet e fundit lidhet me mënyrën e ardhjes së turistëve në Shqipëri. Nëse më parë turizmi dominohej nga vizitorët rajonalë që vinin kryesisht përmes rrugëve automobilistike, sot panorama është krejtësisht ndryshe. Sipas tij, pas vitit 2020, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve nga tregje më të largëta si Evropa Veriore, ajo Qendrore, Lindja e Mesme dhe Azia, duke ndryshuar profilin e turizmit në vend.
“Kjo ka sjellë një rritje të madhe të rolit të transportit ajror. Sot, mbi 10 milionë pasagjerë kalojnë përmes aeroportit të Rinasit, çka tregon qartë se Shqipëria nuk është më vetëm një destinacion rajonal, por një vend i lidhur me tregje globale. Zgjerimi i aeroportit dhe ndërtimi i aeroporteve të reja janë vendimtare në këtë proces”, tha ai, duke shtuar se kapacitetet e përpunimit dhe cilësia e shërbimeve janë përmirësuar ndjeshëm.
Musabelliu thekson se roli i aeroporteve dhe porteve nuk kufizohet vetëm në hyrjen e turistëve, por shtrihet edhe në rritjen e aksesueshmërisë së brendshme dhe shpërndarjen më të mirë të fluksit turistik në territor. Sipas tij, lidhshmëria ajrore, me rreth 90 deri në 100 destinacione fluturimi në ditë, e bën Shqipërinë një destinacion shumë më të lehtë për t’u arritur nga qytete të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, duke rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë e saj.
Një tjetër element kyç në zhvillimin e turizmit, sipas tij, është infrastruktura rrugore. Investimet në korridoret kryesore kombëtare si Korridori Adriatiko-Jonian dhe në rrugët e brendshme kanë krijuar një sistem më të integruar qarkullimi, duke lidhur më mirë zonat bregdetare me ato malore dhe rurale.
“Rrjeti rrugor është thelbësor për mënyrën se si zhvillohet turizmi. Korridori Adriatiko-Jonian dhe një sërë rrugësh të reja që lidhin zonat e brendshme me bregdetin kanë bërë të mundur që turistët të përjetojnë disa destinacione brenda një udhëtimi të vetëm. Sot është e mundur që në mëngjes të jesh në bregdet dhe pasdite në zonat malore”, u shpreh ai.
Sipas Musabelliut, kjo ndërlidhje ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë edhe në ekonomitë lokale, duke sjellë zhvillim në zona që më parë kishin aktivitet të kufizuar ekonomik. Ai përmendi se përmirësimi i aksesit ka ndikuar në rritjen e investimeve në agroturizëm dhe në bizneset e vogla lokale.
Duke folur për zhvillimin energjetik, ai theksoi se energjia luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e turizmit dhe investimeve në zonat turistike, pasi garanton funksionimin e qëndrueshëm të infrastrukturës dhe bizneseve. Sipas tij, stabiliteti energjetik është një nga faktorët bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Musabelliu u ndal edhe te zonat që po shihen si shembuj të ringjalljes ekonomike përmes turizmit, duke theksuar se shumë destinacione rurale dhe malore që më parë nuk kishin vëmendje, sot janë kthyer në pika të rëndësishme të zhvillimit turistik dhe ekonomik.
Në lidhje me mbështetjen për sektorin privat, ai tha se qeveria ka ndërmarrë një sërë lehtësirash fiskale dhe programesh zhvillimi, me fokus të veçantë në agroturizëm dhe investimet në zonat rurale. Ai përmendi gjithashtu programet për restaurimin e kullave në veri të vendit, të cilat po kthehen në bujtina dhe struktura turistike.
“Deri më tani ka pasur një objektiv strategjik që ka qenë tërheqja e markave ndërkombëtare të hotelerisë, sepse ato përbëjnë jo vetëm një etalon të shërbimit dhe cilësisë së shërbimit, por edhe një shenjë besueshmërie të industrisë sonë të turizmit. Për këtë arsye ka pasur një sërë lehtësirash fiskale për këto brande dhe për hotelet me pesë yje me marka ndërkombëtare. Ndërkohë, paralelisht me këtë qasje, kemi edhe shumë iniciativa të tjera për të mbështetur agroturizmin dhe zhvillimin e ekonomisë malore dhe rurale. Aktualisht kemi arritur një numër të kënaqshëm agroturizmash, por gjithsesi ato ende nuk janë të përhapura në të gjithë territorin e Shqipërisë. Për këtë arsye kemi edhe iniciativa të tjera, siç është për shembull “Paketa e Maleve”, e cila jep mundësi për zhvillimin e zonave rurale edhe në zona deri diku më të thella apo më të mëdha. Ekzistojnë një sërë programesh, përfshirë programet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe programe të tjera që po prezantohen, si për shembull programi për “100 kullat”, ku kryesisht në veri të Shqipërisë, kulla të vjetra do të restaurohen me mbështetjen financiare dhe të GIZ-it dhe do të kthehen në bujtina apo agroturizma”, deklaroi Musabelliu.
Duke parë pesë vitet e ardhshme, Musabelliu u shpreh se turizmi shqiptar do të bëhet më i qëndrueshëm, më i shpërndarë dhe më i integruar në ekonomi, duke kontribuar në mënyrë më të thellë në zhvillimin e vendit.
Sipas tij, turizmi kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke arritur deri në 20-25% të tij, përmes një zinxhiri të gjerë aktivitetesh ekonomike që përfshijnë jo vetëm shërbimet turistike, por edhe transportin, tregtinë, ndërtimin dhe industri të tjera mbështetëse.
“Turizmi ka një impakt shumë të lartë në ekonominë shqiptare, jo vetëm si sektor më vete, por edhe përmes lidhjeve të tij me një sërë industrish të tjera që furnizojnë ose përfitojnë prej tij. Kjo e bën ndikimin e tij shumë më të gjerë sesa thjesht shifrat direkte të vizitorëve apo shërbimeve turistike”, u shpreh Musabelliu.
Ai shtoi se sfida kryesore për të ardhmen është rritja e mëtejshme e vlerës së shtuar që turizmi sjell në ekonominë vendase, veçanërisht përmes lidhjes më të fortë me prodhimin vendas.
“Synimi ynë është të rrisim konsumin e produkteve shqiptare nga turistët, duke forcuar lidhjen mes turizmit dhe bujqësisë dhe industrisë ushqimore. Sa më shumë produkte lokale të konsumohen nga vizitorët, aq më shumë përfiton ekonomia në tërësi dhe aq më i shpërndarë bëhet efekti i turizmit në territor”, u shpreh zv.ministri.
Sipas Musabelliut, zhvillimi i zinxhirit të furnizimit lokal dhe rritja e prodhimit vendas janë elementë kyç për të maksimizuar përfitimet ekonomike të sektorit turistik në vitet në vijim.
Zëvendësministri Musabelliu u bëri thirrje investitorëve vendas dhe të huaj që të shfrytëzojnë potencialin e madh që ofron Shqipëria në këtë sektor, duke e cilësuar turizmin si një nga fushat më dinamike dhe me kthim të lartë të investimit në vend.











