Ish-peshkopi australian Christopher Saunders është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg për abuzim seksual ndaj dy të rinjve aborigjenë, gjatë kohës kur shërbente si klerik katolik.
Saunders, 76 vjeç, u shpall fajtor në gusht për një akuzë përdhunimi dhe 12 akuza për sulm të pahijshëm. Gjykata e Qarkut në Australinë Perëndimore e dënoi të mërkurën, ndërsa ai do të ketë të drejtë të kërkojë lirimin me kusht në shkurt të vitit 2031.
Sipas akuzave për të cilat u shpall fajtor, Saunders abuzoi seksualisht me dy të rinj gjatë periudhës 2010-2019. Ai i ftonte në ambiente të ndryshme, u siguronte alkool dhe përdorte, në disa raste, fonde dhe prona të kishës.
Gjatë gjyqit u dëshmua se Saunders i kishte puthur dhe ngacmuar seksualisht viktimat, ndërsa në një rast ishte dënuar edhe për detyrimin e njërit prej tyre të kryente seks oral. Juria e liroi atë nga akuzat që lidhen me një të ri të tretë.
Një nga viktimat tha në deklaratën e tij në gjykatë se e kishte pasur të vështirë të fliste për abuzimin dhe për pasojat që ai kishte lënë tek ai.
Gjykatësi Martin Flynn tha se Saunders kishte “shpërfillur dinjitetin” e viktimave dhe u kishte shkaktuar atyre pasoja afatgjata.
Saunders dha dorëheqjen si Peshkop i Broome në vitin 2020, pasi akuzat për keqbërje u bënë publike. Ai ishte shuguruar në vitin 1976 dhe kishte shërbyer për pjesën më të madhe të karrierës së tij në rajonin e largët Kimberley, në Australinë Perëndimore.
Kryepeshkopi i Perthit, Timothy Costelloe, u shprehu keqardhjen viktimave dhe vlerësoi guximin e tyre për të dalë përpara dhe për të kërkuar drejtësi.
Akuzat ndaj Saunders u bënë publike për herë të parë në vitin 2020. Hetimi fillestar policor u mbyll pa ngritur akuza, përpara se çështja të rikthehej më vonë në proces gjyqësor.











