Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, deklaroi se Irani duhet të bëjë një reduktim “kuptimplotë” të kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit, nëse dëshiron të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit shtatëmujore mes dy vendeve.
Vance tha se Uashingtoni nuk kërkon vetëm angazhime për uljen e kapaciteteve në të ardhmen, por masa konkrete nga Teherani për reduktimin e kapacitetit aktual të pasurimit bërthamor.
“Ne nuk do të shkëmbejmë fjalë me veprime”, tha Vance, duke nënvizuar se SHBA-ja kërkon hapa konkretë nga Irani.
Sipas zëvendëspresidentit amerikan, pasurimi i uraniumit në nivele të larta është i papajtueshëm, sipas këndvështrimit të Uashingtonit, me pretendimin se programi bërthamor i Iranit nuk synon prodhimin e armëve bërthamore.
Irani dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer propozime gjatë javëve të fundit në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të mundësuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore globale për transportin e energjisë.
Vance tha se administrata amerikane mbetet e hapur për një marrëveshje, por kërkon lëshime konkrete nga Teherani në çështjen bërthamore. Ai pranoi gjithashtu se Uashingtoni nuk është plotësisht i sigurt se si merren vendimet në Teheran gjatë negociatave.
Zëvendëspresidenti, i cili më herët ka shprehur skepticizëm për përfshirjen e SHBA-së në luftërat e huaja, ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për negocimin e një zgjidhjeje të konfliktit.
Sipas deklarimeve të tij, një marrëveshje e qëndrueshme do të kërkonte që Irani të ndërmerrte hapa të matshëm për kufizimin e kapacitetit të tij të pasurimit bërthamor.











