Më i sigurt është një hajdut banke në vend se sa konsumatori ndaj ushqimeve…
Hysni Gurra, inxhinier agrar, thotë se pas viteve ’90, shqiptarët kanë konsumuar ushqime jashtë çdo lloj standardi. Individët që në vitet 1990 kanë qenë 20 vjeç, sot janë dyzetvjeçarë dhe po përjetojnë nivel të lartë sëmundjesh sidomos tumoret, ndryshe nga vendet e tjera kur këto sëmundje shfaqen mbi të 60-tat.
Gurra thotë se Shqipëria ka siguri ushqimore vetëm në legjislacion, në praktikë gjendja nuk është aspak pozitive.
“Unë nga terreni di se kontrollet nuk ekzistojnë, përdoren si presione për fushatat në periudha të caktuara dhe kaq”. Ai thotë se inspektorët që duhet të garantojnë sigurinë janë të emëruar politikisht, të paaftë, në bashki të vogla njihen të gjithë me njëri-tjetrin dhe për miqësi tolerojnë, me dy lek nëndorë mbyllin sytë, dokumentacionin dhe aktet e inspektimit i plotësojnë nëpër zyra për statistika. Autoriteti qendror pranë ministrisë, nuk ka karburant dhe makina të lëvizin për kontrolle qoftë edhe vizuale, janë jo profesionistë në të shumtën e rasteve edhe këta, më pak ndoshta se ata të rretheve, por këta janë edhe me të rrezikshëm, sepse janë 100% emërime politike dhe këta shesin me dashje profesionalizmin e tyre
Zoti Gurra, a keni ju informacion se ne çfarë niveli është siguria ushqimore në vendin tonë?
Para disa ditësh, revista juaj, kishte kërkuar në Institutin e Shëndetit Publik, statistikat në lidhje me numrin e të prekurve nga tumoret dhe kanceri në Shqipëri dekadën e fundit. Sipas ISHP, kishim një rritje me 70% të të prekurve, dhe ajo që ishte më shqetësuese ishte se numri i të rinjve në moshë që prekeshin nga këto sëmundje ishte rritur ndjeshëm.
Unë bëra një shkrim në lidhje me këtë situatë menjëherë pas publikimit tuaj, tema të cilat i kam trajtuar edhe më parë sigurisht.
Menjëherë pas shkrimeve apo diskutimeve të ndryshme që ngrenë alarmin për këto situata, organizohen emisione televizive në dukje për të trajtuar problematikën, por në thelb qëllimi i vërtetë është sfumimi dhe relativizmi i gjësë. Thirren për të diskutuar persona të caktuar, të cilët nuk i përkasin fushës ose në rastet kur i përkasin, janë përgjegjësit për problematikën e sigurisë ushqimore në vend. Unë e di pse ndodh kjo.
Industritë e prodhimit, përpunimit, ambalazhimit dhe tregtimit të ushqimit/produkteve me origjinë shtazore dhe bimore, janë lobingje jashtëzakonisht të fuqishme në vendet e Bashkimit Europian, e jo më në Shqipëri. Ato bllokojnë çdo zë që kritikon në mënyrë konstruktive në drejtim të sigurisë ushqimore, në rastet kur informacioni arrin me mundim të kalojë nëpër shtigjet e censurës dhe sheh dritën në media, ata ndërhyjnë menjëherë në media të caktuara për ta relativizuar çështjen. Si e relativizojnë- nuk është situata aq alarmante sa bëhet, kështu ushqehen edhe europianët, lexojnë ligjet dhe aktet duke i krahasuar me vendet e BE-së, etj.
Por, unë i përkas shkollës “ne jemi ajo çka hamë”!
Nëse ne sot konsumojmë fruta dhe perime, të cilat janë të pakontrolluara, hipotetikisht po themi që janë të ngarkuara jashtë normave me kimikate dhe pesticide. Çfarë ndodh?
Ne nuk vdesim nga kanceri menjëherë pasi konsumojmë domate p.sh., se ky është një argument që e përdorin ata të cilët relativizojnë gjërat dhe thonë – ja kam ngrënë unë, nuk më gjeti gjë!
Ai që të merr jetën në moment është plumbi dhe nuk duhet të presim që pasi të hamë ushqime jo të sigurta të vdesim menjëherë në vend. Trupi i njeriut është laboratori më i përsosur që ekziston, ka aftësi të luftojë agjentët të ndryshëm të cilët ne i marrim nëpërmjet ushqimit, por kjo deri në njëfarë mase. Ne duhet të kuptojmë̈ rrezikun sesi funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësorë si: obeziteti, diabeti, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, infertiliteti dhe çrregullime të tjera seksuale.
Të gjitha këto nuk të vrasin në një ditë, por është e sigurt që të vrasin. Pas viteve ‘90, shqiptarët kanë konsumuar ushqime jashtë çdo lloj standardi, kjo mund të shërbejë si shembull për atë që thotë ISHP sot, pra, 10 vitet e para trupi ynë ka qenë në sulm të vazhdueshëm nga kimikatet, pesticidet dhe hormonet e ndryshme, dekada e fundit (rritja e tumoreve dhe kancerit) është pasoja direkte nga ky shkak, pra i bie dy dekada për të parë se sitë vrasin ushqimet jo të sigurta, mirëpo një individ që ka qenë 20 vjeç në vitet ‘90-të sot është 40, kjo moshë quhet relativisht e re, dhe ky është i prekur nga tumoret, kanceri, kanceri i gjirit etj., me radhë.
E shoh të nevojshëm trajtimin në këtë aspekt për lexuesin tuaj. Shqipëria ka siguri ushqimore vetëm në legjislacion, në praktikë gjendja nuk është aspak pozitive mendoj unë. Unë nga terreni di se kontrollet nuk ekzistojnë, përdoren si presione për fushatat në periudha të caktuara dhe kaq.
-Ju mund të lëvizni një ditë në këmbë, në disa rrugë të Tiranës dhe do të shihni, te Rruga e Elbasanit, te Zogu i Zi, në të gjitha pikat më të ndotura të kryeqytetit piqen pula, shiten produkte bulmeti, fruta-perime, një aktivitet i cili zhvillohet i ekspozuar ndaj çdo ndotësi, qofshin këto kushtet atmosferike apo ndotja që vjen nga pluhurat dhe automjetet.
– Kjo situatë ndodh në kryeqytet, nëpër Shqipëri është edhe më keq.
Besoj më i sigurt është një hajdut banke në vend se sa konsumatori ndaj ushqimeve.
A ka burime të mjaftueshme institucionale dhe monetare për të ofruar standarde në sigurinë ushqimore në vend?
Aktualisht autoritetet kompetente përfshirë në menaxhimin e politikave të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë janë:
•MBZHRAU dhe institucionet nën varësinë e saj, kryesisht:
-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
-Instituti i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë
-Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë
•Ministria e Shëndetësisë
•Pushteti vendor
Siç shihet institucionet janë, edhe kuadri ligjor deri diku është mjaft i mirë. Çfarë mungon që jemi në këtë situatë, do të ishte një pyetje.
Mungojnë burimet financiare, kapacitetet njerëzore (profesionistët) dhe ka me tepri korrupsion.
Pushteti vendor, e them me përgjegjësi këtë, është absolutisht inekzistent në këtë aspekt. Inspektorët e bashkive, agronomët, veterinerët, janë ca pijanecë dhe sarhoshë tipikë dhe të ngjashëm në të gjithë Shqipërinë, kuptohet nuk përgjithësoj as në këtë rast.
Siguria ushqimore 3Çfarë ndodh?
Janë të emëruar politikisht, të paaftë, në bashki të vogla njihen të gjithë me njëri-tjetrin dhe për miqësi tolerojnë, me dy lek nëndorë mbyllin sytë, dokumentacionin dhe aktet e inspektimit i plotësojnë nëpër zyra për statistika.
Autoriteti qendror pranë ministrisë, nuk ka karburant dhe makina të lëvizin për kontrolle qoftë edhe vizuale, janë joprofesionistë në të shumtën e rasteve edhe këta, më pak ndoshta se ata të rretheve, por këta janë edhe më të rrezikshëm sepse janë 100% emërime politike dhe këta shesin me dashje profesionalizmin e tyre. Dhe, unë mendoj, se shtija e profesionalizmit ose vënia nën shërbim të së keqes është shumë herë më e dëmshme se çdo lloj gjëje tjetër, manipulimi dhe gënjeshtra në këto raste përzihet dhe me profesionalizëm brenda dhe është shumë e vështirë të luftohet.
Laboratorët janë një tjetër mangësi e madhe në këtë drejtim. Edhe në rastet kur ekzistojnë fizikisht nuk kanë reagjentët për të funksionuar, kjo vjen si pasojë e mungesës së burimeve financiare kryesisht.
Ne shohim në Shqipëri sa herë që ngrihen shqetësime për analizat e prodhimeve bujqësore, demonstrime publike nga titullarët politikë tëinstitucioneve duke bërë analizat, dalin të mbrojnë përballë opinionit publik çështje të tilla personat politikë të institucioneve që duhet të marrin masa për këtë punë. Kjo nuk është serioze.
Ligjet janë, institucionet janë, ajo që duhet është depolitizimi i këtyre institucioneve dhe rritja e financimit për to.
A na penalizon mungesa e standardeve në aspektin ekonomik dhe në atë të integrimit në BE?
Na penalizon, sigurisht.
Mungesa e standardeve është e lidhur drejtpërdrejt me aspektin ekonomik. Nëse nuk ke standarde nuk shet dot, nëse nuk shet dot, përkthehet direkt në investim të dështuar nga ana ekonomike. Kjo është edhe një ndër arsyet që bujqësia shqiptare, fermeri shqiptar pas viteve ‘90 është në vendnumëro.
Kjo ndikon edhe në përdorimin pa efikasitet të buxhetit të shtetit. Financimi është i pakët, shto këtu edhe mospërdorimin me efikasitet edhe të atyre pak që jepen, mund të quhen të shkuara dëm dhe buxheti familjar i fermerëve ndikohet gjithashtu.
Të flasësh për dëmin që sjell kjo gjë në aspektin e integrimit europian, situata bëhet edhe më shqetësuese.
Jemi shumë larg standardeve edhe të vendeve të rajonit, jo më atyre të BE-së.
Kjo, jo se e them unë, shihni eksportet, cilat janë produktet që ne eksportojmë në vendet e BE-së dhe sa janë në gjendje prodhimet shqiptare të konkurrojnë në vendet e BE-së.
Unë i mëshoj shumë idesë që produktet shqiptare duhet së pari të jenë në gjendje të konkurrojnë për nga standardet me vendet e rajonit, të plotësojnë kushtet normale për konsumim edhe për konsumatorin vendas, i cili kur del në treg, të mos jetë më i predispozuar të blejë produkte të importuara nga vendet fqinje, por të blejë prodhime vendase.
Kjo përkthehet sigurisht në vlera dhe përfitime ekonomike për vendin. Sa më pak të dalë leku jashtë për produkte importi, aq më mirë është.
Cilat linja të tregut apo grup produktesh janë më pak të sigurta?
Frutat dhe perimet, më specifikisht ato të hershmet. Fermeri synon të dalë sa më shpejt në treg dhe përdor simulantë hormonalë dhe doza të larta kimikatesh për të rritur fitimin.
Prodhimet blegtorale, mishi, bulmeti etj.
Ushqimet e konsumit të përditshëm me pak fjalë.
Në dijeninë tonë, sektori i prodhimit në ferma është tërësisht i pambikëqyrur në lidhje me përdorimin e kimikateve. Fermat tona nuk mbajnë regjistër për trajtimin e bimëve e për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci për prodhimet vendase që dalin në treg për shkak të mbingarkesës me pesticide. Sa rrezik ka nga kjo situatë?
Nëse ju ka rastisur të blini prodhime në tregjet maqedonase apo greke, qoftë edhe në Shqipëri të importuara, ju do të shihni shpesh në frutën e mollës apo perimeve një etiketë, ose një kod, është si të thuash certifikata e frutës, dhe ju mund të shkoni pas kokrrës së mollës deri në fermën ku ajo është prodhuar. Kjo është ndjekja ose gjurmushmëria e produktit. Në Shqipëri, ti nuk e di nga vjen, kush e ka prodhuar dhe me çfarë është ushqyer bima që ka prodhuar atë frutë. Konsumatori shqiptar mundohet të identifikojë origjinën e produktit nga dialekti (e folura) e fshatarit. Nëse patatja p.sh., është nga Kukësi, Korça apo Divjaka.
Nuk di sa është respektuar karenca (afati që duhet të kalojë për të këputur frutën nga momenti i përdorimit të pesticidit, simulantit…etj.).
Në këtë aspekt, konsumatori është në mëshirë të fatit dhe ndërgjegjen e fermerit. Por, kjo është edhe pika më e rrezikshme që cenon sigurinë ushqimore.
Për të qenë të qartë deri në fund. Plehrat kimike dhe pesticidet janë një e keqe e domosdoshme në bujqësinë konvencionale dhe unë nuk bëj pjesë tek njerëzit që mendojnë se këto nuk duhen përdorur, por duhen respektuar me rigorozitet dhe përgjegjshmëri të larta të gjitha normat.
monitor 780.inddÇfarë modelesh duhet të merren në konsideratë për të përmirësuar situatën e tanishme?
Si në çdo gjë tjetër, Shqipërisë nuk i ka rënë barra të shpikë rrotën as në këtë drejtim.
Modelet janë të qarta, vendet e BE-së janë modeli kryesor që ne duhet të ndjekim. Pra modelet i kemi, BE-ja ka dhënë dhe jep edhe asistencën e nevojshme dhe të pakursyer në këtë drejtim. Por, ne duhet të ndjekim edhe zbatimin e modelit të zgjedhur me përpikëri ashtu siç zbatohet në një vend të BE-së, sepse modeli nuk është vetëm e zeza mbi të bardhë në letër (ligj) por është edhe veprim korrekt në përputhje me atë që shkruhet.
Sa për ilustrim po përmend rastin me skandalin e njohur tashmë të mishit të kalit në disa vende si Britania, Franca, Luksemburgu apo Spanja.
Çfarë ndodh?
Manipulime, nga ana e tregtarëve apo prodhuesve, ka kudo në botë, siç shihet nuk janë imune as vend shumë të zhvilluara nga ky fenomen, por ndryshimi është se në këto vende funksionon sistemi i gjurmueshmërisë.
Për ta mbyllur, më duhet të theksoj se ne nuk vuajmë për modele, nuk vuajmë për ligje, ne vuajmë për zbatueshmëri.
Kemi nevojë edhe për një ndërgjegjësim edhe më të madh të konsumatorëve dhe prodhuesve, media ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim për të luajtur./Monitor/A.M.