Nga Kristaq Xharo
Ndërsa lufta me Covid-19 vazhdon me zjarr dhe shtetet po përdorin të gjitha mjetet në dispozicion, dilema e madhe lidhet me ‘botën post-covid-19’. Shkencëtarët, studiuesit, institucionet më prestigjioze edhe pse i shmangen një përgjigje të prerë për modelin ngase ka shumë të panjohura, të gjithë bashkohen në parashikimin, që bota post-koronavirus do të jetë e ndryshme në shumë mënyra nga ajo që kemi pasur shansin të përjetojmë. Ashtu siç ka ndryshuar jeta ekonomike, sociale, shëndetësore, po ashtu reflektime të thella priten në marrëdhëniet politike, gjeopolitike dhe të sigurisë. Askush nuk po del nga kjo krizë pa humbur diçka. Ashtu si pas çdo lufte të madhe edhe pandemia aktuale, në një botë post-Covid-19, duket që do të reflektojë në një model të ri si gjithmonë të vizatuar nga fitimtarët e mëdhenj. Kjo edhe për faktin se edhe institucionet ndërkombëtare, të synuara për peshën e rendit ndërkombëtar, pas tronditjes që morën nga presidenti Trump, pothuajse u dërrmuan nga pandemia covidiane.
Pësimi nga pandemia është prekës. Po shohim luftë për mbijetesën e më të fortit në evolucionin post-modern të njerëzimit, ose Darvinin e harruar. Qartas, nëse nuk ke forcën si individ ose si komb për të mposhtur presionet shëndetësore, ekonomike, dhe sociale me të cilat ballafaqohemi, ‘taksa’ për mbijetesë në këtë botë kaq agresive pritet të jetë përmbi fuqitë dhe mundësitë. Është skenar i zymtë dhe duhet parashikuar. Morali me të cilin u injektuam kërkonte që në rrugën e përbashkët të qytetërimit njerëzor të fortë e të dobët, të prekshëm dhe imunë të ecnim duke u mbështetur të njëri – tjetri. Por, në fund vetëm ‘zoti mbeti për të gjithë’ .
Si do të jetë situate post-covid? Mbetet pyetja me një çmim të papërballueshëm. Ka shumë hipoteza se çfarë lloj bote do të pasojë, në dekadën e ardhme, pas goditjeve kataklizmike të vitit 2020. Ato janë hipoteza në zhvillim, pasi vendet janë tërësisht të zëna me zjarrfikjen e pandemisë për shpëtim jetësh dhe lehtësim të pasojave ekonomike. Ndoshta, vendet nuk kanë pasur kohë të mendojnë për ardhmen, apo nuk shtojnë dilemat sociale dhe psikikë për më pas, përsëri ka mjaft supozime dhe argumente për të kërkuar dhe ngritur një konstrukt se si mund të duket e ardhmja e afërt dhe përtej, kur jeta të kthehet në …një normalitet të ri.
John Prandato i Qendrës për Studime për të Ardhmen e Largët, në Universitetin e Bostonit para pak kohësh intervistoi në ‘Zoom” 99 mendimtarët më të shquar të globit, për 101 tematika të ndryshme, post-covid. Në këta mendimtarëve gjendeshin shkencëtarë, kryetarë të akademive të shkencave (SHBA), politikanë, shefa të organizatave më të mëdha botërore, drejtues të NATO-s apo shërbimeve inteligjente, fitues të çmimeve Nobël, por edhe personalitete të tilla si Ian Bremer, Sir Angus Deaton, Francis Fukuyama, Graham Allison e deri te Noam Chomsky, intelektualët më të shquar e të rëndësishëm të kohës sonë. Ajo që mësova thotë Prandato ishte mendimi i përbashkët i të 99-ve që të mos presim për “kthim në normalitetin që njohim”, se COVID-19 nuk është si ajo stuhia që shpërthen dhe kalon. Të gjithë të intervistuarit janë të bindur se bota jonë para-pandemie nuk përsëritet dhe bota post-pandemie do të jetë një ‘normalitet’ tjetër. Është analog me përkufizimin e paqes si periudhë midis luftërave. Për më tepër shih https://theconversation.com/ .
Për tu kthyer në realitetin tonë e në mbarë hapësirën shqiptare, si në të gjithë botën, angazhimi i shteteve është fokusuar në shpëtim jetë njerëzish dhe përballje ekonomike. Jo vetëm shteti, por e gjithë politika e njohin pandeminë si tematikën kryesore. Tek ne, ndoshta vetëm fushata zgjedhore e tejkalon këtë temë për nga pesha. Kjo ndodhi në Kosovë, ku zgjedhjet u trajtuan më tepër se vaksina e kështu ndjehet edhe në anën tjetër të Kosovës ku 25 prilli po pritet si dita e Mesis. Ndërkohë të gjithë e dinë se zgjedhjet nuk besoj se do ta mposhtin pandeminë, as do të shpëtojnë jetë njerëzish, as do të shmangin dëmet në ekonomi.
Mbërrijmë te ideja se duhet menduar përtej kohës së shkurtër se përtej zgjedhjeve, pandemia dhe post-pandemia do të jetë problemi më i madh për botën dhe më i madh për kombet e vegjël. Të përgatitesh për këtë kohë që po vjen fillon me strategji. Nëse vështron ligjërimet politike të çdo spektri në këtë periudhë ato nuk kanë asnjë dallim me ato të 4 viteve më parë, apo 4 të tjera e të tjera para tyre. Ato shmangin sfidën kryesore periudhën e ndryshme pos-covid.
Kujtojmë që gjithë strategjitë e deritanishme të mëdha apo sektoriale janë ndërtuar në kushte të tjera, në rrethana gjeopolitike, politike, ekonomike, sociale, mjedisore, shëndetësore e deri komunitare të periudhës para covidiane. Pandemia i lagu e shpërndau të gjitha letrat të kopjuara apo të llogaritura me të kora të bollshme. Ndryshe post-covidi ka ndryshuar e do të ndryshoj aktorë dhe faktorë gjeopolitikë, mjedise madhore dhe psiqike të tronditura duke i bërë llogaritë shumë të ndryshme. Pra duhet një strategji e madhe, përtej taktikave të partive politike, një strategji që shikon nga e ardhmja e largët, që sapo ka filluar.
Kush do të ndërtoi këtë strategji? Partitë politike janë në hall, pasi e kanë të vështirë të shohin përtej mandatit të tyre 4-vjecar dhe objektivat e tyre më tepër përqendrohen në objektiva elektoralë pasi të tilla quhen dhe vetë (elektorale). Në kohën kur kompromisi politik është në themel të strategjisë, partitë tona ndjehen të pamundur ta mendojnë. Modele ndërtimi ka plot. Ka plot vende të vegjël, edhe në madhësinë tonë që qëndrojnë fuqishëm, por edhe në krye të renditjes botërore.
Koha nuk pret. E ndërsa Francis Fukuyama dëshmon se “nuk ka parë kurrë një periudhë në të cilën shkalla e pasigurisë për botën pas-covid ka qenë ndonjëherë më e madhe se sa është sot“, Naom Chomsky e thjeshton duke u shprehur se “Është çasti ta pyesim veten se çfarë bote do të dalë nga kjo pandemi,” ose kuptueshëm “Cila është bota në të cilën duam të jetojmë?” Vendet e mëdha e të fuqishme e kanë të vështirë të dështojnë, vendet e vegjël përherë luajnë për mbijetesën e tyre. Është nevoja për strategji të përbashkët kombëtare post-covidiane ose ‘ Grand Strategy’