Në një kohë kur vëmendja e PS është përqendruar në përzgjedhjen e skuadrës garuese të 25 Prillit, koalicionet mbeten një çështje për diskutim në ditët e javët në vijim.
Paskal Milo, Kreu Demokracisë Sociale një ndër aleatët besnik të socialistëve, i pyetur nga Top Channel nëse deri më tani ka patur shfaqje interesi për ndërtimin e një koalicioni të majtë dha këtë përgjigje.
Paskal Milo: “ Nga PS nuk ka ardhur asnjë ftesë, nuk është bërë asnjë diskutim, asnjë negociatë. Për rrjedhojë edhe siç e ka deklaruar kryetari i PS Edi Rama shumë herë, PS nuk ka nevojë për koalicione ajo do bëjë një aleancë me qytetarët”.
Përballë kësaj situate, Paskal Milo tregon hapat që do të ndërmarrë.
Paskal Milo: “ Ne jemi duke negociuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Negociatat shtrihen me një spektër politik të gjerë nga e majta deri në qendrën e djathtë. Jemi duke biseduar për të gjetur një formulë sa më të përshtatshme bashkëpunimi me interes të ndërsjellët. Negociatat nuk kanë mbaruar janë në zhvillim e sipër dhe presim që gjatë ditëve të ardhshme patjetër që do të përfundojnë sepse po afron afati skadimit të regjistrimit të subjekteve politike në KQZ”.
Por sa komode mund të jetë Demokracia Sociale në një koalicion të mundshëm me LSI apo edhe me Jozefina Topallin, Astrit Patozin dhe partinë e Mulsim Murrizit?
Paskal Milo: “ Ashtu siç ka qenë në traditën e Partisë Demokracia Sociale që aleancat t’i bëjmë ashtu siç i kemi bërë gjithmonë me spektrin e majtë. Por nuk varet nga ne siç ua shpjegova. Rrethanat janë të tilla, vendimmarrja nga PS është e tillë që përjashton koalicionin me partitë e saj ish-aleate për kaq e kaq vite. Për rrjedhojë Demokracia Sociale nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç të shikojë mundësinë e një koalicioni me ato forca politike me të cilat mund t’i afrohet program ose mund të nisë nga disa rregulla loje të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit politik”.
Paskal Milo bën një parashikim të kujdesshëm për 25 Prillin.
“Nuk e kam atë luks e privilegj të bëj parashikime të sakta sepse këtë nuk arrijnë ta bëjnë as institucionet e specializuara që merren me këto çështje por gjithsesi një mendim modest mund ta jap duke patur parasysh një përvojë të gjatë në politikë dhe në zgjedhje. Mund të them që rezultati do të jetë i ngushtë. Nuk mund të them se kush do të fitojë sepse duhet të jem sa më objektiv por them që do të jetë një rezultat i ngushtë”.