Nga Ben Andoni
Prej kohësh kryetari i Opozitës Lulzim Basha i është ngjitur kauzës së pandemisë. Çdo pak orë nga burime të ndryshme të kuartierit të tij përcillen mesazhe për menaxhimin e keq të situatës pandemike në vend. Jepen dëshmi, krahasohen eksperienca, akuzohet. Shumë akuzohet. I përgjigjet Rama. Sërish me akuza për paaftësi dhe… Fatkeqësisht, mënyra sesi po menaxhohet në Shqipëri nuk duhet se është më ndryshe nga vendet e tjera, qoftë me kapacitete shumë më të larta se ne. Ndërkohë, as edhe një nga mjekët, që janë në kuartierin e PD-së, nuk mori kurajën qytetare t’i bashkohej një aksioni kombëtar dhe të ndihte si mjek i thjeshtë. Makar të vishte në mënyrë simbolike bluzën e bardhë. Këtu veçohen atdhetarët dhe këtu dallojnë kauzat.Nuk po merremi me partitë e vogla, që me mundësitë e kufizuara vetëm atakojnë dhe mllefosin teksa po kalkulojnë se nga do ia mbajnë pas 25 prillit. Dhe, kanë të drejtë. Është caku i fundit për disa. LSI-ja nuk bie më poshtë, porse është më racionale, tashmë që ka humbur shumë në opozitë. Megjithatë, shigjetat e saj janë vetëm në një drejtim: Duhet të shpohet Rama dhe të shporret, të zhduket!!! Kryemadhi e tregon me gjestikulacione dhe me pathos të gjithë. Tek e fundit po shikon qartë se kauza është vetëm ai dhe jo vetëm e thjesht gjendja ekonomike e vendit që përmendet vetëm si ilustrim apo situata sociale në vend. Ilir Meta, presidenti i vendit, duke luajtur mes funksionit si primar i vendit, por edhe si pjesëtar indirekt i opozitës ka sjellë një regjistër ligjërimi që shpesh e nxjerr zbuluar në ambicien e tij të pamatë politike, që ia ushqeu Rama. Dhe, më tej, partitë e reja që e kanë nisur ligjërimin për të treguar se janë të reja në mendësi, duke folur dhe duke u rrethuar me të rinj, që rrinë të shushatur para këtyre ligjërimeve, në dekorin e radhës.
Të gjithë pozojnë: Meta me gjuhën e trupit fizike dhe pak si shumë butaforike; Basha me indiferencën dhe sigurinë e fitores 100%; Topalli me shpresën e brishtë për ndryshim, të tjerët me gjuhën e padurimit dhe ofrimin e kapaciteteve të tyre minore. Nga ana e tij, kryeministri u përcjell nga një video në ditë në endjet e tij shqiptare, një mesazh për ndonjë figurë harruar prej dekadash dhe ironi shumëplanëshe. I gjithë ky karusel i ka lodhur shqiptarët në vërtitjen e tij, saqë mezi po presin 25 Prillin, ditën kur kjo tollovi do të marrë disi udhë. Për fat të keq, kemi dhe disa muaj para, që këtij padurimi i shtohet edhe makthi pandemi për të cilin askush në glob nuk ka një përgjigje, përveç lloj-lloj specialistësh pa kurajë, që kumtojnë receta dhe rregulla pafund, që ndryshojnë sërish.
Ka të ngjarë që Shqipëria sërish duket se do t’i falet të Majtës. Këtë e shikon nga paqartësia e ideve që artikulohen dhe lodhja prej çështjeve, që nuk lidhen me Ramën. Dhe, e Majta po përfiton bajagi. Ka tetë vjet në pushtet dhe duket se në këtë mandat në trenin e vet do të përfshijë dhe parti të tjera, që dikur nuk mund të imagjinoheshin. Jo më kot, edhe parti si Balli apo edhe të tjerë si Partia Agrare e kanë ulur tonalitetin agresiv, duke i shkelur syrin e duke pritur ofertën e re të PS-së.
Larg frymës së partive kryesore në vend, ajo që na dhemb të gjithëve është mungesa e kauzës së drejtë nga opozita, mungesa e Mea Culpës nga Socialistët, ajo që ushqen frymë dhe që ndikon në votime. Bash ajo që i bën njerëzit të mos shohin vetëm ikjen si mundësi. Është e lehtë të bërtasësh për pandeminë, për situatën post-tërmet, por është e vështirë të ngresh kauzë, kur mendon thjesht se duhet të largohet thjesht Rama. Kjo po i lodh njerëzit sot, sepse njerëzit nuk duan më këta lloj liderësh sesa njeriun, që t’u japë një drejtim dhe t’i bëjë të jetojnë disi më pa andralla. E opozita, për fat të keq, nuk po na jep një kauzë reale, të qartë e të thjeshtë kundër…”përbindëshit”, me shumë probleme Rama. (Javanews)