Astrit Patozi, drejtues i partisë Bindja Demokratike, deklaroi të enjten se nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë nga tre partitë kryesore në vend, PS, PD dhe LSI.
“Ne kemi vendosur në mbledhjen e partisë, kush janë kundërshtarët tanë politikë. Ata janë PS në pushtet dhe opozita e kompromentuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, me të cilët ne nuk do të bëjmë aleancë parazgjedhore”, tha Patozi për emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews.
Ai kritikoi faktin që këto parti “janë pronë” e kryetarëve dhe luftojnë çdo forcë dhe individ që sfidon pushtetin e tyre, siç po bëjnë me sulmet ndaj partive të reja këto kohë.
“Ata janë stalinistët e fundit që kanë mbetur në Evropë. Në sistemin pluralist të mendosh që opozita shet pronën e një personi, ose te një partie është më shumë se sa e vjetër”.
Patozi propozon që partitë e reja të formojnë koalicion zgjedhor
Astrit Patozi i Bindjes Demokratike ka propozuar që partitë e reja dhe të tjerat që ndajnë mendime apo ide të ngjashme duhet të bëjnë një koalicion zgjedhor me një listë të përbashkët kandidatësh.
Në një intervistë për emisionin “Me pak fjalë”, pasi përjashtoi koalicionin e Bindjes me PD-në, PS-në apo LS-në, Patozi mirëpriti krijimin e partive të reja duke u shprehur se ato kanë mundësi të mëdha, për shkak të lodhjes së qytetarëve me tre partitë e vjetra.
I vetëdijshëm për sfidën që i pret këto parti, ai u bëri atyre thirrje të garojnë bashkë në zgjedhjet e prillit 2021, duke u shprehur:
“Të gjithë janë të ftuar në një koalicion të përbashkët, listë të përbashkët ku të mbrojmë kauzën e të gjithëve. Dhe më pas të bashkojmë forcat për të marrë rezultat maksimal.”