Zëvendësdrejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe ekspertja e EULEX-it, Tarja Formisto, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes së Dhunshme deklaroi se njëri prej problemeve të ballafaquara gjatë procesit të identifikimit të mbetjeve mortore është fakti se jo të gjithë të afërmit e personave të pagjetur i kanë dhënë mostrat e tyre të gjakut për analizën e ADN-së.
“Ka familje të cilat refuzojnë t’i japin mostrat e gjakut për arsye të ndryshme. Disa besojnë se të afërmit e tyre janë ende gjallë, të tjerët nuk duan t’i japin mostrat e gjakut përpara se kryerësit e veprave të sillen përpara drejtësisë”, ka thënë Formisto. Ajo ka thënë se sikur familjarët e të gjithë personave të pagjetur t’i jepnin mostrat e gjakut, deri në 20 persona të pagjetur do të mund të identifikoheshin me anë të ADN-së.
“Ekziston gjithashtu edhe çështja e një numri të caktuar të keqidentifikimeve. Menjëherë pas konfliktit kufomat janë identifikuar në mënyrë të përgjithësuar, për shembull nëpërmjet fotografive, rrobave apo gjësendeve personale, që ka rezultuar në gabime të cilat sot është vështirë të gjurmohen dhe të korrigjohen “, ka shpjeguar ajo. Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë në Kosovë së bashku me kolegët në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky mision thuhet se ka kryer 656 operacione në terren për t’i lokalizuar personat e pagjetur, përfshirë 166 zhvarrime. Po ashtu sipas EULEX-it, janë identifikuar mbetjet mortore të 456 individëve, përfshirë 316 persona të pagjetur.