Të zhdukurit/ Apel i EULEX: Jepni mostrat e gjakut, do identifikohen deri në 20 persona

Zëvendësdrejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe ekspertja e EULEX-it, Tarja Formisto, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes së Dhunshme deklaroi se njëri prej problemeve të ballafaquara gjatë procesit të identifikimit të mbetjeve mortore është fakti se jo të gjithë të afërmit e personave të pagjetur i kanë dhënë mostrat e tyre të gjakut për analizën e ADN-së.
“Ka familje të cilat refuzojnë t’i japin mostrat e gjakut për arsye të ndryshme. Disa besojnë se të afërmit e tyre janë ende gjallë, të tjerët nuk duan t’i japin mostrat e gjakut përpara se kryerësit e veprave të sillen përpara drejtësisë”, ka thënë Formisto. Ajo ka thënë se sikur familjarët e të gjithë personave të pagjetur t’i jepnin mostrat e gjakut, deri në 20 persona të pagjetur do të mund të identifikoheshin me anë të ADN-së.

“Unë dëshiroj t’u bëj apel të afërmve të të gjithë personave të pagjetur që t’i japin mostrat e gjakut ashtu që ne të mund ta përfundojmë procesin e identifikimit për disa prej tyre,” tha zëvendësdrejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Me anë të një komunikate për media nga EULEX-i, Formisto ka dhënë disa shpjegime se pse ende më shumë se 1640 persona nuk janë gjetur në Kosovë. “Ekziston mungesë e informacioneve të reja dhe të besueshme për lokacionin e saktë të varrezave, duke shtuar se disa prej mbetjeve mortore janë në varreza masive, disa prej tyre në varreza klandestine më të vogla, si dhe nëpër varreza në zona të ndryshme, gjë që e bën më të vështirë procesin e lokalizimit të mbetjeve mortore”.

“Ekziston gjithashtu edhe çështja e një numri të caktuar të keqidentifikimeve. Menjëherë pas konfliktit kufomat janë identifikuar në mënyrë të përgjithësuar, për shembull nëpërmjet fotografive, rrobave apo gjësendeve personale, që ka rezultuar në gabime të cilat sot është vështirë të gjurmohen dhe të korrigjohen “, ka shpjeguar ajo. Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë në Kosovë së bashku me kolegët në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky mision thuhet se ka kryer 656 operacione në terren për t’i lokalizuar personat e pagjetur, përfshirë 166 zhvarrime. Po ashtu sipas EULEX-it, janë identifikuar mbetjet mortore të 456 individëve, përfshirë 316 persona të pagjetur.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com