Nga Bajram Peçi
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut kanë nxjerrë në pah një histori lëvizjesh politike, ku spikat faktori shqiptar. Për këdo tashmë është e kuptueshme se roli i shqiptarëve në gadishull nuk mund të injorohet më. Lëvizja e shqiptarve po rrjedh e natyrshme. Ndonëse për një shekull pa mbrojtje, aspirata e tyre një ditë do vihej në zgjidhje mbi bazën e parimit të kombësisë.
Ardhja e shqiptarëve dhe grekëve në gadishull humbet në natën e epokave parahistorike. Gadishullit, që është thirrur në kohë të ndryshme me tre emra, Hemus, Ilirik dhe Ballkan, i njihen këta dy popuj si më të lashtët, autoktonët. Ilirët ishin fqinj “me kushërinjt e tyre, trakët e maqedonasit”-përcakton filologu i njohur, Enzo Gatti, dy popuj të lashtë këta, që humbën identitetin. Sa u përket popujve që flasin sllavisht e që janë fqinjët tanë serbë, malazez, bullgarë e maqedonas, dihet kur erdhën e nga erdhën, kur i kapëxyen karpatet dhe si u vendosën në toka që ua grabitën popujve autoktonë.
Dyndjet sllave e tkurrën popullin arbër, por ata mbetën dominues, deri në fund të shekullit të 19-të. Ishin kompakt nga Nishi e Kurshumlija në Malin e Zi; nga Vardari, fushat e Pollogut, Manastirit e Follorinës në Adriatik; nga Thesalia në Jon. Mbeti e tillë deri kur Turqia okupatore, pasi humbte luftëra me Rusinë, i përdori tokat shqiptare për të bërë pazare, e së fundi, “e sëmurë”, i braktisi fare.
Shqiptarët ishin populli i vetëm në Ballkan që për shekuj, deri ne vitin 1912, lufoi kundër Turqisë. Popujve të tjerë ballkanas historia nuk u njeh ndonjë ngritje krye me përmasa të tilla që t’u jepte mundësinë e ushtrimit të pushtetit për fitimin e pavarësisë. Dihet se pavarësia greke ishte rezultat i luftës te racës shqiptare dhe shteti grek ishte krijesë e mbretit të Bavarisë, që jetonte me “Epokën e Artë” të Athinës së shekullit të IV-të para krishtit. Të tjerë popuj ballkanas ngritën shtetet e tyre falë Rusisë, por jo pak dhe Gjermanisë, që në Kongresin e Berlinit, me arrogancën e të fortit përdori tokat shqiptare për të kënaqur orekset e Malit të Zi dhe Serbisë. Aleanca sllavo-ortodokse u dha pavarësinë mëse gjysëm shekulli para shqiptarëve.
Lakmia e tërbimi greko-sllav, pas Luftës së Parë Ballkanike, i rrëmbeu popullit shqiptar tokat lindore e jugore të saj. Përfundimisht, pas Luftës së Parë Botërore ishte planifikuar zhdukja nga harta europiane e Shqipërisë Londineze. Falë shpirtit vetëmohues të popullit dhe elitës politike e atdhetare shqiptare, që zgjodhën rrugën në vitin 1920 dhe zgjidhën me zgjuarësi situatat e komplikuara të vendit të ndodhur nën egërsinë e pa përmbajtëshme të imperializmit të Europës, Shqipëria shpëtoi!
Në ato kohëra, 100 vjet më parë, pushtimi, rrëmbimi, marrja e lirisë së tjetrit, njihej si një e drejtë e të fortit. I pushtuan, por shumicën nuk e nënshtruan! Atje-këtu e humbën ndërgjegjen kombëtare, siç ndodhi me të krishterët shqiptarë në Greqi dhe Maqedoni, ku u përdorën kishat, shkollat, dhuna, shpërngulja, mohimi i arsimimit në gjuhën amtare, regjistrimi i popullsisë e deri shtimi tek mbiemrat i prapashtesave “ovski”, “evski”, “oviç”, “opulli”, etj. Fqinjët tanë, pushtimin e tokave shqiptare e quajtën “një të drejtë historike” dhe shkombëtarizimin, si të drejtë që buron nga arbitrariteti dhe dhuna e sunduesit. Brezit të sotëm të tyre, siç dhe atyre pararendëse të pas pushtimit, u kanë ngulitur përmes teksteve terma të sajuara enkas nga nacionalizmi i sëmurë: Shqipërinë e Jugut e quajnë Epir i veriut, Shqipërinë Veriore e quajnë “Serbia e vjetër-Djepi i Serbisë” dhe atë Lindore e quajnë Metohi.
Jugosllavia, popullsinë shqiptare në tokat e pushtuara, me qëllim të copëzimit të unitetit fizik, e ndau mes tre republikave të saj: Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Greqia, pas genocidit mbi popullsinë shqiptare me besim musliman, popullsisë shqiptare të krishterë ua ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe dhe i registroi me kombësi greke. Pasojat ishin jo të pakta. Janina, Parga, Manastiri, Ohri, Plava, Gucia, Shkupi, Novi-Pazari, dikur me shumicë shqiptare, kanë ardhur duke u shpopulluar.
Sa kohë Millosheviçi nuk kish bërë gabimin e madh, kur në një rend krejt tjetër nga ai i Luftës së Parë Botërore, shpalli programin e luftës kundër shqiptarve, askush nuk besonte se do ndodhte një ditë shpërbërja e Jugosllavisë dhe do vinte pavarësia e trevave dardane të banuara nga shqiptarët. Por, fatmirësisht ndodhi!
Fqinjët ngatrrestarë, me synime armiqësore ndaj kombit shqiptar, një Shqipëri të bashkuar e kanë parë me tmerr. Në 1878 diplomacia europiane dhe Turqia, as që bëhej fjalë se do pranonin të merrnin në konsideratë një rezolutë dërguar në Berlin nga Lidhja e Prizrenit. Autonomia e kërkuar për katër vilajetet, me gjasa mund të ishte bërë realitet kur më 1887 Françesko Krispi ia shtroi si kërkesë për zgjidhje Bismarkut. Ky do ishte dhe shansi i fundit, sepse këmbëngulja e halldupëve turq deri në tetor të vitit 1912 ua mohonte autonominë.
Në Europën moderne, një shoqëri shqiptare, jo të bashkuar, por në zhvillim, me shkëmbime ekonomike e kulturore, në harmoni e mirëkuptim në të pesë shtetet ku jetojne, përsëri vazhdojnë ta shohin me tmerr, si Serbia e Rusia, ashtu dhe Greqia. Ndër ta ende vazhdon te jetojë ëndrra se një ditë rendi i tanishëm, i vendosur pasi u bombardua Beogradi, një ditë do shembet dhe ata, tiranët, do rikthehen tek ish kolonët.
Një Shqipëri e bashkuar do ishte garanci për paqen në rajon, do ishte pengesë për lakmitë e pafytyra të fqinjëve. Më e madhe, më e fuqishme, më dinjitare, nuk do shihej më si e dobët dhe e mundëshme për t’u nëpërkëmbur. Por Europa nuk e deshi të tillë! U thurrën cerga pa fund intrigash e çikërrimash për të mos lejuar bashkimin. Martti Ahtisaari është njeriu që di se kush ishin ata që, ndonëse të vendosur për të mos e lënë më Kosovën nën sundimin gjakatar serb, të mos e lejonin të bashkohej me Shqipërinë, të mos kishin simbole të përbashkëta kombëtare, ta detyronin Kosovën të krijonte flamur, hymn, histori, madje te nxiste edhe dallime të tilla, për të krijuar përfytyrimin se kemi te bëjmë me dy kombe të ndryshme! Agjentët serb brënda mediave kosovare po bëjnë prej një dhjetëvjeçari përpjekje të ethëshme që të shihet e dallueshme edhe gjuha shqipe, duke shpallur standartin e gjuhës si diktim arbitrar i komunizmit shqiptar.
Shqiptarët në rajon nuk është se kanë patur një strategji, që të buronte nga mirëkuptimi, në mos akademik, nga ai i krerëve politikë? Përkundrazi! Si në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni ashtu dhe në Mal të Zi, konfliktet e mosmarrëveshjet mes tyre kanë marrë shpesh trajta brutale, armiqësore e paradoksale. Shteti Amë, ndikimi i krerëve drejtues të saj, nuk kanë patur as autoritetin dhe as peshën e duhur! E pavarësisht kësaj, gjërat përsëri po ecin në favor të shqiptarëve. Shtatë ministra shqiptarë në Maqedoni, një kryetar i parlamentit dhe një kryeministër shqiptar në katër muajt e fundit të aleancës qeverisëse, edhe nëse nuk u japin shqiptarëve statusin e qytetarit të barabartë e të denjë (siç pakuptueshëm e kish merak një gazetar i njohur), por do i lërë prap në statusin e qytetarit te nivelit të dytë, do u japë atyre staturën politike të një kombi që përmes zgjedhjeve vë në vend padrejtësitë historike. Si bën të barabartë për momentin, por i bën të njohur si faktor. Dhe faktorin, në mos qofsh budalla, je i detyruar ta marrësh ne konsideratë sit ë barabartë!
Vetëm tani Europa dhe bota po merr vesh se çfarë u kanë bërë shqiptarëve, si i kanë shpërndarë dhe sa padrejtësisht ua kanë vendosur kufijtë!? Çfarë po ndodh tani me shqiptarët në rajon është rrjedhojë e natyrshme e zhvillimeve demokratike dhe emancipimit të një kombi! Ata kanë tashmë autoritetin e mjaftueshëm për t’i detyruar sllavo-maqedonasit se Maqedonia Perëndimore është Shqipëria Lindore. Fatin e kanë në duar vetë popujt.