Nga Mira Kazhani
Sot dëgjova gazetarët që raportuan se telefoni i ministrit në detyrë Gent Cakaj dilte i fikur (burime për Tiranapost thonë se ndodhet në Kosovë) ndërsa ata përpiqeshin të komunikonin për situatën e krijuar në Kakavijë.
Për një ngjarje të tillë mund të telefonohen edhe plot të tjerë në qeveri, që nga kryeministri Rama që ka edhe portofolin e ministrit të Jashtëm dhe telefonin e mban gjithnjë hapur, tek ministri Sandër Lleshaj apo çdo funksionar të lartë, ministra e drejtorë.
Ministri i Brendshëm di që të mbushë stadiumet me policë për të ruajtur tifozët nga grushtet për një ndeshje, por pse nuk i paraprin me forca shtesë Kakavijës dhe çdo pike kufitare ku çdo gusht dihet që krijohen radhë kilometrike.
Madje jo vetëm pikave kufitare, por çdo vendi ku shihet si rrezik i përhapjes së virusit edhe një polic më shumë e ndërgjegjëson në mos me dëshirë me pak frikë atë ‘të riun si veriun’.
Boll bëmë moral e iu dhamë mend të rinjve, ata nuk kanë as moshën as pjekurinë për të vepruar me masë, ndaj për këtë ekzistojnë format e tjera të rregullimit apo parandalimit të katastrofave humanitare.
Nuk gjykohen as njerëzit e Kakavijës sot, sepse shumica e tyre nuk janë as turistë, ata janë kryesisht emigrantë me leje qëndrimi dhe pune, por edhe në qofshin turistë, mbetet në barrën e kurrizin e institucioneve që të ndërhyjnë me shpejtësi apo në rastin më të mirë t’i paraprijnë të keqes.
Ç’mund të themi nëse do kishim patur lëvizje të lirë drejt Greqisë? Me kaq pak dhe mbytemi në një pikë ujë.
Mund ta gjykojme palën greke, ta kemi edhe inat, por shqiptarët do mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në fund.
Pandemia siç po vërehet është test jo vetëm i Ogerta Manastirliut, jo vetëm i spitaleve Covid dhe mjekëve e infermierëve, por qenka test i Cakajt, Lleshajt, policit dhe i atij emigrantit që ka tre ditë që pret në radhë në zhegun e gushtit.
Siç populli e ka thënë mirë e s’duhet harruar se “ç’e sjell minuti s’e sjell viti” – kjo është e panjohura e Pandemisë që të testoka pak mos ta kesh mendjen.
Sharabajge