Nga Bajram Peçi
Që një shoqëri e hapur europiane të quhet se është e lirë, patjetër duhet të ketë të plotësuar në standarde perëndimore informimin. Kur përmend cilësimin “Perëndimor”, kam parasysh se këto media, që i plotësojnë shoqërisë të drejtën për informim, së pari duhet të jenë vetë të lira. Vetëm duke qenë të tilla ato mund të mbajnë në thelb të veprimtarisë së tyre informimin e publikut për qeverisjen. Ishte kjo përmbajtje që e shndërroi në mision të gazetarisë së lirë. Të vendosur në pozicionin e “qenit roje” të shoqërisë civile mbi qeverinë e pushtetet e tjera, rrodhi prej kësaj performance të qenit “Pushtet i katërt”.
Në Shqipëri ka patur dhe ka gazeta, revista e televizione, që janë orvatur ta kryejnë këtë mision, por më së shumti ka patur e ka gazeta e televizione që kanë bashkëpunuar me klanet politike dhe janë vënë në shërbim të tyre. Gazetari i njohur, z. Frrok Çupi, me përvojën e tij të gjatë dhe ndihmesën e madhe në gazetari, duke qenë kritik i hapur e i pa drojtur i qeverisjeve, sjell këto ditë shembuj që i bëjnë këto lidhje idem siç mafia i ka patur praktika të rëndomta me pushtetin e disa vendeve si dhe në Shqipëri. Sapo e bëri këtë, u shpall agjent i UDB-së!?
Pse ka ndodhur kështu, është fare e thjeshtë për ta shpjeguar? Është ky fati i mediave në vëndet e varfëra, ku për interesat financiare të botuesit ata kanë shitur lirinë e organit apo institucionit, përmes të cilit informojnë. Pronarët e tyre krijuan e vazhdojnë të krijojnë lidhje të qendrueshme me pushtetin e radhës dhe me atë individ të cilin lodrat politike e kanë sjellë qoftë dhe rastësisht në majat e pushtetit. Këta pronarë, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të mediave tona, duke shitur lirinë, përfituan nga shërbimet copa të mëdha pronash publike, në formën e ndërtesave, tokës, reklamës qeveritare, të hapësirës së transmetimeve televizive. Me një fjalë, u bë e dukshme te qenit e mediave sherbëtor.
Në Shqipëri ka patur e ka pak gazetarë profesionistë dhe të lirë, si Mustafa Nano, Skënder Minxhozi, Frrok Çupi, Mentor Kikia, Mero Baze, Mimoza Picari, Ben Andoni, Ylli Pata, të ndjerët Andrea Stefani e Fatos Baxhaku, po dhe shumë të tjerë. Këta kanë bërë pakicën e gazetarisë, kanë qenë kurdoherë të sulmuar nga të dy palët politike, janë fyer e kërcënuar, por falë zotësisë dhe integritetit të tyre profesional kanë ndikuar jo pak në opinionformim. Shumica e gazetarëve janë thjesht sherbëtorë të pronarit, i cili nuk është se ka politikë editoriale. Ai, të vetmen politikë ka interesat e tij. Mund të jenë interesa politike ose ekonomike. Nëse ndonjë gazetar guxon të shkruaj siç ai nuk do të donte, më e pakta sot do humbte vendin e punës.
Po të shohësh lëvizjet e gazetarëve, konstaton se këta të mjerë, të paguar keq e shpesh pa kontrata, janë endur sa nga gazetat e televizionet e majta në ato të djathta dhe kanë shkruar, folur e komentuar siç do pronari. I ashtuquajturi gazetar nuk ka bindje të tij, madje dhe raportimin e ngjarjes do duhet ta sjellë ashtu si do pronari. Kur Fatos Mahmutaj u plagos gjatë protestës së 21 janarit, raportimi i tij u hodh në koshin e plehrave, ju mohua plagosja dhe, të pakënaqur prej tij, pasi e pushuan nga puna, i rrezikuan jetën përmes kërcënimeve. Nga ajo kohë kërkënd të mos e gënjejë mendja se gjendja ka ndryshuar! Kështu ndodhi dhe me rastin TV Ora dhe Ylli Ndroqi, kur, ende pa folur drejtësia, shumë nga mediat nxituan të akuzojnë SPAK dhe sekuestron e aplikuar prej saj ta cilësojnë sulm politik (!?). Kjo do ishte gjëja më e vogël, po të mos kishim parë atë vetë, Presidentin Ilir Meta, të nxitonte brënda ditës për të vënë nën akuzë për ushtrim censure dhe presion në rritje ndaj kritikëve me qeverinë ndaj “medias së pavarur”. Nuk kish rëndësi se nuk përdori emër pronari apo televizioni! Të gjthë e kuptuan se mesazhi drejtohej në mbrojtje të Ylli Ndroqit, alias Xhemail Pasmaçiu.
Në Shqipëri askush nuk habitet pse pjestarë të botës së krimit përdorin nga dy apo më shumë emra? Ka qenë (mbase dhe është) koha kur kushdo prej tyre, kundrejt pagesës, ndërronte emrin dhe merrte dokumente të reja, (pasaportë dhe kartë identiteti) me vendim apo pa vendim gjyqi. Gjithashtu, askush nuk u habit kur prej tyre deshën të krijojnë media, medemek të informojnë shoqërinë! Nuk habiteshin sepse dukej qartazi që Shqipëria i ngjante një shteti të dështuar dhe të ngrije zërin e të protestoje si individ, do dukeshe qesharak, ndërkohë kur ishin të ngritura e duhej të funksiononin institucione të posaçme të pranishme në disa dikastere për krimin ekonomik, për pastërtinë e figurës, për burimin e financimit, etj., dhe ato heshtnin.
Është e dhimbshme, por e vërtetë! Sot në informimin e shoqërisë marrin pjesë shumë e më shumë media të varura, që si sherbëtore i shërbejnë përulësisht politikës apo interesave të individëve me pushtet. Ato janë të pasura, ndjehen të sigurta se kanë si suport finaciar ish drejtuesit e shtetit shqiptar ose oligarkë, që media u duhet si armë për t’u mbrojtur, për pushtet, për influencë, për tendera, por dhe për të shtuar pasurinë. Kanë të dërguarit e tyre në parlament dhe (ende) në organet e drejtësisë.
Publiku i tradhëtuar nga “Pushteti i katërt”, gjithnjë e më shumë po sheh se shpëtimi prej kalbësirave nuk ka gjasa se mund të vijë prej strukturave shtetërore e pushtetet e tjera. Një prej tyre, drejtësia, dihet se ka luajtur rolin vendimtar për shkatërrimin deri në këtë derexhe të shtetit. Pas saj vijnë mediat sherbëtore. Shpresat e shoqërisë, të asaj shoqërie që i dhimbsen fatet e vëndit, janë SPAK dhe ndërkombëtarët. Ambasada e SHBA-së u shpreh dje, por jemi ne që po u lutemi amerikanëve, që në realpolitikën e tyre të mos u luten mafiozëve, por të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë: t’i fusin në listat e personave të padëshiruar, duke u publikuar emrat. Kjo do ishte ndihmë e madhe për këtë popull, që t’u shkëputet njëherë e përgjithmonë kthetrave të mafias në media dhe shoqërinë shqiptare ta pastrojë nga çibanët e qelbëzuar.