Sektori Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Lezhës arrestoi një punonjës të Kontrollit Teknik të Automjeteve në Laç dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë.
Në pranga të Policisë ra shtetasi Elvis Thanasi me detyrë arkëtar pranë pikës së Kontrollit Teknik. Ai së bashku me 3 personat e shpallur në kërkim akuzohen për “korrupsion pasiv”, pasi u kanë marrë ryshfet disa qytetarëve në këmbim të dhënies së Çertifikatës së Kontrollit të Mjeteve.
Njoftimi i plotë e Policisë Lezhë
Lezhë,më 12.11.2015
4 të proceduar për korrupsion pasiv në pikën e kontrollit teknik të mjeteve në Laç Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në datë 11 nëntor 2015, kanë ndaluar shtetasin Elvis Thanasi, 27 vjeç, banues në Tiranë me detyrë arkëtar i Kontrollit Teknik të Automjeteve, Dega e Shoqërisë “S.G.S Albania”, Laç.
Ndërkohë u shpallën në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:
- Gëzim Kuliçaj, 56 vjeç, me detyrë Specialist i Kontrollit Teknik të Automjeteve , dega e shoqërisë “SGS Albania”, Laç
- Artan Keroviqi, 47 vjeç, me detyrë Specialist i Kontrollit Teknik të Automjeteve, dega e shoqërisë “SGS Albania”, Laç
- Adrian Mullishi, 54 vjeç, me detyrë Specialist i Kontrollit Teknik të Automjeteve , dega e shoqërisë “SGS Albania”, Laç.
Procedimi penal ndaj tyre filloi pas publikimit në televizionin Top Channel, në emisionin investigativ “FIKS FARE”, të disa veprime korruptive të punonjësve të Degës së Shoqërisë së Kontrollit Teknik të Automjeteve “SGS Albania”, Laç.
Të proceduarit dyshohet se kanë përfituar sasinë 4.000 lekë në këmbim të dhënies së Çertifikatës së kontrollit teknik të një automjeti.
Ndalimi dhe shpallja në kërkim për këta shtetas u krye për konsumim të elementëve të veprave penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, “Shpërdorim i detyrës”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 164/b, 248 dhe 287 të Kodit Penal. Veprimet proceduriale janë ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Policia e Shtetit fton mediat të denoncojnë çdo rast korruptiv apo aferë, duke garantuar se do t’i ndjekë në kohë dhe me seriozitet denoncimet duke vënë para përgjegjësisë çdo shkelës të ligjit.
# # #