Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar sot shtetasin Mondi Voga, i cili u kap në flagrancë, pasi kishte armë në makinën e tij.
Vogës iu gjet armë në një makinë luksoze e të blinduar, ndërsa emri i tij lidhet edhe me një ngjarje të dhunshme të ndodhur në Durrës. Mondi Voga u kap nga kamerat e sigurisë së një subjekti afër Prokurorisë së Durrësit duke dhunuar avokatin Ilia Ilia.
Voga u shpall në kërkim që ditën e ngjarjes, pasi vetë i dëmtuari ka arritur ta identifikojë atë që në momentin e parë dhe ta referojë emrin e tij në organin e hetimit si person që ka lidhje me prokurorin Arjan Ndoji, shkruan “BalkanWeb”.
Për këtë ngjarje, u vendos në hetim edhe prokurori Arjan Ndoji, që dyshohet se ka organizuar sulmin ndaj avokatit, me të cilin ishin konfliktuar keqas verbalisht një ditë para ngjarjes në një seancë gjyqësore. Në lidhje me ngjarjen, babai i Mondi Vogës deklaroi se djali kishte rrahur avokatin Ilia pasi ishte shtyrë nga prokurori Ndoji.