Nga Bajram Peçi
Tirana, trualli prej ku hapi krahët për të nisur fluturimin historik kryeqendra e shtetit shqiptar, mbush 100 vjet. Në historinë e popullit tonë Kongresi i Lushnjës përbën një nga ngjarjet më të mëdha, të përmasave si ajo e shpalljes së pavarësisë. Sa më shumë kohë kalon aq më tepër spikat madhështia e ngjarjes, e pjesëmarrëve dhe vendimeve të marra. Atdhetarët shqiptarë kishin dieni mbi Traktatin e Londrës, i quajtur më pas “i fshehti”, por vetë armiku ua kish zbuluar qëllimet. Vëndi ndodhej në pragun e copëtimit përfundimtar. Komanda e ushtrisë italiane në Durrës as e njohu dhe as nuk e lejoi qeverinë e dalë nga ky kongres të vendosej në kryeqytet, në Durrës. Në këto rrethana, për veprimtarinë e qeverisë u panë tërë versionet si mundësi, Shkodra, Vlora, madje dikush përmendi dhe Kavajën, por përfundimisht krerët, në 8 shkurt 1920, vendosën që të shkojnë në Tiranë, ku një banesë e përshtatshme, shtëpia e Zija bej Toptanit, u afrua si seli për t’u vendosur qeveria. Dhe u nisën për të mbërritur në 11 shkurt, duke u lartësuar këta burra kështu në lavdinë e përjetshme të kombit.
Mbi Tiranën, rritjen dhe zhvillimin e saj, kanë shkruar plot historianë e studiues. Tirana si vëndbanim i përket jo mesjetës së vonë, siç rëndom gjendet e shkruar, por kohërave shumë më të lashta. Sa do radhitet më poshtë, nuk provon asgjë dhe as merr përsipër të provojë, por ka mjaftueshëm argumentet për të dalë nga realiteti i zakonshëm, i mumifikuar, dhe të lejon të hysh në një realitet të paeksploruar.
* * *
Tërësi rrethanash si sprovë historike për lindjen e vëndbanimit
Në krahun verior të ish selisë së qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, shtëpia e Zija Toptanit, sot Akademia e Shkencave, gjatë disa punimeve rrugore bri mureve rrethues, që i quajmë “Kalaja e Tiranës”, dolën trakte rrënojash. Atë kohë u shtrua pyetja: kujt periudhe i përkasin, mesjetës së vonë apo janë rrënoja të kulturës romake?
Këto gërmadha të pjesëshme, me mbartje vlerash historike, si të paktat objekte që mund të hidhnin më tej dritë në lindjen e një vendbanimi, u lanë në “fatin” e tyre. Gjithsesi, traktet e zbuluara u vunë nën mbrojtje. “Të pjesëshme”, sepse shtrirjet e përfytyruara të objektit nën dhè nuk ka mundësi të ndiqen, ngase mbi to ngrihen godinat e parlamentit dhe akademisë. Nuk u bë ndonjë përçapje për t’u dhënë qytetarëve të interesuar një plan të mundësisë së shtrirjes të ndërtimit të vjetër. E megjithatë, pa ngulmuar përafrimin te analiza, por te të ngelurit mes studimit të krahasuar dhe hamendjes hipotetike, po shtjelloj disa pikëpamje.
A janë rrënojat një Castrum romak?
Nuk pati ndonjë botim studimor mbi origjinën, lashtësinë e tyre dhe funksionin e ndërtimit të rrënojave në Tiranë, një objekt ky me burim
Fragment i rrenojave të lashta në Tiranë
të pasur lëndor. Në atë periudhë u tha pak a shumë se ndërtimi nuk mund të ishte i periudhës romake, sepse: romakët kanë ndërtuar me tullë të gjerë e jo me gur të latuar; Oktaviani dhe Diokleciani nuk kanë bërë ndërtime në Iliri, e të tjera argumente. Si kushdo që mund të shfletojë çfardolloj encilkopedie mbi inxhinierinë, provova dhe gjeta, që romakët kanë ndërtuar me gur të punuar, me tullë dhe me dru.
Pa patur aspak ndërmend të hyj e të merrem me kundërshtimin e tyre, po sjell këndvështrimin mbi rrënojat e zbuluara pak vite më parë: a janë mbetjet e themelive të një Castrum-i romak? Nga shfaqja e disa fragmenteve është plotësisht e mundshme të përfytyrosh shtrirjen e gjurmëve të një katërkëndshi të modelit ngjashëm me të castrum-it romak. Në këtë synim vetiu më çon studimi i planit të hapjes se atyre pak rrënojave të zbuluara, që ndonëse përbëjnë një fragment, mbase shumë më pak se një e katërta e planimetrisë së mundëshme, por që tregojnë shumë. Mjafton t’u bësh atyre krahasimin me simotrat europiane.
Krahas rrënojave shfaqet ndërtimi ekzistues, me pjesën e sipërme të mesjetës së vonë, mure që vazhdojnë në linja drejtvizore, ku hamendësohet se janë përdorur themele më të vjetra, por duken edhe themele që administratorët otomanë nuk i përdorën në ndërtimet e mëpasme. Ato mund të jenë pjesë e rrënojave të ish castrum-i. Në thellësi të gërmimit vrehen elementë të sistemit të kanalizimeve e të drenazhimit, tipare këto të artit ndërtimor roman.
Kronikanët shkruajnë se deri nga mesi i shek. II-të para erës së re, romakët nuk linin roje legjionarësh në territoret e pushtuara. Ata mjaftoheshin me vendosjen e taksave. Atëbotë, Roma – sipas historianit Grimberg – besonte se administrimi i territoreve të përtejdetit ishte një vështirësi e papërballueshme. Me mbarimin e luftës për zotërimin e Mesdheut, me ngritjen administrative të sistemit të provincave, bazat e pushtetit ishin hedhur.
Rrënoja të kullës të këndit verior
Forma më e dukshme e pushtetit romak, shprehej në ndërtimin e rrugëve ushtarako-tregtare. Nga lindja vinin drejt Romës skllevër, drithëra, stofra të çmuara, mëndafshi, vera e metalet. Roma, qytet i një milion konsumatorve, këto rrugë duhej t’i ruante nga grabitësit e shkelësit e ligjit. Rruga i shërbente Romës për të mbrojtur të nënshtruarit dhe të nënshtronte të pabindurit. Të gjitha degët e rrugëve lindore, që përfundonin në Dyrrah, Apoloni, Skodrinon, Buthrot dhe Aulona, mbroheshin në thellësi nga legjione romake. Pikërisht, për këto njësi të famshme ushtarake ngriheshin Castrum-et.
Castro-t klasike romake kishin formën e një katërkëndëshi me madhësi 16 deri 20 hektarë. Sipas lëndëve natyrore që ndodheshin përreth, ishte dhe përbërja e ndërtimit. Diku me bandiera druri, siç ishin castrum-et në territoret gjermanike e danubiane, diku me tulla e diku me gurë. Në dy apo katër qoshet e Castrum-it, ndodheshin kullat, të cilat më dendur hasen në formën si është kulla rrethore në rrënojat e Tiranës. Është pikërisht kjo kullë, me formën e madhësinë e saj, që përforcon qendrimin e zanafillës romake dhe lehtëson njohjen e origjinës.
Në periudhën bizantine, arti ushtarak i fortifikimeve thotë se kullat ndërtoheshim pesëkëndore. Me zbulimin e armëve të fuqishme të zjarrit, bombardat, spingardat e topat, kullat këndore – thonë ata – e humbën rendësinë e tyre dhe dolën jashtë funksionit. Muret rrethuese të
rrënojave të Tiranës, me trashësi tre metra, janë ndërtim që i përkisnin artit ushtarak të periudhës të armëve të ftohta, si shpata, baheja, topuzi, ushta dhe harku me shigjeta. Këto kështjella të përhershme legjionesh rrjedhin si strukturë nga kampet e ndërtuara, ose gjatë fushatave ushtarake, ose ato të pushtetit të sundimit dhe të administrimit. Mbishtresat osmane janë lehtësisht të dallueshme tek muri ekzistues, për shkak të tipareve të ndryshme të madhësisë së gurit dhe qenjes së tij në gjendje të papërpunuar.
Castrum-et romake, përpos legjonit, u mbushën me kolonë të profesioneve që i shërbenin ushtrisë, mbetjet e të cilëve besohet sot nga disa studiues se janë vllehët. Ato zotëronin statusin e qytezave socialo-ushtarake.
Me bindjen, nëse do vazhdonin gërmimet, do ndiqnim linjat drejtvizore poshtë shtresës gjysëmmetroshe të dheut që mbulon rrënojat, shpreh idenë se do dilte nga rrënojat e Tiranës një model Castrum. Në shërbesë të kësaj bindjeje është vendosur si ilustrim edhe grafika shoqëruese e konfigurimit të atyre mbetjeve që sheh syri dhe që flet në plotësim të këtij mendimi.
Plan rilevimi i rrënojave te rruga këmbësore Murat Toptani
Edhe pse jo i plotë, ashtu si miza në qelibar, ka ardhur i ruajtur për kryeqytetin tonë, trakti i rrënjëve të një Castrum-i. Besoj, se lindjen e Tiranës si vëndbanim. ia detyrojmë castros romake.
A mund të jenë rrënjët e Tiranës të ndërthurrura me Mansio-t dhe Mutatio-t?
Ashtu si castrum-i romak edhe bujtinat e stacionet postare vlejnë të merren në vlerësim si mundësi e zhvillimit të vendbanimit të lindur. Qendrat e banuara, në periudhën e Perandorisë Romake, kanë si bazë të tyre të zhvillimit tre elementë të rendësishëm qytetërimi: castrumin, që është kështjella e legjionit; mansiones, bujtinë për udhëtarët; mutatio-t, stacione postare dhe vend ku ushqeheshin dhe këmbeheshin kuajt. Në rrugët romake mansiones ishin në të njëjtën distancë nga njëri-tjetri, mesatarisht 15 milje, duke u imituar ato të perandorisë persiane.
Mansiot ishin nën mbikëqyrje të një oficeri të quajtur mansionarius, por ato nuk kishin për qëllim të strehonin legjionet. Ishin castrum-et ato që ishin në gjendje për të bërë strehimin dhe sigurimin e tyre. Për të plotësuar nevojat e përgjithëshme të udhëtarëve, lindën dhe u përhapën forma të tjera të natyrës vetjake, që ishin mutatiot. Ato u shërbenin udhëtarëve, një lloj i shërbimit publik iformuar si një rrjet privat përgjatë rrugëve romake, që më shpesh dalin në afërsi të mansioneve. Edhe pse kanë një funksion të ngjashëm, vlerësimi i tyre ishte më pak se mansiones.
Mutatiot, jetuan gjatë sepse u ishte besuar edhe shërbimi i postës, me mundësinë e ndërrimit të kuajve për korierët. Posta me lajmëtarët, me karrot dhe stacionet mutatio, me udhëtarët dhe letrat, u bënë në vite pjesë përbërëse e funksionimit të Perandorisë Romake dhe përhapëse të qytetërimit. Falë tyre, shpejtësia e dërgimit ose marrjes së lajmit arrin në 320 km. në 24 orë. Nga gjurmët e mansioneve e mutatiot e lashta, tek ne kanë mbërritur emërtimet e shumë vëndbanimeve të ditëve tona. Këtu ndodheshin shërbimet e ngrohjes dhe ushqimit, farkëtarët dhe mjekët për kujdesin për kuajt, për udhëtarët e për korierët postarë.
Në mënyrë të natyrshme, zonës që përfshinte fushën e Tiranës, duhet t’i merret e mirëqenë prania e mansios dhe mutatios. Përpos rruqës Egnatia që nisej nga Durrësi drejt maleve lindore, Kandavia, e përfundonte në Bizant, kjo portë hyrëse e Perandorisë Romake kish nevojë edhe për rrugë me drejtime të tjera Veri-Jug. Tre prej tyre njihen nga harta e Tabula Peuntiger, harta e Itinerari Antonini Augusti dhe ai Burdigalense, ku jepen distancat nga Durrësi në Kostandinopojë; nga Durrësi në Salonë; nga Durrësi në Actia Nikopoli.
Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje në lindje të Durrësit, aq sa ishin distancat standarte të stacioneve rrugore, ndodhet fatmirësisht sot një qendër banimi me emrin e lashtë, Manzë. Emëri tregon se është pasardhësja e një mansoni, të parit nga Dyrrahu, që ngrihej e shërbente në rrugën drejt Albanopolit, ngjitjes në fushën e Tiranës së Vogël-drejt Skodrinon dhe fushës së Tiranës së Madhe-drejt Tyrkan. Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje nga Manza ndodhet Tirana, me shumë gjasa, vëndi ku ngrihej një tjetër manson dhe ku një tjetër mutatio afronte ndërrimin e kuajve për lajmëtarët e lashtësisë. Mansoni “Tyran” nuk është fundi i rrugës, por veçse një stacion i ndërmjetëm. Rruga vazhdon drejt qytetit të Parthinëve-Persqopit ose fortesës së Skuterrës. Një fragment i kësaj rruge ishte i dukshëm 45 vjet më parë afër fshatit Fikas, në bregun e djathtë të lumit Erzen (Argenti i lashtësisë).
Shumë nga qytetet tona lindën prej castrum-eve romake?
Nga rrjeti rrugor romak shihet të kenë lindur një mori vëndbanimesh, që vijojnë të gjallojnë ende në Shqipërinë e sotme. Pyetja kryesisht shtrohet si mundësi për vendbanimet jo në vijën bregdetare, por në brëndësi të tokave ilire. Një e tillë është edhe Tirana.
Me mbartjet e lashta latine në shqiptim, shqipja është e aftë si gjuhë të vërtetojë më shumë se çdo fushë tjetër praninë e pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Për rrjedhë të marrëdhënjeve gjashtë shekullore me romanët, jemi populli që qendrën e banuar, qytetin, dhe banorët e saj, qytetarët, i quajmë idem si dhe latinët: civit-us (qytet – shqiptohet sipas ligjësive të zhvillimit fonetik të shqipes), si dhe italianët, anglezët, spanjollët dhe portugezët.
Ky shpjegim i vlen një tjetër argumenti më të vlefshëm për synimin, atë të lindjes së qytetërimit romak në gadishullin Ilirik. Të gjithë historianët e epokës romake, janë në një mendje kur thonë se, si rregull, Castrum-et e lashtë romakë evoluuan si koloni romake me kalimin e kohës, për t’u bërë qendra të banuara dhe qytete. “Nuk ka vend, sado i humbur qoftë – shkruante nga Dyrrah Ciceroni – ku të mos depërtojë arbitrariteti dhe shtypja e Romës”. Muret për rreth castrum-t u populluan me veprimtarë tregtie e shërbimi, si karpentierë, këpucarë, bojaxhinj, poçarë, endës, furrëtarë e kasapë. Torino, Komo, Pavia, Breshia, Bolonja, Firence, Strasburgu, Zyrihu, Viena, Këlni, Budapesti, janë ish castrum-e romake. Të gjitha vëndbanimet angleze që kanë prapa shtesën Chester, janë ish castrum-e romake. Në Ballkan: Beogradi, Ljubjana, Sofia, Edreneja, Nishi. Në Shqipëri, të gjithë emrat e vëndeve me prapashtesën kastër, si Gjinokastër, Mallakastër, Palokastër, Kastrat, janë mbetje të emërtimeve të castro-ve të të shkuarës, një kohe kur ende shqiptimi i arbërorëve nuk e kishte shndërruar në formën “kështjellë”. “Rreth kampit – thotë historiani Karl Grimberg – lindëte një fshat ose një qytet, ku vendoseshin tregtarë e artizanë”. Rreth mureve të asaj që tani (prej turqishtes) quhet Kalaja, është rritur dhe zhvilluar fillimisht edhe kryeqyteti ynë. Kampet dhe fortesat romake u bënë qendra të rendësishme të kulturës dhe zhvillimit civil. Roli i tyre për civilizimin e popullatave përfundoi me dyndjet gote, ostrogote, avare e sllave, pas të cilave filloi errësira dhe obskurantizmi mesjetar, por gjurmët nuk ja shleu dot. Te shëmbëlltyra jonë, ne shqiptarëve na shihet edhe Imperum Romanum.
Inxhinieria e famshëme romake, pas një ndërtimi castrum, kujdesej për dy elementët bazë të rregullimit të jetës: rrjetin rrugor dhe rrjetin e ujësjellsit për në castrum. Romakët ndërtuan në Iliri një rrjet rrugor të gjerë, i cili, me pak ndryshime, përshkon edhe sot gjurmët e të kaluarës. Gadishulli Ilirik, pasi u nda në provincat e Epirit, Ilirisë, Maqedonisë, Trakës dhe Mezisë, u administrua nga guvernatorë romakë. “Ata ndërtuan – thotë historiani Georges Castellan – një rrjet rrugor që depërtoi thellë në kaosin ballkanik”. Rruga Egnatia ishte më e njohura. Të gjitha u paisën me kalldrëmin për kalimin e karrove, katër kalorësve sup më sup, në të cilat udhëtonin ushtarakë, administratorë, tregtarë me prodhime, artistë. Kolonitë e vendosura gjatë boshteve u bënë prejardhje e qyteteve Adrianopolis, Serdika, Naisus, Singidunum. Porta e hyrjes në Ballkan ishte Durrësi”. “Çdo përrua, çdo lumë – thotë historiani Faverial – kishte një urë të fortë”. Ndërtimi i një zinxhiri fortesash romake përgjatë rrugëve, çoi në lindjen e bashkësive të mëdha.
Nga ky sistem rrugor mund të ketë lindur edhe Tirana vëndbanim. Versionet e shtjelluara sa sipër dhe lidhja e tyre me rrënjët e Tiranës, janë më shumë se një joshje që sjellin mbetjet-rrënoja të një ngrehine të lashtë. Brenda përmbajtjes së thënjeve kanë ndikimin e tyre edhe të vërtetat e njohurive mbi strukturën e rrjetit rrugor të lashtësisë. Janë një mori qytetesh e vëndbanime në Shqipëri që lindën prej rrjetit rrugor, nga castrum-et romake, mansonet dhe mutatiot. Më shkoqitësit në kuptim janë Kavaja, Fieri, Puka, etj., që rrjedhin nga stacionet rrugore. Kavaja, me ndodhje mileare të përshtatsme për një stacion, nga Dyrrah ishte stacioni i parë i Via Egnatia, ku ndërroheshin kuajt (kavalo). Puka (Publis) ishte stacioni i ndërmjetëm mes Skodra dhe Theranda-s dhe Fieri (Fiera), stacioni i parë i degëzimit të rrugës Egnatia nga Apolonia.
Lindja e Tiranës parë përmes përrallave dhe historisë
Thënja e gënjeshtër se Tirana lindi në 1614, kur u ndërtua xhamia e fesë islame dhe hamami i kulturës lindore turke, ka zënë vend në tekstet e guidave turistike, madje dhe në librat e historisë. Fillimi i tregimit të lindjes së Tiranës me ndërtimin e xhamisë, u shkon për shtat teologëve dhe fanatikëve islamë të Shqipërisë.
Si te grekët, edhe te turqit vihet re dhe njihet megallomania për t’i shpjeguar emrat me kohën e sundimit të tyre, që ndikuan në kuptimin e zmadhimin deri në monstruozitet të përrallave, rrjedhë e epërsisë sociologjike të sunduesit. Kuptohet se shtysat nga të cilat u nisën ata që e “pagëzuan” qytetin ishte Xhamia e Sulejman Pashës. Kjo datë (1023 hixhri) ka qenë e shkruar në xhaminë e vjetër dhe si e vetmja e dhënë, u vendos për datëlindje.
Tirana e viteve ‘20
Emri i Tiranës deri tani është shpjeguar sa me legjenda fëminore, aq dhe me argumente të nxjerra nga historia. Është thënë se Tirana ka këtë emër se një plakë ju gjegj dikujt se ”po tir anë”; kronikani turk, Evlija Çelebi, si pjellë pushtimi, ndonëse emri Tiranë vjen nga thellësia e shekujve, na thotë se turqit ja vunë emrin “në kujtim të një fitoreje të Sulejmanit në Persi, Teheran” dhe kjo gënjeshtër ka zënë vend prej kohësh në një mori enciklopedish të njohura botërore.
Një tjetër studiues e lidh emrin në mënyrë të pakuptimtë me një formacion gjeollogjik, ”të ranat”.
Që lindjen e saj mbase ia detyrojmë Castros romake, nuk e ndeshim kund, sepse trajtohet, për shkak të mjerimit material, si një e vërtetë ende e paarritshme. Të dëshmosh objektivisht në procesin e madh e të largët të historisë ka shumë vështirësi, sepse është e paarritshme plotësisht e vërteta, gjë që buron nga brishtësia e shekujve të kaluar prej kombit.
Harta e vitit 1689, “Albania Propria ouero Superiore detta anche macedonia Occidentale”, me autor Giacomo Cantelli, burimi Biblioteka Kombëtare.
Nga fundshekulli i XVII na vjen e vetmja hartë që ka si qendër të banuar “Terrana”. Prej saj vrehet e dhëna me interes: shënjat me simbolin kishëtar roman të rangut hierarkik famulli, ndryshe nga Kroia (Kruja), që shënohet me shenjën e dioqezës. Është e vitit 1689, “Albania Propria ouero Superiore detta anche macedonia Occidentale”, me autor Giacomo Cantelli dhe që botuesi ia kushton Papa Klementit XI
(Giovani Francesko Albani). Tërheq vëmendjen fakti se në hartë shënohet prania e një kishe romane. Pra, Tirana ka kishë dhe bashkësi të ritit katolik. Del vetiu pyetja: ka ekzistuar kjo kishë apo është ndërtuar në shek. e XVI-të? Me shumë gjasa, ka ekzistuar, sepse sunduesi otoman nuk lejonte ngritje të kishave të reja. Madje, edhe ekzistueset po i nënshtroheshin shndërrimit të tyre në xhami.
Islami, me mbizotërimin religjioz të karakterit unitarist dhe totalitar të shtetit teokratik, kishte 200 vjet që e kishte futur zhdukjen e feve të tjera në thelbin e ekzistencës së perandorisë. Nëse do e pranojmë këtë argument, prania e një kishe në Tiranë në shek. e XV-të e më parë, si nevojë shpirtërore, do ishte në shërbim të një komuniteti banorësh, që vetiu të shpie te vënbanimi, qyteti apo qyteza.
Për herë të parë, të shkruar në formën se si e ruan sot, emrin e Tiranës e gjejmë të përmendet në një dokument të Venedikut, në vitin 1418. Në listën e qyteteve, që përshkoi anonimi i Ravenës në shek. e VII tek “Cosmographia”, më pak se 100 vjet pas Prokopit të Cezaresë, nuk përmendet as Tiranë dhe as Terrana, por përmendet një emër i ngjashëm dhe i afërt me to, Tyrkana. Kjo lë të kuptosh se nga viti 560, kohë kur kronikani në veprën “Mbi ndërtimet”, e rendit Tyrkana-n në kështjellat e ringritura nga Justiniani, deri në këtë periudhë ka qenë thjesht një fortifikim castrum.
A mund të jetë “Tyrkanos” i kronikanit bizantin, Prokop i Cezaresë, Tirana?
Më i qendrueshmi, më bindësi si argument, është rrjedha nga emri i ngulimit të lashtë Tyrkan, një kështjellë kjo që arkeologët s’dihet pse fillimisht e degdisën te ca rrënoja fortifikimi të tjera, shtrirë në shpatin perëndimor të malit Dajt dhe aspak të besueshme. Fortifikimi përmendet nga kronikani bizantin Prokop, në shek. VI-të. Gjatë kërkimeve në rrënoja u gjet një monedhë e Tiber Kostandinit të II-të, që i përket shek. VI-të, kjo shërbeu për t’i vënë pa ngurrim emrin. Ka kohë që nuk po i cilësojnë më këto fortifikime me emrin Tyrkan, por i quajnë “Kalaja e Dajtit”, kur ende Zgërdheshi dhe Persqopi vijojnë të mëdyshen se kush prej tyre është mbetje e Albanopolit të Ptolomeut?; kur vëndvarrimi i Skënderbeut, kisha e Shën Kollit ende mbetet e dyshimtë, si ka qenë e mundur të vendosej Tyrkani në malin e Dajtit, ndërkohë që as një dokument, artefakt apo hartë e vjetër, nuk e përcakton? Jepet si shëmbëlltyrë e saj një brez muri fortifikues tre këndor, me gur të papunuar, me tre kulla, ndodhur në 1200 metra lartësi.
E para hartë që zotërojmë, ku Tirana gjendet e vendosur atje ku është sot, siç e përmendëm, është e shek. të XVII, por kjo nuk duhet të merret si përfundimtare. Duket se puna në këtë lëmë kërkon të vijohet, sepse vërtitet ende në boshllëk, pa bërë asnjë përçapje për kërkim në fondin e hartave të të tjerëve, sidomos në hulumtimin e burimeve dokumentare venedikase dhe papale. Në formën e dukshme të veprimtarisë së dobishme shoqërore në mjedisin rrethues të studimeve, veçoj e vlerësoj një punim të z. Ilir Mati, që mbështetet mbi toponiminë, thelbi i të cilës del si përmbajtje në shpjegimin se, ”Historia e Tiranës nuk ka pse të mbështetet në legjenda…Me vjen keq kur për
historinë e qytetit të Tiranës i mëshohet fort dëshmive gojëdhanore… Sa për mua – shkruan z.Ilir Mati – unë jam i bindur se emri i Tiranës nuk ka të bëj me krijime mesjetare. Ai mund të ketë ardhur nga emri i hyjneshës të cilën ilirët dhe grekët e thërrisnin Afërditë, latinët Venere dhe etruskët, të ndjekur nga romakët, ndoshta të shpërngulur nga Italia dhe të vendosur rrëzë Dajtit në shekullin e tretë para Krishtit, i thonin Turan. Emër që te Barleti del Tyrann dhe sot shqiptohet Tiranë”. Hulumtimi i z. Mati përputhet me pikëpamjen e të J.G.fon Hahn-it. Prej këtij studiuesi mësojmë se format Tuscus dhe Tyrrhenus, që gjenden në Shqipëri, janë me origjinë latine ose etruske.
Më tej: historiani dhe kleriku francez, Zhan Klod Faverial, në një Histori të Shqipërisë (botime Plejad, përkth, Gjergj Ulqini, faqe 112, 2004) na thotë, në referencë të Pukëvil, (konsull i Napoleonit pranë Ali pashë Tepelenës) se “…plaçkitjet e avarve në Shqipërinë Qendrore nuk u kursyen. Ajo ndjeu në kurriz gjëmën e të gjithë luftrave që paraprinë ngritjen dhe rënjen e Perandorisë së Poshtme…(v.581). Qytetet u shkatërruan dhe u ringritën shumë herë. Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin. Ai, po ashtu, fortifikoi shtegun e portave Kaudavikune, për të ndalur sulmet e barbarëve”. (Pukëvil, Udhëtime, vëll. I, faqe 393). Sa lexohet, emri Tyranë, tashmë në rangun e një qyteti, na vjen nga shekulli i VI-të. Shënimi nga autori Faverial në faqen 113: Tyrana-Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri.
Do ndihmohej shumë historia e zanafillës nëse do dihej: fusha i ka dhënë emrin qytetit, apo qyteti i ka dhënë emrin fushës? Barleti, përmes të cilit mësojmë nga viti 1504, se ekzistonin në mesjetë fusha e Tiranës së Madhe dhe fusha e Tiranës së Vogël (Tirana major dhe Tirana minor, kjo e fundit e vendosur pranë Croyas-Kruja) nuk e përmend praninë e qytetit. “Historia e Skënderbeut” e Barletit, botim i parë shqip, 1964, përkthyes Stefan Prifti, e përmend emrin Tiranë 14 herë. Në tërsinë e rasteve, Tirana nga Barleti përmendet si e përfshirë në operacionet ushtarake. Në disa prej tyre të bën ta marrësh jo si fushë, por si qendër të banuar. Kështu, në faqen 277, shkruhet, ”Skënderbeu…duke marrë me vehte thuajse gjithë kalorësinë e vet, u nis për në Tiranë”. Në faqen 477, “…ata u ndalën dhe ngulën çadrat në një vend që quhet Tiranë, tetë mijë hapa pothuaj larg qytetit”. Vlen të theksoj se një largësi hapash, si njësi matëse, e përcaktuar qartë, merr kuptim me një qendër të banuar, por jo me hapësirat e një fushe.
Kronikani Prokop përmend ekzistencën në Epirin e Ri të qytetit Tyrkan, por nuk përmend fushë. Në “Raporti dell’ Albania esue citta…”, më 1580, përmëndet edhe si qytet, edhe si fshat; Pierr dë Lavarden (Pierre de Lavardin) në variantin anglisht të veprës së tij, “The Historie of George Castriot surnamed Scanderbeg, King of Albania”- London, më 1596, e përmend Tyranna major dhe Tyranna minor. Nga sa shihet, Tirana si emër i takon një kohe të lashtë. Emri i saj ka udhëtuar pa shkëputje në rrjedhë të shekujve.
Fjala e fundit për lashtësinë e Tiranës i përket arkeologjisë
Për historinë e Tiranës, në vite janë shkruar e botuar jo pak nga historianë e kërkues të fusoleksionistë. Nga botimi i parë, ai i 25 vjetorit të pavarësisë e në vazhdim, kanë parë dritën e botimit shumë të tilla, ku veçohen “Historia e Tiranës” e Kristo Frashërit dhe shkrimi studimor i Safete Jukës. Spikat për vlerat botimi i Gazmend Bakiut, “Tirana, një histori e ilustruar”; vlerësimet e arkitektit-restaurator, Sulejman Dashi; disa shkrime e studime të Ilir Matit dhe Thanas Gjikës; botimet e koleksionistëve Nikolla Xharo e Vasil Xhitomi; artikujt e gazetares Rezarta Delisula. Tërheq vëmendjen edhe një album luksoz i Albert Cmetës, i cili, apriori, nuk ngurron që rrënojat e kështjellës së Tiranës t’i shoqërojë me diçiturën se i përkasin shek. V e.r.
Ndonëse arkeollogjia është shkencë dhe si e tillë, ajo edhe prej një monedhe apo prej disa copa tjegullash tipike romake, do ishte në gjendje të shprehej, historia të jep mundësinë të bësh edhe zgjedhje këndvështrimesh. Në Tiranë e rrethinat e saj, jo pak herë janë zbuluar objekte që i përkasin periudhës romake, ku mes tyre spikat mozaiku, tipar dekorativ i banesave të patricëve e më pas, i kishave. Ky objekt ndodhet fare afër rrugës, si asaj të tashme, ashtu dhe asaj të lashtë që vinte nga Durrësi. Si shpjegohet, a mundet që kjo ndërtesë te kroi i Shëngjinit, të cilën e quajnë herë vilë dhe herë bazilikë, e dekoruar në një sipërfaqe të madhe me mozaikë, të ndodhej e vetmuar? Kujt bashkësie i shërbente kjo bazilikë në shekullin e IV-të? Shpjegimet e varfëra të deritanishme kanë lënë të kuptohet se për këto dy objekte, rrënojat e mozaikun, nuk do të kishte pranim të heshtur, por nxitje për të shkuar më tej.
Për rrënojat e rrugës “Murat Toptani”, arkeologëve dhe specialistëve u duhet të hedhin më tej dritë, për të përcaktuar se kujt kohe i përkasin: shek. II-të; shek V-të apo shek. XVII-XVIII. Trakti i gjetur deri tani, nuk është i mjaftueshëm për të mbërritur në një përfundim, pa studiuar shtresat. Jo se s’dua që të përfill argumentet e deritanishme që i largojnë dukshëm në kohë, por besoj se si njëra dhe tjetra, duhen thelluar në kërkime të mëtejshme të zonës, për ecjen në labirintin që çon në zgjidhjen e rebusit Tiranë. Por, që të bësh kërkime, nevojiten fonde, të cilat mungojnë!
Ardhja e ngadaltë e breznive të reja, humbja e kujtesës, roli shtypës i “rulit” pesëqindvjeçar turk, mungesa e shkrimit, humbja e këngëve dhe trashëgimive, na ka lënë si mundësi përpos se studimin e shtresave arkeologjike. Vetëm përmes fondeve dhe punës të arkeologve tanë do bëhet i mundur pastrimi i faqeve të bashkisë Tiranë e fletushkave të tjera nga marrëzitë e gojëdhënave mbi Tiranën. Pikërisht për këtë, ndjehet se duhet nxitur kultura e kundërshtimit ndaj tregimeve të mumifikuara në shekuj, si nevojë për të ndalur vrapin pas fantazmave dhe për të qendruar me këmbë në tokë.
Shdërrimi nga një fshat i madh në metropol
E vendosur në një fushë të begatë, pak më larg nga ultësira bregdetare e kënetizuar, shtrirë në këmbët e malit Dajt, mes lumenjve Erzen, Tiranë e Tërkuzë, banorët e vitit 1920 i gëzoheshin një klime të shëndetëshme. Tirana, kur atje u vendos qeveria e Sulejman Delvinës, ishte një qytet me pamje tipike lindore: shtëpi qerpiçi dhe kopshtije, gardhe, mure e puse, rrugë të shtrembëra shumë prej tyre të pashtruara, treg anadolli. I ngjante kështu, më shumë një fshati.
Ajo çka e kish zhveshur përfundimisht Ahmet Zogun dhe shpurën e tij të administratës shtetërore nga dukuritë e pamvarësisë ishte kredia 50 milionshe në franga ar, e cila ishte dy herë e gjysmë më e madhe se buxheti i shtetit, gjë që nënkuptonte paaftësinë e përhershme të mos likuidimit. Kjo kredi ishte de jure pushtimi e pasonte marrjen që i kishin bërë sovranitetit monetar, me krijimin e Bankës Kombëtare. Nga kredia e dhënë, 20 përqind e vlerës së saj u planifikua të shpenzohej për ndërtimin e ministrive.
Banorë të Tiranës 1930, foto Luigi Pellerano, burimi “The National Geographic Magazine, feb.1931”.
E siç thotë populli, “bashkë me të keqen vjen dhe e mira”. Dominimi i të huajve solli arkitektët dhe ndërtuesit më në zë të kohës, sepse këto 10 milion franga ar për zyrat publike, Italia nuk kish ndërmend t’ua linte shqiptarëve. Projektimin dhe ndërtimin e fituan dhe e morën për zbatim firmat italiane. Florestino Di Fausto, i vlerësuar si arkitekti më i rëndësishëm në Italinë e viteve ’30 dhe i cilësuar si “Arkitekti i Mesdheut”, ishte specialisti që në këtë periudhë erdhi në Shqipëri, ku zëvendësoi Armando Brasini-n. I dha, si me thënë, “dorën e fundit” projektit-planit fillestar të Tiranës, me qendrën e qytetit dhe ndërtesat monumentale në shesh, e që më pas mori emrin e heroit kombëtar, “Skënderbej”.
Ansambli arkitektonik i ministrive vijonte nga Jugu i qytetit në Veri, me një bulevard të paparë nga përmasat, që dhe sot ndeshet rrallë. Shtypi italian i kohës, kur ironizonte ndërtimet dhe përmasat e tyre nën titullin përqeshës, “Katedrale në shkretëtirë”, nuk kish si ta dinte se kjo shëtitore groteske që do i përkiste një fshati të madh, nuk ishte gjë tjetër përpos se konfigurimi ajror i bishtit të “Sëpatës së Liktorit”. Arkitekti, me bulevardin, stadiumin dhe godinat që sot janë Universiteti i Arteve dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, po i gdhendëte Tiranës simbolin e fashizmit italian. Më tej, në cepin verior, atje ku sot është lagja Laprakë, një bllok ndërtimesh të ulta lexonin nga ajri DUX.
Ndërtesa e bashkisë dhe ministritë, sistemimi i Lanës, aerodromi, shtëpia e oficerëve, ndërtesat e Bankës Kombëtare dhe Agjensisë së Sigurimeve, hotelet Internacional dhe Berlin, hapësirat publike me lulishten e thelluar në qendër e të tjera anësore, shatërvani i madh po në qendër e gjashtë të vegjël në lulishte, filluan t’i japin Tiranës tiparet e një qyteti modern. Bulevardet Zogu i I nga Veriu dhe tjetri nga Perëndimi shoqëroheshin me kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza. Klinikës pioniere (spital dhe maternitet) të doktor Bashos ju shtuan dy spitale të tjerë, Spitali Civil dhe materniteti i ri. 7 kinema operonin deri në vitin 1938 dhe 13 u bënë deri në vitin 1944.
Sheshi “Skënderbej”, nga projekti fillestar i Di Faustos, ka ndryshuar formë e përmbajtje tetë herë. U prish fillimisht shatërvani, u hoq në pjesën jugore bazorelivit i shtizëmbajtësit të flamurit; u vendos shtatorja e Stalinit dhe u hoq kur u vendos monumenti i Skënderbeut; pasoi prishja e bashkisë dhe ndërtimi i Pallatit të Kulturës, hotelit shumëkatësh dhe Muzeut Kombëtar, arkitektura dhe stili i të cilëve s’kishin asnjë lidhje me planin fillestar të qendrës. Më tej, “patkoit” të lulishtes i hoqën shkallët, gjashtë shatërvanët e vegjël dhe dekorin e blertë shumëvjeçar, ku spikatnin bredhat shtatlartë. Sheshi, i ndodhur në mëshirën e shijeve të kryebashkiakeve, përfundimisht nuk u bë më i bukur nga ai fillestari. Çdo shpjegim tjetër, shoqëruar edhe me çmime “Europiane”, është thjesht propagandë.
Kohërat e reja i ndryshuan fytyrën Tiranës, me shpejtësi marramendëse e bashkë me to edhe shijet e atyre që ju besua qeverisja e Tiranës. Vitet u rrokullisën shpejt dhe Tirana u ndryshua tërësisht. Në kaosin e krijuar, ndryshimet për mirë, por më shumë për keq, i lanë pak kujtesë e gjurmë nga historia e rrugëve, banesave, hapësirave.
Ndërtesat shumëkatëshe ua kanë hequr banorëve nga shikimi vargmalin e Dajtit. Tiranën e kërcënojnë aktualisht dy përbindësha: 1)Hapësirat e kufizuara publike, të cilat erdhën gjithnjë e duke u zvogëluar. Shumica e lulishteve dhe terreneve sportive të qytetit u zunë me pallate shumekatëshe. 2) Dëndësia e pabesueshme e qarkullimit të automjeteve ndot me monoksid karboni rrezikshëm ajrin. Smogu është i pranishëm çdo stinë, çdo orë të ditës. Të dy te keqet nxjerrin në pah një Tiranë me ajër të pashëndetshëm, me pak ose aspak sheshe, ku mund të lozin fëmijët, ku nënat të shetisin me karroca fëmijët, ku mosha e tretë të endet e të kalojë ditën në qetësi. Për këtë ka vetëm një zgjedhje, Parku i Madh, por sa mund duhet për të shkuar deri atje?!
Kjo do jetë në të ardhmen edhe sfida e Tiranës për pushtetin qendror dhe kryebashkiakët, ta bëjnë të shëndetshëm, ta bëjnë të banueshëm si dhe qytetet europiane. Të presim dhe të shohim!