Qeveria ka vendosur që datën 3 janar 2020, e premte, ta shpallë ditë pushimi për të gjithë administratën publike si dhe institucionet e shtetit.
Vendimi bën që pushimet për Vitin e Ri të nisin nga 31 dhjetori e të vazhdojnë deri më 6 janar, datë kur rikthehet puna rutinë.
Zyrtarisht janë vetëm datat 1 dhe 2 janar, ditë pushimi. Megjithatë rëndom 31 dhjetori është ditë pushimi thuajse në gjithë administratën ose diku aplikohet orar i reduktuar.
Për 3 janarin ditë pushimiz qeveria thotë se ajo do të shlyhet gjatë muajit të parë të 2020.
“Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Caktimin e ditës së premte, datë 3.1.2020, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
2. Dita e punës e datës 3.1.2020 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda muajit janar.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Një tjetër VKM e miratuar nga Kuvendit është emërimi drejtor i Cirkut Kombëtar të Ilirjan Gjinit.
Ilirjan Gjini do të zerë vendin e Saimir Çilit, i cili u lirua nga detyra në 2 tetor të këtij viti.
Qeveria ka miratuar një rishpërndarje fondesh nga buxheti i vitit 2019 ndërmjet ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i hiqet fondi 300 milionë lekë dhe i kalohet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjithashtu në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar edhe një tjetër vendim për të prekurit nga tërmeti. Sipas vendimit, nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, anëtarë të familjes së personave që kanë humbur jetën ose janë shpallur të zhdukur në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 përfitojnë bursë në masën 15 000 lekë në muaj.
g.kosovari