Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla u takuan sot pasdite në Bruksel me Presidentin e Parlamentit Europian, David-Maria Sassoli.
Kryeparlamentari Ruçi e falenderoi Presidentin Sassoli për mbështetjen e Parlamentit Europian dhe atij personalisht për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe për çeljen e negociatave.
Ruçi e informoi Presidentin Sassoli për arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit dhe Këshillit Europian për priroritetet kyçe dhe kërkoi mbështetje në këto ditë vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin.
“Reforma në drejtësi po ecën me sukses dhe në muajt e ardhshëm do të bëhen funksionale edhe organet e reja të sistemit të drejtësisë. Korrupsionin dhe krimin e organizuar e luftojmë me ligje më të ashpra dhe jo me retorika. Ne kemi vetëm një plan A për destinacionin tonë dhe ai është BE.Shqipëria kërkon çeljen e negociatave sepse i meriton ato dhe do të jetë një vlerë e shtuar për BE-në”, tha Ruçi.
Presidenti Sassoli e falenderoi Kryeparlamentarin Ruçi për informacionin e detajuar dhe shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Europian për hapjen e negociatave.
“Parlamenti Europian është i qartë në qëndrimet e tij sepse jemi shumë të kënaqur nga përparimi i Shqipërisë. Unë do t’i drejtohem mbledhjes së Këshillit Europian me prezantimin e qëndrimit të Parlamentit Europian pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Destinacioni i Shqipërisë është i qartë dhe i shkruar: Bashkimi Europian. Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është me rëndësi strategjike dhe një stimul për gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Presidenti i Parlamentit Europian Sassoli.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla u takuan edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister, me të cilin u bisedua mbi bashkëpunimin e mëtejshëm të Parlamentit Europian me Shqipërinë, duke u fokusuar në qëndrimet e përbashkëta në politikën e jashtme, bashkëpunimin rajonal e më gjerë.
/a.r