Për 8 orë me radhë një bashkëshort akuzohet se mbajti në bodrum dhe torturoi gruan e tij, duke e lënë atë me plagë të tmerrshme në trup. Fotot e bëra nga shtrati i spitalit ku po rikuperohet, tregojnë pasojat tronditëse të dhunës barbare të ushtruar ndaj 29-vjeçares Molly Sites, nga Iowa, SHBA.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike The Sun, ajo pësoi fraktura në kafkë, thyerje kockash ndërsa i gjithë trupi është i mbuluar nga shenja të dhunës.
Autoritetet policore arrestuan bashkëshortin e saj Matthew Sites. 39-vjeçari e mbajti gruan peng në bodrumin e shtëpisë, ku e dhunoi fizikisht për orë të tëra.
Molly mësohet se i tha policisë se bashkëshorti e kishte akuzuar për gënjeshtare dhe e kishte goditur vazhdimisht me një shkop dhe objekte të tjera. Ajo rrëfeu gjithashtu se ai i kishte futur duart në fyt derisa kishte rënë pa ndjenja.
Në mëngjes, Matthew ishte larguar nga shtëpia dhe vetëm atëherë ajo mundi të merrte në telefon për të kërkuar ndihmë.
Me të shkuar në vendngjarje policia e dërgoi 29-vjeçaren në spital. Një infermiere e emergjencës tha se dëmtimet e gruas ishin më të rëndat që kishte parë ndonjëherë.