Pasi kërkoi publikisht disa muaj më parë largimin e Damian Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Ralf Gjoni, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, është shprehur sot i bindur se socialisti do të largohet. Në intervistën e dhënë për emisionin “Top Talk” në Top Channel, Gjoni theksoi se Gjiknuri nuk do të jetë më bashkëkryetar i këtij komisioni, kjo për arsye se është përfolur në audio-përgjimet e dosjes 184 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Unë mund t’ju garantoj se Gjiknuri nuk do të vazhdojë të jetë kryetar apo bashkëkryetar i komisionit. E di pse e di unë këtë? Se pa pjesëmarrjen tonë komisioni nuk mund të mblidhet. Nuk do të jetë më dhe ky komisioni nuk mund të mblidhet më me Damian Gjiknurin bashkëkryetar. Jo se Gjiknuri është ndonjë i keqi i madh, por sa kohë që emri i tij është përfolur përmes disa përgjimeve ku aludohet për parregullsi elektorale, nuk mundet që ky person që nuk e ka sqaruar këtë çështje me drejtësinë, të jetë baskëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore”, tha Ralf Gjoni.
I pyetur edhe për takimin që zhvilloi me David Kostelancik, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit, Gjoni theksoi se Uashingtoni i ka garantuar opozitës së re mbështetjen për reformën elektorale.
“DASH na ka garantuar mbështetjen për reformën elektorale. Pa reformë zgjedhore nuk ka asnjë avancim dhe çdo reformë tjerër do të ishte pakuptimtë”, u shpreh deputeti.
Sipas Gjonit, Ramës dhe Bashës u intereson ‘status quo’ dhe se asnjë parti nuk ka dëshirë për ndryshimin e sistemit zgjedhor sepse kanë frikë nga liria që do të fitonin deputetët. Ai aludoi për një “flirt” midis Ramës dhe Bashës, që vijon prej disa kohësh.
“Ata (PS-ja) duan të bëjnë një reformë duke adresuar vetëm rekomandimet e OSBE. Ne vumë një kusht, ndryshimin e objektit, i cili thotë se përveç rekomandimit, të hapet edhe debati kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor”, u shpreh Gjoni.
Sa i përket qëndrimit të SHBA-së mbi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Ralf Gjoni tha se aleati ynë strategjik nuk bën të tilla rekomandime dhe se zgjedhjet e parakohshme mund të caktohen vetëm nga klasa politike në vend./