Nga Prof. A. Miho*
Bëhem me dije këto ditë nga njoftimet në media lidhur me me vendimin e Qeverisë për të kaluar pronësinë e hapësirës së Kopshtit Botanik të Tiranës tek Bashkia e Tiranës. Duke marrë shkas nga ky ndryshim dua të ndaj me lexuesin se çfarë përfaqëson Kopshti Botanik në të vërtetë, cilat janë vlerat dhe shqetësimet, por dhe cila do ishte rruga e duhur për ta ringjallur dhe fuqizuar më tej këtë institucion unik në vend.
Ҫfarë përfaqëson në vetëvete Kopshti Botanik?
KBT shtrihet në shpatet kodrinore në jug të Tiranës, në fund të rrugës Komuna e Parisit, pranë Kopshtit Zoologjik dhe jo larg Liqenit Artificial të Tiranës. Ai ka vendndodhje që sundon Tiranën, kundrejt Malit të Dajtit, me larmi të pasur habitatesh, dhe e gjithë kjo rreth 130 m mbi nivelin e detit. Pavarësisht nga ndërhyrjet, ka sot një sipërfaqe prej rreth 12.5 ha, në të cilën janë ngritur ekspozicione të ndryshme bimësh, si Sistematikë bimësh barishtore, Bimë Aromatiko-mjekësore, Bimë Dru-shkurrore, Bimë Zbukuruese, Pemëtore etj. Ka edhe një Basen të vogël dhe një Serrë me ngrohje diellore. Në të janë zbatuar parimet fitogjeografike moderne në vendosjen e bimësisë, ku strehohen rreth 1000 specie bimësh të larta, gati një e treta e florës së Shqipërisë. Pranë Kopshtit punojnë një grup botanistësh, një staf mirëmbajtje dhe administrimi, dhe një grup me punëtorë të specializuar për punët e Kopshtit. Qysh prej themelimit, KBT ka qenë në kujdesje dhe varësi administrative të FShN, UT; edhe sot është në përbërje të Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës (QKFF), FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/), bashkë me Muzeun e Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” (MShN) dhe Herbarin Kombëtar (HK).
KBT është institucioni i vetëm në Shqipëri, me karakter kërkimor, kulturor, edukues etj. Është në funksion prej vitit 1971, falë përpjekjeve të botanistëve të parë shqiptarë K. Paparisto, M. Demiri, I. Mitrushi etj. Që nga themelimi e deri sot, Kopshti është sistemuar dhe pasuruar vazhdimisht, duke mbjellë bimë nga gjithë Shqipëria. Për këtë meritë të veçantë ka M. Demiri, i cili për vite të tëra udhëhoqi personalisht ekspeditat në gjithë vendin për grumbullimin e bimëve të gjalla e farave dhe ndiqte mbjelljen e mbarëvajtjen e tyre në Kopsht.
Misioni kryesor është njohja në terren, grumbullimi dhe ruajtja jashtë habitatit natyror (ex situ) në Kopsht e specieve të florës së Shqipërisë, veçanërisht atyre të rralla, të kërcënuara dhe endemike; kjo bëhet nga grupi i ekspertëve duke ndihmuar në njohjen dhe këshillimin për mbrojtje drejtpërdrejt në habitatin e tyre; por edhe nëpërmjet mbjelljes, shumimit dhe kujdesjes më tej brenda vetë Kopshtit; gjithashtu, po nëpërmjet ekspertëve të Kopshtit ndihmohet në njohjen, grumbullimin dhe përhapjen e farave me interes, jo vetëm brenda vendit, por edhe në institucione të ngjashme në rajon dhe më gjerë; për këtë KBT ka prodhuar dhe shpërndarë në vite Indeksin e Farave ‘Index Seminum’, dhe mban lidhje me shumë institucione të tjera të ngjashme në mbarë Botën.
Gjithashtu, KBT synon në përhapjen e vlerave të larmisë së florës dhe bimësisë së territorit shqiptar nëpërmjet sektorëve tërheqës përkatës, si dhe nëpërmjet ekspozitave, publikimeve dhe takimeve shkencore, apo me karakter edukues dhe informues, duke zgjuar interesin e shkollarëve dhe universitarëve, si dhe të shumë dashamirësve të botës së gjallë shqiptare dhe më gjerë; është laboratori natyror më i afërt për të njohur florën dhe bimësinë e vendit, por jo vetëm, për shumë kurse universitare apo klasa të arsimit parauniversitar, jo vetëm nga Tirana, por nga gjithë vendi. Brenda vetë Kopshtit, ose nën udhëheqjen e ekspertëve të Kopshtit kryhen vazhdimisht punë diplomash, doktoratash apo studime të tjera në fushën e florës dhe bimësisë shqiptare me interes për vendin, por dhe më gjerë. Kuptohet, si një hapësirë e blertë brenda një zonë të urbanizuar rëndë si ajo ku ndodhet sot, Kopshti ka qënë dhe mbetet përherë edhe një mjedis çlodhës dhe argëtues.
Cilat janë shqetësimet sot të KBT?
KBT ka pësuar dëmtime të rënda gjatë gjithë kësaj periudhe të tranzicionit. Sipërfaqja e tij u zvogëlua, fillimisht nga ndërtimi me forcë brenda territorit nga ish pronarët; kjo hapësirë e lakmuar në gjithë këta vite, madje edhe sot mbetet tepër e lakmuar, ka mundur të mbijetojë nga pushtimi urban falë përpjekjeve të vazhdueshme të stafit të KBT dhe të gjithë UT! Ndërtimi i rrugës së re Tiranë-Elbasan shkatërroi një pjesë të mirë të Kopshtit, duke dëmtuar rëndë ekspozicionin e Sistematikës së bimëve, si dhe një ndërtesë dykatshe, mjedis pune për stafin kërkimor. Në funksion të Kopshtit ishte edhe një ujëmbledhës, i ndërtuar enkas për vaditje, duke krijuar sot vështirësi të rënda në periudhën e verës. Në këto vite iu hoq edhe makina, ndër të tjetra e gjetur me shumë mundim nga stafi, e cila ndihmonte në daljet në terren për grumbullim bimësh dhe farash, duke penguar në përmbushjen e misionit themelor të Kopshtit, atë të freskimit, ruajtjes dhe pasurimit të fondit gjenetik bimor shqiptar.
Nga këto ndërhyrje, dhe prej vështirësive financiare të UT, sot gjendja e Kopshtit është vërtetë e mjeruar! Kopshti ka humbur shumë nga madhështia e dikurshme, dhe mezi mbahet në këmbë! Universiteti e ka të pamundur të kujdeset sa duhet për të! Kuptohet që kujdesi i ndërsjellë nga Qeveria apo Bashkia në gjithë këto vite tranzicioni ka qënë zero! Edhe pse është një Institucion që nuk është vetëm i Universitetit, por është edhe vlerë unike edhe për vetë qytetin e Tiranës, si dhe me vlera të mirëfillta kombëtare! Madje si Qeveria edhe Bashkia nuk kanë bërë përpjekjen e duhur që gjithë ndërhyrjet e përmendura më sipër të shmangeshin për të mirën e Kopshtit! Pikërisht, kjo rrit edhe qëndrimin tonë skeptik në këtë ndryshim pronësie të VKM-së së fundit. Le të shpresojmë vërtet për një kthesë, për një ringjallje!
Ringjallje të Kopshtit Botanik dhe më shumë …
Në Tetor të vitit të kaluar edhe unë isha pjesë e grupit të Universitetit në një takim në Bashki lidhur me rigjallërimin e Kopshtit Botanik të Tiranës (KBT). Në të vërtetë, mbeta i kënaqur për dy arsye: së pari, për dëshirën që po tregon Bashkia për të rigjallëruar Kopshtin Botanik të Tiranës; dhe së dyti, për dëshirën për bashkëpunim me Universitetin për ta bërë atë sa më mirë nga ana profesionale.
Të tre Institucionet përbërëse të QKFF, UT, si KBT, MShN, apo dhe vetë HK janë unike në vend! Por për fat të keq ata janë sot të rrudhur, thuajse të harruar! Funksionojnë nga ana administrative në nivel Grupi Kërkimor! Si të tillë, janë të pafuqishëm për të gjeneruar fonde për të mirëmbajtur veten! As bëhet fjalë që të pasurohen dhe ngrihen! Të paktën të shkojnë deri aty ku kanë qënë dikur, si me paraqitjen e tyre, dhe me veprimtarinë. Jo më të kthehen në institucione si gjithë homologët e tyre në rajon dhe më gjërë. Vetë Universiteti me financat e veta të varfëruara në vite, e ka thuajse të pamundur për të dhënë mbështetjen e duhur. Për këtë, unë mendoj se në gjendjen që janë sot këta Institucione, Universiteti nuk ka se çfarë humbet nga një ndryshim pronësie, mjafton që Bashkia të mos ndryshojë funksionet e Kopshtit, të mos tjetërsojë hapësirën ruajtur me shumë mund në këta vite tranzicioni! Kopshti Botanik, më shumë se rigjallërim (rivitalizim, si thonë rëndom!), ka nevojë për ringjallje, për rimëkëmbje, për rikthim në një Institucion modern, bashkëkohor, të denjë, ashtu si vërtetë e meriton Tirana, si një qytet me sfida moderne, por dhe vendi për vlerat e larta të florës dhe bimësisë që ka!
Nga sa unë kam kuptuar, në Planet e zhvillimit që ka Bashkia për rigjallërim përfshihet gjithë hapësira midis Kopshtit Botanik dhe Kopshtit Zoologjik. Për mendimin tim, nisur nga dëshira e Bashkisë për bashkëpunim dhe ndihmë ndaj KBT, në këtë nismë nuk do ishte aspak keq për të parë mundësinë e ngritjes së një Muzeu të Historisë së Natyrës, në hapësirën lidhëse mes këtyre dy Kopshteve. Një Institucion i tillë, do të përfshinte MShN dhe HK, si dhe Koleksionin e gjeologjisë, si dhe Ksilotekën, tashmë thuajse të humbura ose dëmtuara gjatë çvendosjes së MShN në të kaluarën nga Rruga e Kavajës tek Tregu Elektrik (edhe ky një tjetër absurditet i këtyre viteve!). Vlen të theksoj këtu se edhe gjendja sot e Muzeut të Shkencave është tejet e rënduar, përfshirë këtu edhe gjendjen e Herbarit Kombëtar të strukur pranë tij!
Për hir të së vërtetës, sot në UT, krahas varfërisë që sundon në vite, grupet kërkimore të biologjisë së ruajtjes, si në botanikë dhe në zoologji, janë të shpërndara në Departamentin e Biologjisë, FShN, në MShN, në KBT, në HK. Këta Institucione janë të ndarë fizikisht, duke qënë të ndarë si energjitë mendore, por mbi të gjitha dhe ato materiale dhe financiare. Sikur të gjithë këta grupe kërkimore të bashkoheshin pranë një Muzeu të tillë, dhe një Instituti Biologjik aty pranë, do të ishte shumë më mirë për cilësinë e punës, dhe pse jo edhe për rifreskimin, pasurimin dhe mirëmbajtjen sa më mirë të KBT, MShN, HK, si institucione kërkimore me vlera unike kombëtare. Këtu dua të përfshij edhe Kopshtin Zoologjik po aty, i cili mund të merret në një përdorim të përbashkët me këta Institucione të UT për aspektet kërkimore. Është e kuptueshme se këtu ka nevojë për një mendësi të qartë nga ana e Bashkisë lidhur me rëndësinë që kanë këta Institucione, për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë me këta Institucione dhe me Universitetin për ringjalljen e tyre, por në rrugën e duhur që kërkon koha!
Si përfundim, Kopshti Botanik i Tiranës është institucion unik në vend me vlera kërkimore dhe edukuese! Është mundi, djersa dhe profesionalizmi i mbi 50 viteve! Për më tepër, Shqipëria europiane ka nevojë të ketë një Kopsht modern, për të përmbushur kërkesat e vendit për ruajtjen ‘ex situ’ të florës sonë të rrallë, të kërcënuar, por dhe atë me vlera ekonomike! Jemi vend që dallojmë shumë për këto vlera, dhe të gjithë kemi përgjegjësi për to, nga bota akademike, tek shoqëria, dhe pa diskutim te vendimmarrja! Vendet rreth nesh institucione të tilla i kanë shekullore, dhe kujdesen përherë që të mbahen në formë dhe të pasurohen! Le të jetë ky vendim i Qeverisë një ogur i mirë për ringjalljen e Kopshtit Botanik, pse jo dhe më shumë …
*Përgjegjës i Grupit Mësimor-Kërkimor të Botanikës, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës. Tel.: 068.2707208; e-mail: mi*******@ya***.com; al********@fs**.al