Nga Shkodra ku u prezantua kandidati Valdrin Pjetri, kryeministri i Shqipërisë falënderoi mbështetësit e pranishëm në takim.
“Katër vite më parë iu thashë vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi dhe kushdo që e sheh Vlorën sot, e ka të vështirë ta njohë. Ndërsa sot iu them të gjithë shkodranëve se Shkodra e katër viteve të ardhshme është sfida ime personale” – tha Rama.
Ai tha se PD-LSI kapitulloi para zgjedhjeve elektorale pasi plani i tyre nuk ka lidhje me bashkitë, por është plani i katër njerëzve me drejtësinë që po vjen.
“Nëse unë do të isha personi që ata pikturojnë, që i dua të gjitha pushtetet, këtë mundësi e kisha dy vite më parë kur filluan avazin dhe mund të shkonim në zgjedhje pa ata. E mbani mend sesa shumë i jam lutur Lulzim Bashës për t’u marrë vesh, madje edhe në momentin kur SHBA dhe BE u dorëzuan dhe thanë vazhdoni zgjedhjet sepse janë legjitimet. Ndërsa unë si Romeo vazhdoja t’i lutesha Lulzim Bashës sikur të ishte Xhuljeta. Sot ne do të kishim 140 deputetë. Por nuk e bëmë këtë sepse nuk u nisa nga interesi i ngushtë” – tha Rama.
Kreu i qeverisë u tregua i ashpër me kryebashkiaken Voltana Ademi, e cila udhëheq militantët demokratë në protestë, paralelisht me fjalën e tij.
“Një fjalë kam për të gjithë demokratët ekstremistë që nuk hanë përshesh nga SHQUP-i, por jetojnë me djersën e tyre dhe bëjnë çmos për ta ushqyer familjen. Këto demokratë unë i pyes: Çfarë interesi keni ju që në Shkodër të hidheni në zjarr për Voltana Ademin? Një stadium sot Shkodra e ka nga unë dhe më vjen turp kur vijnë të huajt dhe e kthejnë kokën dhe shohin tre garazhdet e Voltanës. Një projekt për vijën e liqenit ka qenë insistim i Ditmir Bushatit dhe mbështetja ime për t’i dhënë Shirokës atë që i takon. Projekti është i bllokuar sepse Voltana nuk pranon të heqë dy kioska”
*
Deputeti i Shkodrës Ditmir Bushati ka hapur takimin elektoral në Shkodër, duke prezantuar kandidatin Valdrin Pjetri.
Para të pranishëmve, Bushati tha se duhen krijuar ura dhe jo mure mes palëve.
Ai u shpreh se Partia Demokratike po krijon ndasi mes qytetarëve.
Ndërkohë, militantët e opozitës joparlamentare vijojnë protestën pak metra me larg, në drejtimin e kryebashkiakes Voltana Ademi.
Në takim ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama, pavarësisht bllokimit të disa akseve nga PD.